LAKJA U NGJALL SË VDEKURISH



Resmi Osmani

Lake Llullaja vdiq!

Vdekje e zezë, si more të tillë burrë?! Në qytetin e vogël lajmi ra si rrufeja në të kthiellët, se të tilla lajme i merr era dhe i shpie shtëpi më shtëpi. Po si ngjau kaqë papritur, tek je tek jam? Atë mëngjes atë e kishin parë tek “Macja e bardhë” bashkë me Zija Seferin, kur kishte rrufitur kafen e rrëkëllyer një gotë. Sido që për të kishin dalë ca llafe, qe fol e qesh dhe bënte hoka me Zoicën.

Epo s’ke ç’i bën, e tillë është ajo virane vdekje.Mysafirë jemi në këtë jallane. Dimë kur kemi lindur, po asnjëherë kur do të ikim. I shkreti Lake që aq e pat!

Nuk mënuan thashethemet, hamëndjet dhe përgojimet, çdo gojë i shtonte një fjalë asaj që i kishte dëgjuar veshi nga një gojë tjetër. Ra mbi lajmin një mjegullnajë e tymtë, ku ca dritëza të zbehta të ndezura nga fantazia, mtonin se i afroheshin së vërtetës për atë vdekje ditën më drekë, që në fillim u duk si mister,e pabesueshme dhe e pavërtetë. Thanë (me zë të ulët e që të mos bëhej fjalë), se në të kishte dorë Zija Seferi, vëllai i avokat Zaçe Seferit. Atë mëngjes, te “Macja e bardhë” i kishte hedhur në kafe bar miu, se donte ti zinte vendin në Ndërmarrjen e Pastrim Gjelbërimit. Ca të tjerë, bënin me faj ata të opozitës. Ata e shihnin të ndjerin si rrezik për shitblerjen e votave, i kishin gjetur anën dhe e kishin qëruar! E çfarë nuk ndodh kur fut hundët politika!

Fund hamendjeve u dha gazetarja Olta Fusha, e televizionit lokal “Alfa& Omega”, që kishte qënë aty e pranishme, kishte filmuar e regjistruar. U dha lajmi special jashtë radhe , për këtë ngjarje të pazakontë që ra si tërmet dhe tronditi nga themelitë ngrehinën e tërë qytetit. Mbi bazën e atij lajmi të asaj medie prestigjioze, të kumtuar nga gazetarja e talentuar e sqimatare, po ja rrëfejmë dhe ne lexuesit.

* * *

Pas një hetimi të imtësishëm për ankesën e depozituar nga firma “Sopoti sh.p.k.”, në dëm të saj, për shkelje në tenderin e hapur ”Blerje kazanash dhe koshash metalikë për hedhurinat”, që e fitoi firma ”Domozdova sh.p.k.” megjithëse kishte ofruar çmim më të lartë, ekspertët e grupit të kontrollit, zbuluan shkelje evidente të rregullave të prokurimeve. Ç’ishte më komprometuesja, financieri i firmës “Sopoti sh.p.k.” deklaroi se dhjetë përqind të vlerës, ia kishte dhënë para kesh në dorë drejtor Lakes!

Në mbledhje, përveç bordit të prokurimeve, qe i pranishën edhe Zoti Banush Beqollari, kryetar i bashkisë. I kishte rënë një hije e rëndë dhe s’foli me askëd. Pas dëgjimit të raportit që, relatori e lexonte me zë të lartë e rrokje të theksuara, si të donte që fjalët t’i ngulte si gozhdë në mëndjen e gjithkujt, që e fajësonin z. drejtor për korrupsion, përvetësim fondesh dhe shpërdorim detyre, ju dha fjala Lakes që të jepte spjegime. I tronditur dhe i pamësuar me të tilla akuza,në të cilat ai u gjend i zhytur si në një gjeratore të ujrave në vërshim, ai argumentoi se firma fituese vërtet kishte paraqitur çmim më të lartë, por malli i saj ishte i klasit të parë, i qëndryueshëm dhe zjarrdurues. Sa për atë shumën e parave kesh, ishte një shpifje e pastër, politike, keqdashëse, për diskreditimin e kuadrove të partisë së tij! Por këto spjegime s’pinë ujë. U tha se kazanët dhe koshat ishin gjithandej në të njëjtin standard, sa për mitmarrjen (demek ryshfetin), u lexua deklarata e firmosur nga financier i “Sopoti sh.p.k.” Lakes i humbëm llafet, por sidoqoftë kërkoj që deklarata të ekspertohej për vërtetësinë nga organet kompetente. E theu djersa, shikimi iu mjegullua, ndjeu që zemra po i rrihte fort sit ë donte ti shqyente kraharorin, iu duk se iu ngjit në grykë dhe një shtrëngesë në gjoks i vështirësoi frymëmarrjen. Që të mblidhte veten piu një gotë ujë. Të pranishmit diskutuan me radhë, thanë që iu ishin bindur porosive të drejtorit.Ata e kishin ombrellën e pafajsisë. Por e papritura qe fjala e romes Fatime, brigadier e fshesareve:

