
Tema: Bohemia si “protestë” ndaj realitet të absurdit të njeriut shqiptar
Poezia shqipe, akoma është nën “presionin” e saj si gjithëpërfaqësuese, por nën nivelin e një lexuesi elite të saj, që tashmë ka humbur. Prodhimi dhe botimi i letërsisë në Shqipëri, pa asnjë kriter, pa asnjë vetëcensurë sidomos nga poetët, tregon se letërsia po i tepron vetes, sidomos poezia. Ajo, qartësisht ka humbur si në kohësi apo në letraritet, si në sinkroni dhe diakroni në vertikalitet apo horizontalitet. Koha nuk po sendërton “poezi të qarta”, përtej “pasionit rrëfimtar” eliptik apo estetikisht të kuruar, akoma nuk kemi ndonjë qasje profesionale që poezinë ta shkundim nga përgjumja. Ndoshta, hallkat janë këputur dhe nuk po gjejnë copat për t’i lidhur. Falë edhe një kritike gjumashe, paralitike, të fragmentuar, sipërfaqësore, apo akoma më keq një kritikë si tepër mbytëse me “elozhe” biografish emrash, sesa për një poezi me elemente estetiko-letrare dhe të përimtësuar, deri në rrafshin e interpretimit racional.
Poezia e Kliton Nesturit, “I lindur bohem”, duke lexuar teksturën por edhe retorikën poetike, nëpër rrugët e Tiranës, poeti bohem ose ka humbur…ose ka rigjetur veten (vetveten) përmes eleminimit të klisheve dhe teprive ku herë-herë dimensoni i futurizmit përthyhet me absurdin dhe “ngecjen” e ekzistencializmit: në heshtje/do të shoh avionët,/teksa indiferentë kalojnë mbi mua/retë që qëndrojnë si lajmëtare nga poezia: “Pritje të ardhjes tënde”, ashtu si Majakovski i shekullit më parë: befas/dhe retë/dhe çdo gjë e vranët/ngritën t’pagjasë qiellit një trandje, “Re mbi pantallona”.
Nuk është ndonjë trandje e madhe, për të shndërruar shkallëzimet në paralelizma, duke ndërthurur modele që organizon ligjërimin në këto dimensione:
- dimensioni i parë: dimensioni i absurdit dhe shpërfytyrimit të njeriut, nga njeriu dixhital
përmes modernes/postmodernes: (“Dua të harroj që jam shqiptar”);
- dimensioni i dytë: dimensioni lirik, qenia e reales dhe surreales, kotësisë dhe pasionit
përmes të bukurës për shpirtin, për dashurinë, janë anatema dhe qenësore për mbinjerëzoren dhe njeriun: (“Puthja”);
- dimensioni i tretë: mimesi i kujtimeve dhe kthimi në rininë rrugëve bardhezi të Tiranës,
ku surrealja, absurdi, kotësia, ekspresionizmi por edhe “errësira” e një hermetizmi të lehtë, dirigjojnë fate, jetë, vdekje, zemrat, shpirtrat, materien, dëshpërimet, trishtimet, errësirat, vegimet, ikjeardhjet më përtej (“Blloku i vjetër i trishtë”);
- dimensioni i katërt: dimensioni i surpluseve narrative, përmes “arratisjes” nga vetja,
përmes edhe një realizimi paksa magjik, paksa lirik, paska mistik etj. Kryemetaforat si: [vdekja/jeta, ikja/ardhja, dashuria/malli, humbja/gjetja, bohemi/asketi etj.], nuk thyejnë Zotin, por njeriun e nëpërkëmbur, të vetmuar, “njeriu i përsosur”, për qëllime vulgare të njeriut të polarizuar, apo “njeriut skllav”, deri në ekstrem me energji negative, klithmon përmes vargjeve: jam bohem i vjetër,/ njeri që ecën rrugëve i qetë,/rrethuar prej botës time i pa vënë re prej askujt./ Bluxhins më pëlqen të vesh e muzikë rok dëgjoj/ atë të vjetrën, të thellë,/ atë që epokat tejkalon,/duke u ndierë një rebel njëzetepesë vjeçar,/sfidant i viteve nën lëkurë dhe kohës që shkon…
Figurat ekspansive, por edhe herë-herë edhe radikale deri tek një lloj “errësimi”, nuk e errëson metoniminë që mbetet si “metaforë qëndrese”, përmes strukturave poetike, që gjallmojnë tek poeti bohem, më përtej vetves, duke radikalizuar një “shenjtërim” të postmodernizmit, por sidomos të lirikës sociale, që shumë herë lexuesi e keqkupton, si lirikë personale nëpërmjet tropeve universale.
