LEGJENDA E ARËS SË VASHËS.
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Mar 19, 2022
- 6 min read

IDEAL SERJANI
MENTOR SERJANI
Legjenda e Arës së Vashës dhe kënga që i kushtohet asaj, «thëllënxa që zgjon dynjanë», është përcjellë brez pas brezi, deri në ditët tona. Gjatë evoluimit nëpër dekada e shekuj, ajo edhe është asimiluar nga faktorë të ndryshëm, nuk na ka arritur e plotë, prandaj ne kemi për detyrë, ta lëmë të shkruar për brezat, që vijnë, në versionin që e kemi dëgjuar nga pleqtë e vjetër të fshatit tonë Sasaj. Në të folmen e fshatit tonë thuhet «thëllëza» që përshtatet edhe me normën kombëtare letrare, kurse « thëllënxa», ose «fëllenxa» fliten në Çamëri e rrallë në disa krahina Gege. Vargu «thëllëza që zgjon dynjanë» nuk është një këngë me ritëm të gëzuar, por një këngë vajtimtare e kobshme e vazhdueshme e jetës së saj të trishtuar. Pra, kënga në tërësi, personifikon, vajzën fatkeqe sasanjote që na vjen e gjallë, që nga thellësia e shekujve. Nuk ka askund në trevat shqiptare një toponim të tillë, kaq të dhimbshëm, kaq të dashur, por edhe kaq krenar, romantik, por edhe kaq të freskët që na përfytyrohet sikur është atje tek ara e magjishme e saj, tek Logu i Saj, siç kanë zanat e Alpeve, Logun e tyre. Emri «vashë», është një nga disa sinonime të emrit vajzë, që na vjen e gëzuar tek vargu i Lasgush Poradecit: «Vijnë vashat valle- valle
Gush’ e gji stolisura»,

Ndërsa tek ballada jonë vjen me « vaj e me psherëtimë». Emri « vasha» është emër përkëdhelës, por njëkohësisht tregon edhe një emër në kapërcyell të moshës së fëmijërisë (të miturisë), drejt moshës së rinisë, pra 15-16 vjeçe. Duket se kjo vajzë e bukur e çiltër e zgjuar dhe trimëreshë ka dalë me delet e saj, në të njëjtin vend dhe që në moshë fare të vogël. Prandaj edhe emri «Ara e Vashës», u fol nga vëndësit e saj, që në të gjallë të saj. Vargu tjetër «një kull’ e vogël-ë nd’anë», është kulla dykatëshe, që ndodhet edhe sot në Harcë, në krah të xhamisë së Harcës, ngritur mbi themelet e kishës së Shën Mërkurit. Vargu tjetër është «bilbili përtej Lavánë» (është zhvendosur theksi për hir të rimës). Bilbili (i dashuri i saj), ishte larguar nga lagjia tjetër e fshatit nga Buneci, pranë kishës së Shën Thanasit, vendi ku ishte shtëpia e tij. Prandaj thëllëza vajtonte me të madhe dhe kërkonte ndihmën e të dashurit të zëmrës së saj. Le të shohim më konkretisht vargjet e kesaj balade:
‘’Thëllëzën që zgjon dynjanë,
Dolla lart e mora fshanë,
Vajta të shohij sevdanë,
Te kull’e bardhë matanë,
Kishnë mbyllur në filxhanë,
Thëllëzën që zgjon dynjanë,
Birbili përtej Lavánë,
Ma bën a s’ma bën dermanë,
Ja merr koburen e vramë!...
Vajza kishte dalë nga shtëpia si zakonisht tek Ara e saj, me bagëtitë. Sipas gojëdhënave të pleqve e plakave të vjetra, të trashëguara brez pas brezi, deri në ditët e sotme, vajza ishte shumë e bukur, ishte një Perri, një Hyri, sipas besimeve dhe kuptimeve popullore shqiptare. Ishte një krijim i përsosur i natyrës njerëzore, një dhunti e bekuar e saj. Por ishte njëkohësisht edhe një Vitë (Vitore), personifikim i një gruaje shumë nikoqire dhe e bukur sipas mitologjisë popullore shqiptare.
Ajo shkoi në Arën e saj, pra, për të kullotur delet dhe për të punuar në pronën e saj, pasi mbushi ujë në Bregun e Pusit. Ara e saj ndodhej mbi korijen me valanidh të Gusharëve, në krye të fshatit Sasaj dhe në krah të shullërit më të madh, atij të Mestranit. Në Arën e Vashës kryqëzohen tri rrugë: ajo që të çon në malin e Konjakut: atë që të çon në malin e Lugjit dhe ajo që të çon në malin e Lavanit. Pikërisht këtu në këtë arë do të takohej vasha (thëllëza) me bilbilin (të dashurin e saj. Vasha ishte një thëllëzë e vogël e bardhë si thëllëzat e Mestranit e të Vardhanit, ndërsa djaloshi, si bilbilat e Buneceve e Shënmarinave. Të dy këta filiza të njomë, nuk u rezistuan dot ndjenave të forta të dashurisë së amëshuar e të sinqertë dhe ranë në gjokset e krahët e njeri-tjetrit. Për këtë fanatikët dhe inkuizitorët, e mbyllën vajzën në kullën dykatëshe, të lagjes tjetër të Sasajit, në Harcë. Muza popullore e jep vargun aq bukur: Një kullë e bardhë matanë.
