Lartësimi i Gjuhës Kombëtare - detyrë kombëtare
Gjuha Kombëtare, marrja në mbrojtje e saj, është një nga sfidat tona kryesore ndërsa bëjmë fjalë për jetën, dinjitetin dhe paqen e kombit. Përtej fjalëve të mëdha për historinë apo të tashmen, për lumturinë apo zhgënjimet, për zhvillimin apo prapambetjen, për bashkimin apo çoroditjen, përtej patriotizmit fals e krahinarizmit që i ka ikur koha, përtej çdolloj nostalgjie provincialiste, Gjuha Kombëtare është një detyrë që lyp përkushtim. (“Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij.” E. Çabej)
Pas vitit ‘90, një sërë etiketa e piketa mbase mund të përmbyseshin apo të ndërronin pjesërisht, kur me të drejtë, e kur jo. Por ca të tjera as që mund të cënohen; një ndër to, është Gjuha Kombëtare. Tash tri dekada, u bë e qartë se formimi, pasurimi dhe mbijetesa e saj, ka qenë një arritje e çmuar, është zgjidhja e madhe e shqiptarëve… ndërsa shumëçka e kanë ende të zhytur në pikëpyetje. (“U panë me sy kritik, u përmbysën dhe u reformuan shumë nga studimet, tekstet, teoritë, literatura e përdorur në këto lëmi dijesh, por nuk pamë të ndodhte ndonjë ndryshim i thellë në studimet e historisë së gjuhës shqipe, veçanërisht në thelbin e teorive bazë të kësaj fushe.” M. Kore)
Ndërkaq, askush nuk na ndalon të përdorim dialektet, në të folur e në të shkruar; (sado që vihet re se brezat e rinj - ashtu si vende të përparuara - përdorin dhe vlerësojnë Gjuhën Kombëtare aktuale, pa u trazuar fare nga delirantët e dialekteve e të folmeve). E përsëris, një nga sfidat më të mëdha të shqiptarëve sot - në kushtet kur kombi po has vështirësi në planin jetik, ekonomik, politik - është të flasim dhe të shkruajmë mirë Gjuhën Kombëtare. Mirëpo çuditërisht, për disa që sot e gjejnë veten të ‘nëpërkëmbur’ nga e shkuara - anipse jetuan, shkruan, botuan dhe u vlerësuan si jo më mirë - trazimi e kthimi i kokës pas te shkrepat e krahinës, është bërë qëllim në vetvete, pothuaj njëlloj fiksimi, hajde ta themi kështu se dukemi të veçantë dhe… ah, këta komunistët ç’na bënë! (Ata që i shajnë më shumë komunistët dhe rendin e shkuar, ishin më të përdorurit dhe mbeten sot më hipokritët.) Por fundja, problemi ynë nuk është çfarë ata kërkojnë e bëjnë, për vete e për njëri-tjetrin; le të shkruajnë në dialekt dhe urojmë t’i ndjekë lexuesi. (“Çdo shkrimtar, sikundër edhe çdo njeri, ka dritaren e vet nga e shikon botën. Sa më e madhe të jetë kjo dritare, shikimi është më i kthjellët, më dritëgjerë e më dritëgjatë.” Sh. Islamaj)
Mbrojtja dhe pasurimi i Gjuhës Kombëtare përmes vlerësimit edhe të dialekteve e të folmeve në leksik, veçori gramatikore dhe lehtësim strukturash, duhet të jetë një normë qytetare. (“Elemente të gegërishtes do të vazhdojnë të përfshihen pareshtur në fjalorët e gjuhës, jo vetëm në ata të gjuhës standarde, po edhe në fjalorët e gjuhës shqipe në përgjithësi që do të hartohen e që po na mungojnë sot.” Sh. Islamaj) Gjuha Kombëtare ka qenë dhe mbetet e hapur për krejt pasurinë gjuhësore të vendit, për të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova në Çamëri. Por të jemi realistë, dialektet nuk janë asnjëri në lartësinë e Gjuhës Kombëtare, s’mund të jenë mbi të; kanë vlera të limituara, në të folur e në të shkruar; me fjalë të tjera, s’duhet të ‘ngëthehemi’ pas. Dialekti dialekt është, e folmja e folme është; aq e kanë ‘takatin’, sido qofshin. Një miku im më ka rrëfyer dikur këtë gazmore në të folmen e Devollit, le të themi më mirë të krahinës së Korçës: “Po ngëthehej Zaçeja ngaj ushtria edhe ne burimi qëndroj të pinte një çikë ujë. E pvet njëra na gratë që ishnë aty: “Ardhe, o Zaçe?” Dhe ky i jep xhevap: “Arçë, moj Pembe, arçë. Shpëtova pe ksaj ushtrie, ce dgjon apo jo!” Më thoni, kjo e folme e Jugut mos është gjë… Gjuha Kombëtare? Epo ‘nj’ashtu’ edhe dialekti tjetër; dy e kuptojnë, tre ngrenë supet. Këto pretendime (të çdolloj dialekti a të folmeje) ne duhet t’i shohim me qetësi dhe me kokë të ftohtë e t’i lëmë pas.
Kur ishim studentë në njërin nga Fakultetet më të njohura të Universitetit të Tiranës (Histori-Filologji) dhe kur na jepnin mësim emra të ndritur si Androkli Kostallari, Shaban Demiraj, Jorgji Doksani, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Nasho Jorgaqi, Muzafer Xhaxhiu, Remzi Përnaska, Nexhip Gami, Xhevat Lloshi, Fatmir Agalliu, Gjovalin Shkurtaj, etj., na u tha që Gjuha Kombëtare është mbështetur kryesisht mbi të folurën e një zone ndër më të njohurat për urtësi e qytetari - nga kufijtë e Skraparit, në Leskovik e tej Përmetit - një e folur e pastër, e kthjellët, ku nuk ndihen as labçja, as devolliçja, as elbasançja, as tironçja, as kosovarçja. (“Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte”. F. Konica)
Ajo që kemi arritur, është një realitet me të cilin duhet të pajtohemi; se çfarë mund të ndodhë më vonë, me gjuhën dhe me kombin, ne nuk e dimë. Por mendoj se duhet të vlerësojmë këtë që kemi sot; sepse na duhet, sepse është një mbështetje për t’u realizuar në kushtet e një tabloje botërore mjaft problematike. Pavarësisht dëshirave të disave për të mbjellë përçarje, dasi e krahinarizëm me përqindje të sajuara - kaq nga Veriu e kaq nga Jugu, kaq myslimanë e kaq të krishterë, etj. - shqiptarët duan mbijetesën e kombit, përpiqen të flasin e të shkruajnë në Gjuhën Kombëtare e jo në dialekte: Pjesa dërmuese e Diasporës flet dhe shkruan në Gjuhën Kombëtare e jo në dialekte. Pjesa më e madhe e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, flasin dhe shkruajnë në Gjuhën Kombëtare e jo në dialekte. Gjuhën Kombëtare e flasin dhe e shkruajnë - në institucione e privatisht - në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi e deri në Preshevë, në radiot dhe TV-të e huaja në shqip. (“Veçoritë e ndryshme të gjuhës letrare gjejnë shprehjen e tyre të plotë në veprën letrare, ndër shkrimtarët e mirë, sepse ata mund të përdorin fjalët, togfjalëshat dhe njësitë e tjera që shfaqin të gjitha ngjyrimet stilistike e figurative që mund të marrin duke ruajtur njëkohësisht frymëmarrjen dhe shpirtin e gjuhës.” E. Sejdiu) Pikërisht e, për fat të mirë, Gjuhën Kombëtare e kanë folur dhe e flasin shkrimtarë, publicistë, politikanë e intelektualë të njohur nga të gjitha trevat, asish që nuk jetojnë më apo që janë ende aktivë: Ibrahim Rugova, Arbër Ahmeti, Esad Mekuli, Azem Shkreli, Petro Marko, Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Luan Starova, Rexhep Qose, Ali Ahmeti; të tjerë shkrimtarë, përkthyes, gjuhëtarë e opinionistë më në kohë, si Fatmir Terziu, Valter Memisha, Aristotel Spiro, Eroll Sejdiu, Kim Mehmeti, Veton Suroi, Enver Robelli, Flamur Shabani, Frank Shkreli, Elvi Sidheri, etj., gjithashtu shkojnë te lexuesi me një gjuhë shqipe të kulluar.
