Tregim nga Kozma Gjergji
Me Tolin, mikun tim, po shkoj të vizitoj qytetin ku ai banon, të preferuar aq shumë nga turistët për mrekullitë natyrore, antike, mesjetare e moderne.
Në hyrje bie në sy një shtatore burri si e ngritur enkas për t'i uruar mirëseardhjen çdo mysafiri. Portretit të tij prej komiti ia shton madhështinë një ujëvarë leshrash që i zbret deri në kërthizë.
-Ndonjë çlirimtar, filozof, artist?… -pyes mikun.
-Jo, jo… Kush do t'ja dijë për ta! Apo që të mbetet kurdoherë me trastën bosh e barkun e uritur!… Ky është një prestigjator gjenial i ca punëve disi të veçanta. Shumë të leverdisshme. Emrin e respektuar Leshtori, që banorët ia kanë vënë, e mbajnë qëndra bamirëse për kafshët e braktisura dhe një nga rrugët. Nderohet, se falë pikërisht leshit ka kontribuar në mbrothtësinë e qytetit.
-Nuk po i bie dot hiç në të…
-Ja, siç e shehë, ai është i tëri leshtor. Tamam nga ky aset u nxit të bëhet nismëtar i organizimit të një konkursi, që mundësoi e mundëson cilindo të konkurojë për flokët, mustaqet dhe mjekrën më të gjatë. Caktoi dhe shpërblime tejet joshës për fituesit.
Çuditërisht doli tepër e pëlqyer. Pjesëmarrësit dhe tifozëria u shtuan në përmasa të pabesueshme. Sigurisht dhe fitimi. Duke parë këtë e zgjeroi garën edhe me imitues të pamjes së personaliteteve të apasionuar pas balukeve, mustaqeve e mjekrës më të bukur.
Suksesi qe befasues. Atëhere ai e pasuroi dhe me sfilata e lojëra zbavitëse të kafshëve, me reklamimin e veshjeve dhe racave të tyre.
Pushteti ia vlerësoi talentin dhe e mbështeti menjëherë. E cili biznes nuk ndihmohet nëse di të sillet si ai zagari që kurrë nuk e kafshon të zotin dhe ia çon vet prenë!?
Në vijim atij iu dhanë me konçesion me kosto qesharake një territor i konsiderueshëm dhe e drejta për të organizuar e administruar panaire të ndryshme. I integrojë të gjitha bashkë në një veprimtari goxha fitimprurëse.
Toli më jep biletën dhe programin e panairit të radhës e të tjerave. E fillojmë me këqyrjen e sfilatës së zagarëve, ku ekspozohen racat e përmirësuara për nga pamja fizike e inteligjenca. Argëtuese janë veçanërisht loja për të zbuluar e ndjekur prenë dhe vrapimi me pengesa të vështira.
Pranë nesh qëndrojnë në pritje për të hyrë në garë me qentë disa zonja e zotërinj. Do paraqesin kryesisht veshjet më të reja për kafshët dhe demonstrojnë se kush e bën më interesante e tërheqëse lojën zagar-pronar.
Një zonjë e moshës së mesme aty afër nuk resht së përkëdheluri e përqafuari qenin. Njësoi si ta kishte dashnor. Tërheq vëmendje veshja e kushtueshme e me stil që i ka bërë, kolani, medalioni, rripi i dhëmbëzuar dhe plotë xhingla-mingla që ia zbukurojnë qafën muskulore.
Ndërsa ajo ze të dialogojë me dikë, qeni shkëputet e shkon sa te njëra tjetra zonjë. Fut vrullshëm kokën midis kofshëve të secilës dhe ngjesh turirin e nuhat gjithë afsh atje ku s'thuhet. Ndonëse ato e shtyjnë me duar ai vijon vendosmërisht në të tijën.
-Po ky?! E paska mësuar keq bushtra! Pa shih, veshur dhe me firmato si ndonjë VIP!… Qen sa një gomar! Qysh e përballon!?… S'ka faj, është me xhepin plot ajo, prandaj…
-E di, e njoh… I ka punuar ditë e natë dyqani që ka me vete. Mbahet shumë lartë, si të jetë ndonjë heroinë… Po dhe është… As vet nuk mund t'i numëroi dot sesa armiq ka thyer e mundur!… Meriton dekorat të lartë…
-Ashtu është, por mesa duket tani ka gjetur karar me këtë pastor të pacipë…
Habitem sesi mund të dalin të tilla fjalë nga gojë zonjash me sqimë.