Kishnë mbyllur në filxhanë…
Sado që ajo kullë ishte një burg i zi, vdekjeprurës, dashuria popullore e paraqet të bardhë dhe të pastër e të bukur, si filxhan. Sepse vetë vasha ishte bukuria vetë. Historikisht, pesha e nderit dhe e çnderimit ka rënë dhe vazhdon të bjerë mbi seksin femër, mbi vajzat dhe gratë dhe, për pasojë, dënimet dhe persekutimet kanë qënë shumë të rënda dhe me pasoja vdekjeprurëse. Kënga nuk na i jep këtë, por dy vargjet e fundit e pohojnë këtë, kur vajza i lutet djalit që «ja t’i bejë derman, ja të marrë koburen e ta vrasë», për të shpëtuar përgjithmonë nga poshtërimet, denigrimet dhe torturat e fanatikeve. Djali, tenton, por nuk arrin t’i vijnë në ndihmë vajzës. Ai kapet, çarmatoset, mbahet nën mbikqyrje, por në një moment arrin të arratiset. Deri këtu ka arritur gojëdhëna, brez pas brezi. Nuk dimë se ku shkoi, jetoi apo e vranë. Vajza vdiq nga dhimbja dhe dëshpërimi i thellë. Kështu i mbeti këtij vendi, kësaj are, emri i bukur dhe shumë i ngrohtë Ara e Vashës, Kriminelët, fanatikët u mbuluan me turp, për turpin që bënë ndaj dy të rinjve, ndersa të dy të rinjtë u mbuluan me nder për dashurinë e tyre të pastër ndaj njeri-tjetrit. Jo vetëm kaq por populli i ka personifikuar me dy shpendë shumë të bukur dhe këngëtarë, -bilbilin dhe thëllëzën!
Por realiteti e ruan më së miri origjinën e Arës. Është më domethënëse të jetë quajtur Ara e Vashës, se sa kjo arë të jetë quajtur me emrin femëror të vajzës. Emri «vashë» është më përkëdhelës, më dashamirës, më keqardhës, më intim dhe më krenar, që e bën edhe më të përjetshëm emrin e saj, pra duke e shndërruar atë në mit, në një figurë të dashur të mitologjisë shqiptare së bashku me zanat, orët, shtojzovallet, perritë, hyritë, të Bukurën e Dheut, vitoren etj. Legjendat janë shumë të lashta, po aq sa i lashtë është edhe populli ynë. Kjo legjendë tregon dhe vërteton më së miri se, fshati ynë i bukur, Sasaji, është shumë i vjetër dhe i banuar që herët. Kështu, qysh atë herë, në Mestran dhe në Vardhan ka vetëm thëllëza të bardha që ia thonë këngës, pasi edhe vasha këndonte bukur me një zë melodioz fëminor. Burimi i ujit në Bregun e Pusit, u pakësua e u shpernda nën tokë, duke u shndërruar në bulëza uji në gjithë shullërin e Mestranit. Bregu i Pusit ishte vendi ku vajza mbushi ujë për herë të fundit, ditën që u kap. Kështu Shullëri i Mestranit është plot me bar e me lule të freskëta gjatë gjithë vitit. Thelleza strehohej e shumohej dhe këndonte këngën pambarim për të dashurin e saj në Shpellat e Mokrës. Ara e Vashës, mbeti djerrë dhe u shndërrua në lëndinë me lule ku lodronin thëllëzat. Lagjia Harcë, si mallkim e dënim nga Zoti, u braktis. Edhe Buneci u braktis si rezultat i një epidemie të kolerës që ra aty nga viti 1730 e vazhdoi deri më 1745, vit kur u largua prej andej banori i fundit. Kështu mbeti vetëm Sasaji, atje ku fshati është edhe sot. Thëllezat zbresin nga Ara e Vashës, në Shullërin e bukur të Mestranit dhe në korrijen me lisa, në Gusharë, plot hije të këndshme e erë të freskët. Në rrëzë të malit të Lavanit, rreth burimeve e kopshteve plot pemë frutore, të Vardhanit, kendojnë bilbilat shumë zërësh, bashkë me thëllëzat, atë këngë që këndonte Vasha, çdo ditë në Arën e saj. Edhe sot, në rrënojat e Harcës, dëgjohen kukuvajkat, «ku-ku?», të cilat vajtojnë duke kërkuar se ku vajti Vasha. Ky shpend është një parandjenjë se në një të afërme jo të largët, do të ndodhë një e keqe, prandaj njerëzit dalin dhe e trëmbin këtë shpend nga shtëpitë e tyre. Ndërsa në ullishtet dhe rrënojat e Bunecit, një tjetër zog, këndon. Ky quhet Gjoni, ose Zogu i Çobanit. Edhe ky është pararendës, që ndjell ndonjë të keqe. Pra kaq i madh ka qënë helmi për humbjen e asaj Vashe, sa që u personifikua në disa dukuri të natyrës. Madje, më e fundit është se nga lotët e Vashës dhe dashamirësve të saj, u bashkuan me burimin e Bregut të Pusit dhe dolën në formë lumi, aty ku del edhe sot, pranë fabrikës së vajit dhe që quhet Lumi i Bunecit. Kjo ishte legjenda e Arës së Vashës, që kushedi sa herë e kemi përmendur në biseda të ndryshme, por tani u kujtuam ta shkruanim. Ne jemi krenarë se nëpërmjet kësaj legjende tregohet lashtësia e fshatit tonë dhe e banorëve të tij dhe se kjo legjendë, njëkohësisht, pasuron folkorin tonë aq të larmishëm dhe të lashtë. Për këtë ne, bijtë dhe bijat e Sasajit, të krahinës së Bregdetit të Poshtëm të rrethit të Sarandës, jemi krenarë për pasuritë dhe bukuritë e fshatit tonë, mes tyre edhe të kësaj legjende. Kjo legjendë, si këngë është botuar në librin «Këngë popullore të Labërisë», kurse si legjendë, për herë të parë nga ne vëllezerit Serjani, autorët e këtyre radhëve.
Comentarios