Më në fund, ja edhe një ‘mendje’ nga Martin Camaj, marrë nëpër gojë për ‘probleme’ që, kush më shumë e kush më pak, i patën emigrantët shqiptarë të të gjitha kohëve, veç ani, një shkrimtar me merita të padiskutueshme: “Të dy këta shkrimtarë (Noli dhe Konica - V.S.) qysh nga fillimi i veprimtarisë së tyne, patën nji problem të përbashkët për të zgjidhë: me ç’gjuhë të shkrueme shqipe do t’i silleshin botës shqiptare për të mundë të sqarojnë mendimet e tyne? Të dy ishin koshientë se veproshin në një kohë kur ende nuk kishte një drejtshkrim të qendrueshëm të gjuhës shqipe, kur gega dhe toska, secili tue folë dialektin e vet, gjeshin vështirësi jo të vogël të kuptoheshin në punën e përbashkët, në rrugë dhe në kafe.”
Një zgjedhje e duhur, do të ishte braktisja edhe më tej e snobëve dhe anonimëve, të cilët, për të fituar disi publikun që s’e kanë, bëjnë si të interesuar e të ‘përvëluar’ për aksh dialekt a të folme. Siç e thashë më lart, ata kanë shkruar e botuar dhe janë llastuar sa më s’bëhet pikërisht në Gjuhën Kombëtare; të heqin dorë nga mashtrimet. (“Standardin duhet ta mësojnë të gjithë ata që duan të hyjnë në jetën kulturore e shkencore.” I. Bajçinca) Nuk kemi kohë e shans të tolerojmë ende dilema dhe lojëra provincialiste. Të gjithë e dimë se vendi ka një sërë halle; çështjet gjuhësore e kulturore nuk janë shqetësimi më i parë për shtetin, për institucionet dhe për vetë qytetarët. Por në të njëjtën kohë, jemi ne që bërtasim me të madhe për patriotizëm e përparim, nuk lëmë temë e komb pa trazuar, për hir të njëlloj ‘nacionalizmi’, çka nënkupton, duhej të nënkuptonte edhe… respektimin e institucionit shekullor të Gjuhës Kombëtare. Përndryshe, i bie që britmat nacionaliste janë thjesht njëlloj vaniteti. (“Patriotizmi është streha e fundit e të pabesëve.” S. Xhonson)
Le të kujdesemi për të shkruar e folur mirë Gjuhën Kombëtare Shqipe. Le të përpiqemi ta pasurojmë atë pareshtur. Ajo lyp respekt e jo lëvdata boshe dhe fiksime ideologjike apo krahinariste. (“Të gjithë së bashku, pa dallime shtetërore, tërësisht të detyrueshëm si bashkëkombës, të punojmë pandashëm për të ngritur prestigjin kombëtar e ndërkombëtar të shqipes amë, ta vitalizojmë e ta latojmë atë, ta pastrojmë e ta pasurojmë, ta funksionalizojmë më tej e t’ia shpalosim aftësitë shënuese e krijuese, ta bëjmë të qëndrojë e dinjitetshme krah simotrave të veta me shkallë të lartë përpunimi e standardizimi.” V. Memisha) Në kushtet kur ky komb po përjeton një tranzicion të stërzgjatur, me shumë tradhti e pabesi nga politikanët e vet, me shumë dyshime e indiferencë nga Perëndimi, Gjuha Kombëtare do ta mbajë të bashkuar, do ta ribëjë, do ta shpëtojë.
Gjuha standarte e unifikuar per tu shkruar, ne te gjitha rastet e krijimtarise dhe asaj zyrtare dhe e folur ne mediat, eshte nje arritje e madhe me moton "Nje komb nje gjuhe".Tashme eshte arritur ky objektiv dhe vazhdohet me perpjekje te pervetesohet edhe nga ata dhe ne ato raste ku te folmet krahinore ende gjallojne ne shkrime.sa per leksikun dhe fjalesin, çdo krijues ka lirine te perdore ato qe i duken me shprehese, me te bukura e tingelluese.
Me kane treguar, se ne nje diskutim ne tryeze ne Shkoder, kur njeri nga krijuesit tha se do te perdorte si gjuhe letrare ne te shkruar dialektin gege, me sakt te foluren shkodrane, njeri nga te pranishmit i tha: shkruaj po …