-I dëgjon? -i themTolit.
-Po, po… Janë cmira dhe xhelozira femrash. E gojosin ashtu, ngaqë ajo e menaxhon sukseshëm biznesin dhe e ka qenin tepër simpatikë…
Kalojmë në mjedisin tjetër dhe ndjekim konkurrimin e sozieve për Xhuzepe Verdin e Karl Marksin. Mahnitëse! I kanë ringjallur! Sfilata shoqërohet me muzikë dhe pamje nga jeta e veprimtaria krijuese e shoqërore e të dyve
Teksa mendojmë për sikletin e jurisë, surprizohemi që çmimi për filozofin i jepet njërit prej konkuruesëve për kompozitorin, ngaqë ngjanë gjer në përsosmëri me Marksin. Entuziazmi ynë vjen e venitet, se fituesi nuk e pranon kurrsesi çmimin.
-Jo dhe jo, -kundërshton prerë. -S'mundem absolutisht. Unë garova vetëm për Xhuzepe Verdin dhe nuk kam asnjë punë me Karl Marksin.
-Po pse, përse nuk e pranon?!… S'jemi në politikë këtu… Të gjithve na intereson veç përngjasimi fizik, -përpiqet ta bind i habitur kryetari i jurisë.
-Ju lutem, -përsërit, -Në asnjë mënyrë… Kam vuajtur tmerrësisht në burgjet komuniste dhe shkaktari kryesor është pikërisht ai… Ma ndalojnë rreptësisht bindjet, arsyet dhe simpatitë e mia atë çmim, që ka të bëj me një monstër, çifut, antikrisht dhe krijues i doktrinës më gjakatare…
Marrim vesh se është një prej qëndresëtarëve rrebel e shpirtlirë nga Europa Lindore.
Vijojmë të përshkojmë panairin e gjuetisë, i cili me atë mori tendash i ngjan qytezës. Kudo shpërfaqet një kombinim i hatashëm i tregut, reklamës me elementë kulturor e artistik. Kjo e ka nxitur mjaft interesimin e frekuentuesve, kureshtarëve dhe amatorëve të këtij sporti.
Gjen aty llojshmëri veshjesh, çantash, rripash, dylbish, armësh, municionesh… Ke rastin të shijosh gatimet me mish të egër të guzhinës së veçant "Shija e gjuetisë", të marrësh emocione në sallën "Zërat e pyllit", ku interpretohen këngë e ekzekutohen valle gërshetuar me imitimin e zërave dhe koreografisë së zogjve e kafshëve..
Mund të provosh fatin në lloj-lloj llotari, në shënjimin me pushkë sportive e të gjuajtjes me hark dhe në të tjera lojëra interesante. Gjithashtu të pret miqësisht galeria me koleksionin e pasur të fotove të specieve, me pamje të natyrës e skenave të gjuetisë qysh nga prehistoria dhe të gjahtarëve më gjurmëlënës. Në çdo kënd afishohen të balsamosur larmi kafshësh, zogjsh e shpendësh pylli e uji. Të gjitha shiten bashkë me kartolina, manuale, harta të faunës e florës dhe libra për gjuetinë.
Nëse dëshiron të qeshësh apo trishtohesh e ke gati shfaqen komike "Ditë e net gjuetarësh", në të cilën kafshët luajnë rolin e gjuetarëve, kurse njerëzit atë të kafshëve. Njësoi si në teatrin e kukullave.
Që në ekspozicion personazhet -gjuetarë (kafshët) vihen në kërkim të ethshëm të zbulojnë, ndjekin dhe vrasin prenë (njerëzit). Ngrenë prita dinake e kurthe djallëzore dhe e rrethojnë vendin ku fshihet gjahu. Sapo lëviz diçka, menjëherë hapin zjarr të dëndur nga çdo anë.
