Tiranë, më 28 Shkurt 2022
LAMTUMIRË, HYSO XHAFERI!
NGA PANO HALLKO
I dashur dhe i nderuar Burri Fisnik Balil Xhaferi! Të nderuar dhe të dashur bashkëshorte Merita dhe djem të Hyso Xhaferit! Fort të dashur vëllai i tij Bako dhe motrat e tij, Dafina e Festime, Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni të përmortshme!
Prej 30 orësh, në të gjitha rrjetet sociale të vendit tonë, në postimet e mijëra njerëzve në botën e Artit dhe të kulturës, mbizotëron një pyetje:-PSE?!? Kjo pyetje, e thjeshtë në dukje por torturuese për shpirtrat njerëzorë, do vazhdojë të na torturojë për një kohë të gjatë, shumë të gjatë. Sepse sot përcjellim një burrë, i cili do duhej të përcillte shumë prej nesh që jemi këtu sot. Përcjellim Artistin e lindur dhe të kultivuar, një burrë me personalitet të veçantë, Hyso Balil Xhaferin. Hysua u lind në Kallarat të Vlorës më 20 tetor 1966, në familjen emërmirë të Xhaferajve, Biri i prindërve fisnikë, Balil dhe Fari Xhaferaj. Balil Xhaferi ishte dhe mbeti modeli i burrit lab, por edhe i njeriut mendjehapur në dritësimin e jetës së fëmijëve të tij. Xhaferajt kanë derdhur gjak në luftën për çlirim të vendit, por kanë pasur kontribute edhe në ndërtimin e shoqërisë sonë. Te ky Hyso që përcjellim sot, ishin ngjizur tiparet trimërore të Hyso Xhaferit të parë, i cili e dha jetën me armë në dorë, kundër ushtrisë greke kur pushtoi juglindjen e Shqipërisë, të ndërthurura ato tipare, me shpirtin e artistit të rrallë. Ishte krenar që mbante emrin e tij, krenar për faktin që ishte nga Kallarati, e krenar për faktin që ishte lab, nga Lumi i Vlorës. Ashtu siç krenohej me birin e saj, Shoqata Atdhetare-Kulturore “Kallarati” Ai ishte një patriot i zjarrtë kur vinte puna për çështjen kombëtare, dhe i pa përmbajtshëm, kur prekeshin vlera të qenësishme të identitetit tonë kombëtar. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, ai shërbeu për disa vite në Policinë e shtetit, me përkushtim dhe me përgjegjshmëri. Në fakt, Tiranës me mundësitë e mëdha dhe me xhelozitë e saj të stërmëdha, i kishte ardhur një margaritar i fushës së artit, një artist i lindur dhe një interpret i pazakontë, e jo thjesht një nëpunës shteti. Duke parë vlerat e tij vokale dhe cilësitë njerëzore, Ansambli i shtetit e mori në gjirin e tij. E nuk ishte fare e nevojshme të punonte dikush me Hyson si “fillestar” në atë Ansambël. Përkundrazi, ishte Hysua ai që i erdhi jo vetëm një artist i arrirë, por edhe kontributor në përmirësimin e repertorit, e kryesisht të cilësisë së interpretimit. Ai hyri vrullshëm në zemrat e artistëve të vërtetë të atij Ansambli. Ai iu imponua kolegëve, sa me vlerat e tij artistike, aq edhe me vlerat njerëzore. Dhe u bë mik shpirtëror me shumë prej tyre. Për Hyso Xhaferin, nuk kishte rëndësi vendorigjina e miqve, mjafton që të ishin shqiptarë si ai, por edhe artistë si ai, në shpirt. Ndoshta më i afërmi mik i tij, mbeti artisti i spikatur Lekë Pecnikaj, biri i Nikaj-Mërturit, nga Lekbibiaj. Leka, i cili nuk e ka pirë më kafen e zakonshme, qysh ditën kur Hysua u sëmur, e që i qëndroi te koka në spital, përkrah familjarëve të tij. Me Dekretin e Presidentit të Republikës me numër 9698, datë 12.07.2016 Hyso Xhaferi u dekorua me Urdhrin “Naim Frashëri”, me motivacionin “Përçues i spikatur i trashëgimisë kulturore kombëtare dhe lëvrues virtuoz i këngës shumëzërëshe, në skenat brenda dhe jashtë vendit”. Hyso Xhaferi gjatë shumë viteve që interpretoi në skenë, u bë një personalitet i spikatur i Kulturës kombëtare, brenda dhe jashtë vendit, në shumë skena të botës. Nderi i Kombit Lefter Çipa shkruante për të: “Hyso Xhaferi është nga ata bilbila që thyen qelqet e qiellit me tingujt e tij, është një unazë trimi, me gur xhevahiri. Shteti jo më kot e ka radhitur Hyson, në radhët e zërave të bukur të Kombit. Në këtë trashëgimi të kombit shqiptar, Hyso Xhaferi është një gur diamanti, brenda piedestalit të Kombit”. Vlerësime të larta për talentin e rrallë të Hyso Xhaferit, ka dhënë Profesor Zhani Ciko. Por Hysua rrëmbeu zemrën e Mjeshtrit të Madh Rexhep Çeliku, interpretoi me Mjeshtrin e Madh Hysni Zela, e doemos, me Mjeshtren e Madhe Irini Qirjako, në Ansamblin e Shtetit. Të tilla vlerësime kanë dhënë për të, Mjeshtri i Madh, Profesor Muhamet Tartari, Mjeshtri i Madh Feti Brahimi dhe shumë, e shumë të tjerë. Hyson e vlerësuan lart në veprat që realizuan me të dhe me Nazif Çelën, edhe kompozitorët më të mirë të kohës sonë, Shpëtim Saraçi, Alban Hoxhaj e shumë të tjerë, Pjesën më të madhe të veprës së tij artistike, Hyso Xhaferi e ka realizuar me Bilbilin e pashok, Mjeshtrin e Madh Nazif Çela. Hysua e ndërtoi familjen e tij me Merita Lavdosh Seraj, bijën dinjitoze nga Brataj i Vlorës. Ata lindën dhe rritën dy djem dhe i arsimuan me mundësitë më të mira në Tiranë. Kjo familje, bashkë me vëllain e tij Bakon, ishin ata që i qëndruan në krah, në çastet e vështira të jetës së tij. Me përkushtim proverbial, të pa kufi. Krah tij e në shumë plane, ishin doemos burrat fisnikë Nexhip Onjea, Trifon Golemi dhe Irfan Bilbili. Por edhe shumë e shumë të tjerë... Nuk dihet se kush, cilët, i goditën gjakun artistit Hyso Xhaferi. Gjaku mund të goditet, por ai kurrë nuk vritet dot. Sepse gjaku i tij, do vazhdojë të rrjedhë në familjen e tij, në veprën e tij artistike, si te pak të tjerë. Do të vazhdojë për shumë vite, të endet në qiell pyetja torturuese PSE?!? Edhe në brezat që do vijnë, të cilët kur të dëgjojnë interpretimet brilante të Hyso Xhaferit, edhe ata, kur të mësojnë se është ndarë nga jeta në moshën 55 vjeçare, do të pyesin: PSE?!?- ashtu siç pyesin të gjallët e sotëm. Do thonë brezat që vijnë ”Po PSE, duhej të ikte kaq i ri, ky zë i rrallë, në një moshë kur mund të jepte edhe më shumë? Dhe pyetja këlthitëse PSE?!?, do të vazhdojë të thyejë qelqet e qiellit, bashkë me zërin e rrallë të Hyso Xhaferit. Shumë gjëra mund të vriten, të ekzekutohen, madje edhe të zhduken nga faqja e dheut, por Vepra që le njeriu në jetën e tij, nuk mund të vritet dot. Hyso Xhaferi ikën i ri jeta, por ai largohet plot 100 vjeç, nga vlerat artistike që la pas. Vërtet, sa njerëz 100 vjeçarë, kanë mundur të lenë një vepër të tillë, të këtyre përmasave, e gjurmë të tilla të pashlyeshme? Ndahet nga ne sot, një burrë bujar dhe qibar, një lumë i rrëmbyer me shpirt tw pastwr fëmije, i cili askujt nuk i bëri keq. Përkundrazi, ishte përkrah kujtdo që kishte një hall, apo edhe një problem. Djemtë e tij, duhet të jenë krenarë për babain e tyre. Ashtu siç ndjehemi të gjithë krenarë ne, që jeta na njohu nga afër e së largu, me Njeriun dhe Artistin Hyso Xhaferi. Sot vjen njëherë e përgjithnjë këtu në dheun e Tiranës, një shkëmb i madh nga Vargmali i Vetëtimës. Me të gjitha vlerat me të cilat e pajosi Natyra, por edhe veprën e tij të pashlyeshme. NË EMËR TË GJITHË KËTYRE VLERAVE, E NË SHENJË RESPEKTI TË PAFUND, JU FTOJ TË MBAJMË NJË MINUTË HESHTJE! I PAVDEKSHËM EMRI I TIJ, QË DO RROJË SA TË RROJË VEPRA E TIJ!
Comments