sëfundmi: poezia e K. Nesturit, vjen pas gati çerekshekulli, në lëminë e “shthurjes” së lirikës qytetare, ku emrat si N.Gjetja, T. Keko, hodhën edhe farën në një ujdhese të tillë. Një gjuhë tërësisht metaforiale, me kode dhe nënkode nga realiteti shqiptar, përmes absurdit dhe ekzistencializmit, si elemente kyçe të post/modernizmit. Në këtë libër, njeriu po kërkon kohën e tij të humbur, endet fushave semantike të veprimit poetik, nëpër vazhdimësinë e emocioneve estetike tërësisht autoriale që ecën…ecën në kërkim të bohemisë së njeriut shqiptar.
Tema: Iluzioni optik i vetes dhe përmes vetes, në poezinë e Artan Gjyzel Hasanit
Tetori, si muaji i letësisë shoqërohet me aktivitete letrare dhe librore. Me botime, promovime aktivitete për/ndaj letërsisë kryesisht. Tashmë, poezia është si të thuash edhe caku apo “streha” e shumë poetëve shqiptarë, të rinj apo të vjetër, por të paktën janë ata që meritojnë të quhen poet. Dikush që boton duke përsëritur veten, quhet poet. Dikush tjetër që “imiton” të tjerët, po prapë poet quhet. Po një dikush tjetër, që “mbledh” fjalë dhe vargje (përmes plagjaturave “vjedhjeve”). Në këtë kakofoni dhe larushmëri botimesh e shpërfaqjesh “talentesh” secili i bën “nder” vetes, në “areolën” e poetit. Në fakt të bëhesh poet është kollaj, (duke mos përligjur asnjë rregull), por të mbetesh është fat.
Në kërkimet e mia, në lëmin e poezisë shqipe postmoderne pas viteve’90-të, hasa në një emër me një poezi rebele dhe moderne, që vetëtimthi të rrëmben për ta lexuar dhe mbajtur shënime. Më në fund, ku bindesh se pas shumë procesesh leximi apo ashtu siç thotë (Harold Bloom-i), të lexojmë, çfarë dhe si të lexojmë, kuptojmë se jemi në tjetër përndritje, apo në një tjetër miraxh të pasqyrimit dhe përthyerjes së dritës, nën mrekullinë e “Fata Morganës”, libri i fundit i poetit shqiptaro-kanadez Artan Gjyzel Hasani. Por, çfarë është fjala apo termi fatamorganë: (një lloj iluzioni optik që lidhet me brigjet e Barcelonës, Norvegjisë, apo kryesisht të ngushticës së Mesinës, një zonë në Italinë e Jugut. Por, ermi i këtij efekti vjen nga legjenda e Mbretit Artur. Karateri klasik në letërsinë europiane. Mbreti Artur, kishte një gjysmë motër e cila ishte magjistare, me aftësi të ndryshonte pamjen e saj. Njerka njihej si Morgana la Fey, Margane, Morganna).
Një tekst poetik që sendërton perceptime poetike:
a) receptimi përmes shëmbëllimit të imazheve të vetvetes,
b) përzjerjet e trajtave dhe masave universale të dritës/errësirës,
c) përmasa e iluzioneve optike, si një qenie tjetër në lëndën poetike,
d) shpërfaqja e dukurisë si poezisë qytetare dhe asaj ambientaliste,
e) rebelimi për unin dhe absurdin, si dukuri postmoderne,
f) eptimi i elementeve poetike si forma të përmbushjes estetiko-letrare.
Kjo dukuri detare, shëmbëllim, apo iluzion optik, përmes dritës dhe errësirës, përmes detit dhe tokës, përmes ujit dhe shkretëtirës, përmes natës dhe ditës, përmes formave njerëzore dhe shpërfytyrimit të masës dhe trajtës, apo deformimit të Unit, krijon “shtegun”, “urën”, “përmasën” ku shpirti deporton dhe kompozohet në tjetër përmasë, përmes vargjeve: anije kokëposhtë jemi/nisur për lundrim përmbys/por ne e quajmë fluturim/ngatërrojmë qiejt me detet/hutuar gravitetet/dhe ankohemi përse gjithnjë mbytemi…/sa herë nisemi për udhë/dikush mbetet qyqar/Fata Morgana shpresa jonë e vetme… në poezinë “Fata Morgana”. Ai imazh tërësisht shpirtëror dhe rebel, përmes përthyerjes në formë magjike apo të paradoksit dhe absurdit, “rrëzon” maskën absolute të Unit tënd, duke urryer atë që kemi breda nesh, dhe dashuruar tjetrin, që fshihet brenda nesh. Por, poezia e Artanit, sendërton njeriun qytetar, përmes poezisë qytetare, në formën më të çmendur: nëpërmjet rebelimit të vetë njeriut-qytetar.