Njerëzit në rolin e kafshëve bërtasin të tmerruar: "Mos qëlloni, të çmendur! ", "Ndaloni menjëherë zjarrin, kriminelë! "
Gjahtarët-kafshë ndërpresin goditjet dhe nisin të dialogojnë. I mirëkuptojnë e u japin të drejtë që ndihen ashtu të llahtarisur para grykave të vdekjes, sepse e kanë përjetuar e vuajtur vetë. Ju njerëzit, u thonë, asnjëherë s'keni denjuar të dëgjoni klithmat, thirrjet, lutjet e dhimbjet tona. Vetëm sot e kuptuat mësimin e librave të shenjtë: Provoje të keqen njëherë tek vetja, para se t'ja bësh tjetrit.
Kafshët i pyesin plot kërshëri njerëzit të dinë se ç'e kanë tërë atë dëshirë e kënaqësi mizore për të vrarë?! Në përgjigje këta të fundit shtiren të dërmuar nga pendimi e iu kërkojnë dhe atyre t'i hedhin armët.
Të gjorat kafshë, krijesat më të sinqerta, binden e pa e bërë dy i flakin armët për tokë. Njerëzit të gëzuar vrapojnë drejt tyre të festojnë bashkërisht. Por në vend të kësaj, rrëmbejnë armët dhe të trimëruar iu thonë se tani e rifituan lirinë dhe të drejtën për të sunduar, ashtu siç ua ka caktuar i Plotëfuqishmi.
Një pjesë e kafshëve i nënshtrohet skllavërisë, kurse shumica që s'pranon ta varros lirinë merr arratinë në pyje, male e kudo. Njerëzit vazhdojnë t'ju ngrenë prita e leqe dhe t'i gjuajnë.
Në etjen e dalldisë për të vrarë, njëri nga gjuetarët-njerëz, duke e pandehur kolegun për drer e godet për vdekje. Kjo i dëshpëroi jashtzakonisht shumë edhe kafshët. Me pikëllim e lot në sy ato ngushëllojnë armiqtë e tyre dhe marrin pjesë në funeralin e viktimës.
Shfaqja mbyllet me protestën e madhe që provokoi ky incident, për të ndaluar krimet e shfarosjes së gjallesave të egra dhe mbrojtur natyrën.
Fort i dashur Myslim! Ju falenderoj shumë për mendimet zhbiruese dhe konsideratën e lartë rreth tregimit. Për mua është e mjaftushme nëse krijimi arrin t'ju pëlqejë, sepse ju çmoj shumë për shijen tejet të rafinuar e kërkesat sipërore.
Shpesh më shkon mendja, se duke qenë miq të ngushtë, mos rrëmbehemi nga kjo ndjenjë e nga malli i njëzetë e ca viteve pa u takuar dhe i flasim njëri tjetrit me superlativa?! Por më bën të besoj, se s'duhet të jetë plotësisht kështu, gjykimi edhe i kolegëve të tjerë dhe numri i lexuesve.
Ju uroj nga zemra dhe juve suksese gjithmonë e më të mëdha në krijimtari!
Përqafime, Kozmai.
E respektuar znj. Anabel! Kjo sentencë Juaja e …
Njohja e Ligjt te karmes nuk Ka ndaluar anen e zeze te njerezimit te vazhdoje tmerrin e genocideve. Natyra dhe kafshet japin dashuri pa kushte njerezimit e ne vend te mirenjohjes eshte bindja qe nuk jane mjaftueshem te zgjuar qe te kerkojne shkembim per sherbimin e tyre.
Autori i tregmit sugjestionues " LESHTORI" , Na merr per dore dhe na thote:
Pa shihni se c'po ndodh....
Eshte aftesia dhe inteligjencia krijuese e K. Gjergjit qe futet natyrshem, ne problemet dhe fenomenet me te mprehta, me delikate dhe shprterore dhe me te dhimbshme bashkekohore.
Pa u futur ne analize, paralelizmat qe bene jane te mrekullueshme.
CEHOVI , per humorin e holle, dhe sarkazmen djallezuese do te lavderonte.
Urime. Te perqafoj me mall, Myslimi.