Libri i Petrit Rukës nën Bukonvile


Gota e Petrit Rukës nën Bukonvile

Fatmir Terziu


Petrit Ruka e la librin e tij të hapur. Nuk e mendoj se na la poeti ynë i dashur, njeriu dhe miku i rallë… Nuk dua ta besoj… E nuk e dija se poeti do të mbetej mëdyshës. Nuk e merrja me mend. Më pate premtuar se në shtatorin që vjen do të vazhdonim gotën aty rrëzë Bukonviles në Sarandë. E do të kishim pranë si atëherë në ditët e Triremës Ilirjanin, Rizain, e do të thërrsnim aty edhe Kullën e Amerikës, ndoshta do të bëheshin me një mendje me Maton, që iku para teje e do të bënim „debat“ poetik me miqtë e poezisë joniane, duke ngritur një dolli me Mërkurin dhe Maliqin.

E kishe merak Nehas Sopajn, dhe grupin e tij nga Maqedonia e Veriut, dhe flisje me pasion për poezitë e poetëve të ardhur nga Kosova. Dhe shtoje në gotë e sipër: „Pse ka poetë?“

E ne të gjithë nuk të dëgjonim mirë. Dinim shakatë e tua tepelenase dhe nuk të ngucnim në raki e sipër. Por kjo ishte atë ditë Trireme nën Bukonvilet e Naimit. Ishte atëherë. Sot Bukonvilet lotojnë të mbushin gotën tënde të lënë në pritje… e aty vargjet bëjnë harakirin e gllënjkave që nuk përtypen me dhimbjen.

Eh, Petrit Ruka, eh…, ngave me të madhe kalorësinë e ditëve të shkoje në pritjen tjetër të Matos. Dhe tashmë keni çfarë të vazhdoni atje lart në Parajsë, nuk ju duhet ndoshta më as laps, as kartë. Ju jeni atje lart dhe shkruani e shkruani pavdekshëm në të Bardhë. A vdes poeti?


Më kujtohet tashmë se në atë Tetor të 2015-tës unë diku poshtë kësaj fotografie shkruajta: „Në botën e sotme, ne të gjithë jetojmë me barrën e ndjenjave se çdo gjë është e mundur vetëm në qoftë se ne jemi mjaft “të mençur”, “të zgjuar” në mënyrë të mjaftueshme, e ku di unë më tej. Me miqtë e letrave shqipe, të mrekullueshmit Agim Mato, Petrit Ruka, Ilirjan Zhupa kjo punë mjaft e vështirë bëhet e “lehtë” si një pupël në mjaft minuta bisedë. Imagjino këtu të ishte dhe vetë mjeshtri Pëllumb Kulla, për të cilin me të drejtë e mbajtëm gjallë fjalën netëve vonë... Dhe ato pak minuta janë vlera e një jete të tërë. Respekte miqtë e mi të nderuar!“

71 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif