top of page

Lamtumirë Ideal Serjani!

Updated: Sep 23, 2023


Lamtumirë, i shtrenjtë dhe i paharruar Koleg dhe mik ! NEKROLOGJI: Lexuar nga Thoma Nika

Të nderuar të pranishëm! Të respektuar pjesëtarë dhe miq të familjes së Idealit! Në këtë ditë të ndarjes nga jeta të bashkëshortit të denjë, babait të dashur dhe gjyshit të dhimsur, njeriut punëtor i palodhur në fushën e mësuesisë dhe gazetarisë e informacionit, pranoni edhe ngushëllimet e kolegëve të Unionit të Gazetarëve në Sarandë Ne si shoqëri, ndahemi nga njeriu i dashur e i respektuar. Prandaj bashkohemi me ju në këtë dhimbje që vjen nga ikja e papritur e Idealit nga jeta. Ky lajm ka trishtuar edhe mjaft gazetarë në kryeqytet e në mbarë vendin, botues e drejtues të gazetave me të cilat Ideal Serjani bashkëpunoi dhe kontribuoi me penën e tij për zgjidhjen e problematikave shqetësuese në të gjithë hapësirën e jugut shqiptar. Nuk është e rastit që janë këtu sot për të përcjellë mësuesin dhe gazetarin Ideal Serjani bashkëfshatarë nga Sasaji e i gjithë Bregu, nga krahina e Rrëzomës, nga Saranda e Delvina, nga zonat ku ai shërbeu simësimdhënës pasionant, apo ku u dha zë halleve e shqetësimeve të komuniteteve. Nuk m und të mungonin nga kjo përcjellje nderuese e Idealit, ata, me të cilët Ideali ndau vitet e punës e të jetës dhe përpjekjen për një shoqëri më të mirë e më të përparuar.


Faqja zyrtare e Unionit të gazetarëve në Sarandë qysh mbrëmë ka shpërndarë, shoqëruar me dhimbje të thellë e konsiderata të larta, lajmin e ndarjes nga jeta, nga familja dhe nga dhjetëra kolegë të penës, të kolegut të respektuar Ideal Serjani, Ideali lindi më 4 korrik 1948 më Sasaj të ish rrethit të Sarandës. Gëzimi i festës së 75vjetorit pak muaj më parë, do të ishte i fundit për Idealin. Pasi zemra e tradhtoi dhe i pushoi përgjithmonë këtë 17 shtator. Përmbajtja e këtyre 75 viteve jetë të Idealit, është plot me përpjekje për t’u bërë dikush në jetë. Prandaj nuk iu nda librit dhe dijes, deri sa preku ëndrrën për t’u bërë mësues Mësues Ideali do të ishte mësuesi dhe shoku i mijëra nxënësve në fshatrat e Rrëzomës, e deri në zonën e minoritetit në Finiq, ku dha gjuhë dhe letërsi shqipe. Ndërkohë, Ideali portretizoi veten si njeri me kontribute komunitare, jashtë dyerve të shkollës dhe jashtë orës së mësimit, duke u bërë mësues i të gjithëve dhe nxënës i të gjithëve. Këtë e bëri edhe si korrespondent i disa gazetave, duke nisur me gazetën “Fitorja” të Sarandës e deri te bashkëpunimi i gjatë me gazetën 55, ndërkohë që ai është autor studimesh mbi figura të veçanta patriotike e atdhedashëse që Sasaji i ka dhënë Shqipërisë, autor i librave me publicistikë apo i cikleve të tëra të poezive të pëlqyera. Këto sjellim në vëmendje në këto çaste të ndarjes fizikisht nga Ideal Serjani. E këtu është edhe e gjithë arësyeja se përse, të gjithë sa mësuan për vdekjen e Ideal Serjanit, kanë ndjerë ligështim e hidhërim. Sa e sa kujtime dhe episode nga jeta e Idealit, janë kujtuar në orët e trishtueshme që na dha ndarja prej tij, dje dhe sot. E do të kujtohen edhe më shumë, tani që ai na mungon të gjithëve, përgjithmonë. Bashkëshortja Liri, fëmijët, vajza e dy djemtë, vëllezërit Mentor ,Jakov e Ajet dhe dy motrat, nipa e mbesa të Idealit, kanë të gjitha arësyet për ta mposhtur dhimbjen, me trashëgiminë dhe emrin e mirë që Ideali la për ata dhe për këdo që njohu nga afër vlerat njerëzore. Të rroni ju të gjithë, të keni jetë e shëndet dhe të jetoni me kujtimin e njeriut të mirë, Ideal Serjani! Lamtumirë, i shtrenjtë dhe i paharruar Koleg dhe mik ! Se Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të tij. I qoftë i lehtë dheu dhe qoftë e blertë kjo lëndinë ku do prehet! Sarandë, më 18 shtator 2023

299 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page