LETËR NGA AMERIKA PËR POETIN AGIM MATO


Xhemal Hasani


Isha i bindur, djalosh, se nje ditë do t’i ngrije përseri velat e poezisë, sepse unë e di çfarë bluan ti në atë kokën tënde, teksa baret hera heres i vetëm buzëdetit. Vetëm atëhere ti shkon në tespiqet e poezisë ata margaritarët e vegjël që gjen në rërën e detit Jon. Shetitjet anës detit kanë qenë “arma“ dhe privilegji yt i vetëm në atë kohë, se s’doje t’i trazoje miqtë e tu me ëndrrat e tua kundër rrymës, sepse që kur ishe i ri, edhe njëherë që i këndove me shpirtin tënd rinor Sarandës dhe Jugut të bardhë, ata e hodhën në karton atë libërth të vogël, që unë e ruajta në bibliotekën time gjithë kohën.

Bukur poeti Agim Mato, miku im …

I lexova librat e tu më të fundit dhe më duket se jam edhe unë atje në ato mendime dhe rrjeshta që bëjnë fjalë për të njëjtin qytet ku ne lindëm dhe u rritëm, për të njëtin det, anëdet dhe funddet, ku ne u zhytëm që të vegjël. Ndryshimi është se ti i ngatërron aq bukur ndjesitë nga ky ambient, në forma të çuditëshme si në një kaleidoskop dhe që formojnë poezinë tënde “paksa rrëmujë në dukje“, ndërsa unë i them thjeshtë, me fjalët e zemrës sime ato që ndjej kur shikoj atë gji, atë det dhe kur shkoj në Qafën e Botës. Edhe dallgët e detit, duken paksa rrëmujë po të jesh afër tyre, kur përplasen në muret e bulevardit dhe në shkëmbenjtë rreth e rrotull, por nga larg, kur sheh fushën e gjerë të detit, ndjehet harmonia dhe rregulli se si ato ndjekin njera tjetrën dhe në përplasje formojnë atë zhurmë që është melodia e perjetshme e frymëmarrjes tokë – det. Kështu ngjet edhe me poezinë tënde.

Ok, poeti Agim Mato. Jam shumë dakort se të takon “me dhe pa tapi” kujtimi i nënës që e përmend në një poezi. Të njëjtën gjë përjetoj edhe me kujtimin e nënës sime dhe më duket se bashkëudhëton me mua në çdo hap të jetës. Kujtoj fshatin ku ajo ka lindur dhe përlotem, kujtoj Qafën e Botës atje në Konispol dhe prapë përlotem. Fati dhe koha e vështirë e viteve të luftës së parë botërore e shkulën nga vendlindja e saj dhe e hodhën në Konispol, ku kaloi rininë. Por me të vajtur atje, gripi i tmerrshëm i asaj kohe (vitet 1917-1918) i morën nënën, vëllanë dhe një motër, që prehen në Qafën e Botës. Kësisoj, kjo qafë ka qenë për mua një toponim kozmik, si qafa e gjithë Botës, tej së cilës fillonte një humnerë që të çonte në hapësirat e pafund të universit. Në verën e vitit 1958 kam qenë me pushime ne Konispol, tek ky fshat i dardhave dhe bajameve ni ca miq tanë. Dhe më takonte të shkonim për ujë në fushën e Vasilikoit. Unë, i hypur mbi gomar, mbahesha fort se mos bija në…Qafën e Botës…që siç thashë, e mendoja si një humnerë kozmike. Ashtu e ke vizatuar edhe ti. Të njëjtin përfytyrim mbajta për vite e vite me rradhë për atë vend të shenjtë dhe jam inatosur para ca vitesh të shkuara, kur një gazetar, në raportimet që bënte për ATSH, i referohesh kësaj Qafe me emërtimin “Mavromat”, siç e quajnë në shtetin matanë. Mbaj mend se vetëm dy ose tre herë në jetë kam reaguar kaq ashpër për gjëra që s’më pëlqejnë. Nejse.

Poema jote ma bën më të afërt kohën kur, ndoshta, në të njëjtat vite, kemi bredhur lagjeve të Konispolit dhe kemi shkuar në vende që ti i përmend me aq dashuri dhe realizëm. Kjo ka qenë një nga të fshehtat e mia te kahershme dhe të falënderoj që e perjetësove në vargje Qafën e Botës. Në fëmijërinë tënde, në ndjesitë e tua jam edhe unë.

Në shtatorin që shkoi, më takoi të kaloja përsëri në Qafën e Botës por kësaj radhe s’kisha më frikë se bija në humnerë, përkundrazi, një fushë magnetike më tërhiqte drejt vendlindjes së nënës sime, që është një fshat i bukur me ishuj përkarshi, midis Igumenicës dhe Pargës. Në atë kohë quhej Volë ose Myrto dhe sot e quajnë Sivota. Ishte një ëndërr që unë e realizova në të gjallë. I ulur atje në bregun e detit, hodha në letër gjithë çfarë ndjeva në ato momente. Prekja një botë të ndaluar, të mohuar, një botë si në ëndërr që ishte matanë Qafës së Botës. Tani ndjesia ime për të u bë reale dhe unë e “ kaperceva “ pra, Qafën e Botës…

@fjalaelire.com

27 views0 comments

Shkrimet e fundit