sëfundmi: një poezi që quhet POEZI. Mjafton të hapesh mendje dhe të lexosh, diçka krejt ndryshe, diçka përtej një amalgame mes vetes dhe tjetrit, po tjetri i pasqyruar tek ti dhe universi yt poetik përmes leximit, është një portokalle që “qërohet” vetvetiu në dorë. Lexuesit i mungojnë poezi të tilla, me dimensione qytetarie por edhe me mesazhe sociale.
Tema: Eptimi i elementeve lirike përtej përditësisë njerëzore.
Përsëri me një cikël poetik të ri “Post scriptum”, doktoresha -poete Ailda Mëngjesi, na befason me një poezi ku përditësia herë bardhë/zi, herë me dritë/hije, por me shumë ngjyra, përsëri …përsëri na përpin, me atë fshehtësinë dhe fisnikërinë e saj të ndjenjës së fisme të shkrimit, me përmes zhgënjimeve dhe shqetësimeve, jo vetëm si pote por edhe si njeri. Ajo di si t’i përshkruajë ato ndiesi, duke përplotësuar edhe madhëruar aftësinë e saj krijuese, pas librit të saj të parë “Pothuajse”.
Koha poetike e Alidës është një frut i pjekur. Është si një portokalle qe kur çel lulet e bardha duket si “vello” magjike, ku edhe shpirti qetohet nëpërmjet vargjeve: kam ëndërruar gjithnjë të shkruaj/një këngë që të mbështjell eshtrat e lodhura/ të planetit/billiona vitet nën lëkurë/shkelur miliona vite me këmbë nga poezia “Homo Sapiens”. Ajo po kërkon pikërisht njeriun. Njeriun e pafajshëm. Njeriun Homo Sapiens. Po kërkon origjinën tonë. Njeriun, që akoma beson tek parajsa e përjetshme, para se të njohë “pemën e të mirës dhe të keqes”. Ajo noton, rrjedh, valëzohet, rrëshqet si uji në gravitetin e vargjeve që dallgëzohet herë si oqeani herë si deti Adriatik, herë si orteku dhe herë si ajzbergu, që nga ferr-parajsa, deri tek vjeshtat, që nga e enjtja deri tek dimri, që nga nokturni deri tek ezertikja, që nga mungesa e një telegrami deri tek loja boshe e shkurtit, që nga alteregoja deri tek persatia. Ajo udhëton me interkontinentalin përmes kapriçove të motit, në kërkim të një syri fëmije, sepse për dashurinë do të ndërmarrë udhëtime të trëndafilta deri atje, ku të kërkon për të përkorën, por a ekziston e përkora?
Poezia shpërfaq elemente si:
a) të kohës si njenjim poetik dhe kohës reale njerëzore,
b) të mallit dhe mungesës nëpërmjet elipsave dhe retiçensave,
c) të teprisë dhe mungesës nga mbingopja me neverinë dhe absurdin,
d) të takimit mes dashurisë dhe lirikës,
e) të eptimit të së bukurës dhe dlirësisë femrore,
f) të problematikës përditësore në një shoqëri surreale dhe virtuale,
g) të elementeve gjuhësore me metafora dhe elemente semantiko-stilistikore.
Përmes leximit, ajo kërkon jo më vetveten sepse ajo e ka gjetur atë. Por, po kërkon një lexues tjetër: atë lexues që gjen paqen e humbur të vetes, nga rrokopuja absurde e jetëve tona. Ajo, e fton njeriu-lexues, të mbledhë copërat e shpërbërjes nga kalbëzimi ynë modern. Për të qenë “uni” ose “unë”, në të gjithë vorbullën miliardëshe të globit, a thua se toka rrotullohet ndaj secilit prej nesh? Apo rrotullohet vetëm rreth vetes tonë (vetvetes)! Në këtë rrafsh horizontal poetja udhëton nëpër kozmosin poetik, me një stil të qetë dhe të shtruar, për ta bërë lexuesin e ri dhe të vjetër, të besojë tek magjia e fjalës së bukur dhe poezisë së mirë, kur ajo dredhet kaq e çlirët.
sëfundmi: Ailda, vërtetë beson se poezia e mirë ekziston. Lexojeni dhe besojeni edhe ju. Paplotmëri dhe të papërkryer ka, por perfektshmëria nuk ekziston. Të përplotmëruar dhe të përkryer e bëjmë ne: marrëdhënia lexues-poet!
