LETËR NËNËS
Si je nënë? Prej kohësh nuk flasim,
nuk kam marrë prej teje asnjë lajm,
ka shenja që nëpër ditë i deshifroj
si sinjale që ti m’i sjell nga larg.
Premtove se vdekja s’do të na ndante
dhe vetëm për një çast ti do të vije,
të gjitha ditët e mia janë shndërruar
në rrahje të shpejta zemre, në pritje.
Tanimë unë s’mundem të vij tek ti,
udhën ma zënë vargje poezish plot,
të tjera ide të zbehta të përgjumura
po më presin që mbi letër t’i zgjoj.
Nëpër ditë i sjell ndërmend shpesh
kujtimet tona, bisedat për dashurinë,
mbrëmjet e ftohta përreth një furnele
të vogël që ngrohte të tërë shtëpinë.
E shtrenjta ime ti i mbaje premtimet,
këtë herë diçka ka ndodhur me siguri.
Do të ta nis letrën në strehën tënde
që rifreskohet nën hijen e selvisë.
Comments