Gladiola Jorbus
Versus
Pemët murmurisin në një gjuhë të pakuptueshme.
Njerëzit nguten larg tyre, a thua
se janë qenie me bisht, thundër e brirë.
Krejtësisht alergjikë ndaj polenit dhe botës organike,
rendin drejt shëtitoreve të gjata,
ku shtillen thashethemnajat rreth jetës së luksit,
dhe manekinët bashkëkohorë shndrijnë
nga aksesorët firmato, nga gardërobat e shtrenjta
(faktorë përcaktues të koeficientit të inteligjencës humane).
Në skajet e mbrëmjes, ajri i vesh bisedat vanitoze
me aromën e një snobizmi të sëmurë.
Dhe shija e dehidratuar e homosapiensit,
ëndrrat shkërmoq - në hapësirën tektonike
të shpirtrave të shformuar e të mendjeve boshe.
Dinjiteti struket, qëndron mënjanë, pret të shuhet...
si drita e shterpët e një meteori, që kurrë - s’u bë yll.
Libri i kohës
Shpirti zhvishet mes vargjesh.
Bota përgjon fytyrën
që fshihet pas maskës.
Ditënatë e pështjelluar.
Vetmi ishulluese -
nën pëlhura të zhubrosura.
Dashuri ngurosëse si vështrimi i Meduzës.
Nuk mund të rendësh me galop,
hipur mbi një gërdallë të vjetër
si Rosinanti.
Kur jeta plazmohet në librin e kohës,
si trillet tinëzare
që përvijojnë paradokset.
Dhe shpresa mbështillet,
me kokrriza të njëtrajtshme graniti
për të mos fluturuar me erën.
Trill
Dritëzat u shuan në pupilat e mia.
Lotët ëndërrojnë të shndrisin muzgëtirat.
Hijet notuese kridhen
mbi detin kaltëror të trishtimit.
E dhembjet - fshikullojnë rrezet e diellit
në flokë, në arterie, në krejt shpirtin tim.
Malli i zbehur nga vitet e brishta
derdhet në lumë si një poezi e harruar,
si një peng i vjetër që humbet në rrjedhën e tij.
Nata zhvesh petkun e errët.
Ngjyhet me purpurin e çmendur të agimit.
Dhe me një buzëqeshje shtinjake,
u dorëzohet trilleve të lashta sa Toka.
(BUDVA, MONTENEGRO)
Comments