LEGJENDË E ROMANIZUAR ME SUKSES


Thanas L. Gjika


(Mbi romanin “Bendo Shapërdani në kohë orëliga” të K. Nanushit)


Qyteti piktoresk i Pogradecit me fshatrat përreth, i ka dhënë kulturës dhe letërsisë shqiptare një varg personalitetesh të shquara, si gjuhëtarin Prof. Gjergj Pekmezi, poetin e shquar Lasgush Poradeci, prozatorin klasik Mitrush Kuteli, shkrimtarët e talentuar Vasil Alarupi, Dhimitër Xhuvani, humoristin Niko Nikolla, dramaturgun Misto Marko, etj. Kësaj aradhe i shtohet denjësisht edhe Kristaq Nanushi, i cili me pasionin, talentin dhe përgatitjen e vet ka realizuar me sukses hartimin e disa veprave me vlera të veçanta. Pas shumë artikujsh e kritikash letrare në “Drita” e “Nëntori”, pas disa skenarë filmash dokumentarë e artistikë televizivë, ai botoi dy përmbledhje me legjenda e gojëdhëna iliro – shqiptare, “Legjendat e Liknidës” më 2002 dhe “Legjendat e Enkelanës” më 2013, që patën jehonë të gjerë. Nga viti 2007 është autori i librit didaktik “Pogradeci, vendlindja ime”, me të cilin nxënësit e shkollave të rrethit marrin njohuri për vendlindjen e tyre. Kurse më 2014 botoi bibliografinë e vëllimshme “Pogradeci në shtypin e viteve”, me të cilën nxori në dritë gjithçka të botuar në gazeta, revista, kalendarë, fletore zyrtare, buletine, etj. që nga Rilindja e deri në mbarim të Luftës së Dytë B