Tema: Fabulat si “ndëshkim” dhe moral për veset njerëzore.
Ndoshta gjinia, që shkruhet më pak dhe lexohet më shumë është fabula. Fabula është gjinia letrare e njohur që në lashtësinë greke, të përfaqësuar nga Ezopi, dhe pastaj nga La Fonten. Edhe në Shqipëri ka shkrues të fabulave ose fabulorë, por duhet kuptuar ndryshimi (mes fabulës së një tregimi/ rrëfimi romanor) dhe fabulës gjini e shkruar në prozë dhe poezi.
Se çfarë janë në vetvete fabulat, sipas RAE (Akademia Mbretërore Spanjolle), fabulat janë (histori të shkurtra imagjinare, në prozë ose vargje, me qëllim didaktik ose kritik të shfaqur shpesh në një moral përfundimtar, dhe në të cilën njerëzit, kafshët dhe qeniet e tjera të gjalla ose të pajetë mund të ndërhyjnë). Fabulat janë gjithmonë të lidhura me tregime për fëmijë. Por, ato “argëtojnë” edhe lexuesin e rritur. Mjeshtri i fabulave në Shqipëri është (Ferit Lamaj), por është edhe fabulisti (Salvator Gjeçi) me librin “Parada e flluskave”, na sjell elemente të rëndësishme si:
- elementet e vetëmburrjes dhe vetëbesimit të tepruar, (“Babë e bir”, “Rrapi dhe bijtë”);
- elementet e përuljes dhe skllavërimit të njeriut për ca ndere dhe favore të pamerituara,
(“Lehësit”, “Qentë nën komandë”, “Politikë biberoni”);
- elementet e abuzimit me respektin, mirësinë dhe mirënjohjen, (“Dallandyshja e
harabeli”, “Corka”);
- elementet e veseve dhe të pabesive, (“Vesi i vjetër”);
- elemente të moralit të (ar)miqësisë dhe politikave çnjerëzore, (“Qeni dhe kocka”,
“Oborrtarët”, “Zani i gomarit”, “Vëllezërit”, “Loja e shahut” etj.)
Në fabula gjithmonë ekziston: kritika dhe morali për sjellje të caktuara, ku personazhet kafshë “na japin mësime”, përmes simbolikave të butësisë dhe urtësisë, përmes mishërimit të zellit dhe durimit, kundër nënshtrimit dhe përuljes, si dhe kundër dhunës dhe dinakërisë etj.; kur mbërriti tek ara rrjedha më në fund/shfaqja e çudive përmendej gjithkund:/ në pikun e thatësirës flitej më me bujë/për bëmat e flluskave se për vijën me ujë poezia “Parada e flluskave”, që mban edhe titullin e libri.
Libri ka 71 fabula me një gjuhë të thjeshtë. Vargu është ndërtuar me rimën klasike [ab/ab], me strofa katërshe. Përmes tematikave të shumta, autori demaskon veset, pabesitë, imoralitetin, abuzimin, skllavërimin, mendjemadhësinë, dhunën, dinakërinë, por edhe “nxjerr” në pah, butësinë, urtësinë, durimin, njëkohësisht shumë “mësime” dhe “këshilla” për modelet e politikës njerëzore, që herë-herë e refuzojnë mjedisin e tyre kafshëror, duke qenë mirëkuptues mes tyre dhe më solidarë. Në fund ka edhe një (përrallëz me vargje), që lexohet me një frymë.
sëfundmi: fabulat përveçse lexohen shumë shpejt dhe kanë një gjuhë sa fëminore aq edhe moralizuese, përmes satirës, humorit dhe sarkazmës, ligjëron për të keqen dhe ligësinë njerëzore, por edhe na mëson, sesi të jemi dhe të mbetemi njerëz, kur udhëhiqemi nga ndërgjegjja dhe ndjenjat, kurse kafshët udhëhiqen nga instikti. Por, instiktet janë “veset” më kafshërore që i zotëron njeriu si: pangopësia, cinizmi, imoraliteti dhe pabesia.
Comments