LIBRI I VETËFLIJIMIT


    Nga Prend BUZHALA:

    LIBRI I VETËFLIJIMIT (Studio lirike për librin), 6


    Ky libër të shoqëron që nga zanafilla e botës të gjendet pranë në çastet më të errëta, në orën më të vështirë të dështimeve dhe lëkundjeve, ashtu e zgjon brenda vetes një Hamlet të Kryqëzuar diku në perëndim të diellit, kur përfundojnë ëndrrat e kësaj bote. E sheh atë që të tjerët nuk e shohin, bie fjala, pikëllimin e pafund, e përjeton atë që është gjithmonë në humbje, bie fjala, plagën e prerë, dhe therjet e saj të mistershme, bie fjala, mërzinë që nuk të ndahet, e ndien dhimbjen që zgjat edhe përtej jetës, bie fjala, kur mbi kurriz i bart gabimet e të tjerëve. sidomos atë gabimin e shekujve të braktisjes së vetvetes, dhe të ndodh, bie fjala: të jesh më i pafuqishmi në botë dhe vetëm ti ta dëgjosh Zërin e Hyjit. Vetëm ti i di çka janë ato shtigje të përdredhura në jetë që të mbajnë të shtrënguar si një litar në fyt. Është Libri më i rëndë: si ta krijosh paqen në botën e grindjeve. Në fund, e sheh si të pëshpërit një Dritë që të fton në udhëtime pasi t'i kesh parë anët më të errëta të vetvetes e të historisë. Aty ku nuk ka një dalje, ti e gjen derën për të hyrë, dhe aty ku nuk ka vendkalim, ti e gjen shtegun për të kaluar në bregun Tjetër, për të kaluar nëpër mundimet e shpërndërrimit të shpirtit. E, në fund, ta ndjesh peshën e papërballueshme të lirimit të shpirtit: fali, o Zot se nuk dinë çka bëjnë. E mandej bëhesh Njeriu më i Lirë në botë: është rruga që të çon në shtëpi nëpërmes kryqëzimit të fatit tënd.


    (Prend Ndue Buzhala 19 tetor 2019)

    6 views

    Shkrimet e fundit