- Zoti Lake, pas pamjes prej babloku dhe hokatari, ka dhe ca huqe të tjera. – U mendua të tereziste fjalët që mos t’I thoshte brompt, por t’i linte të nënkuptoheshin, – dhe vijoi,-disa herë më ka thirrur në zyrë,vetëm, më thoshte që isha ashtu deh, e pashme, me demek bukuroshe dhe ma ka sjellë fjalën rrotull e rrotull, për ca gjëra që s’mi nxë goja t’i them dhe që zotria juaj që jeni burra i kuptoni. Po unë i rrëfeva vendin, se paçka rome, jam grua e ndershme, me cipë dhe namuz dhe nuk e shes veten për një shtesë rroge! Ja kështu- tha Fatimja tërë mllef dhe i hodhi Lakes një vështrim asgjësues.

Kjo i ra si bombë.Një shuplakë fytyrës nga një pëllëmbë romeje për një gjë që s’i kishte shkuar as ndër mend as në fiqir! Pa shih ç’na ishte! Ai kishte bërë ndonjë shaka pa të keq me të, por ajo e kishte marrë ndryshe.

- Shpifje, shpifje! Edhe ti moj Fatime? Kush dhe sa të kanë paguar të hedhësh baltë e të më mbulosh me turp! Po unë sa ti kam fëmijët e mi moj!

- E,e,ashtu, po maçokut plak i pëlqejnë minjtë e njomë, themi ne romët-u përgjigj fatimja flakë për flakë.

Të pranishmit u kukurisën mbyturazi.

Kur u pyet nëse kishte gjë për të shtuar, ai tha:

-Të gjitha shpifje e të kurdisura. Prisni, s’keni parë gjë akoma!

Për të mbyllur mbledhjen foli kryetar Banushi.-

- Ndjej keqardhje së pari për vete. Jam i çgënjyer , që i kam besuar aq shumë dhe i kam qëndruar pranë Lakes për hallet e ndermarrjes. Ka qenë për të mirën e qytetit dhe qytetarëve tanë. Por si i propozuar dhe vendosur në këtë pozicion nga shumica e këshillit bashkiak të parties sonë, me këto veprime aspak të denja për një drejtues, po qe se vërtetohen, i sjell dëm politik partisë dhe i jep armë në dorë opozitës që na ka halë në sy dhe kërkon dorëheqjen time. Merret vesh, zonja dhe zotrinj, si në çdo pyll, edhe në partinë tonë ka ndonjë dru të shtrembër. Por ne nuk do të lejojmë që ky dru i shtrembër të prishë tërë stivën! Z. Iliaz që nga ky çast është i shkarkuar nga detyra e drejtorit dhe forumet e partisë. Uroj që ti dalë zot vetes dhe të vertetojë pafajsinë para drejtësisë!

Lakja u ndje keq.Shikimi iu mjegullua,thika të mprehta i çanë parzmin, frymëmarrja ju mpak dhe dihaste me gulç, krahu i majtë iu mpi dhe dhimbja në shpatull u bë e padurueshme, i ra zali dhe u këput e u gremis në tryezë. Ju gjëndën pranë menjëherë, e ngritën,i fërkuan tëmthat, i ndrysën damarët e qafës dhe të supave, po ai nuk u përmend. Ishte zbehur dhe nga ana e majtë, në cep të buzës i rrodhi një tizgë shkume e përjargur. Në zyrë u bë rrëmujë. Lajmëruan të vinte një ambulancë dhe një mjek. I bënë një telefon edhe së shoqes Sheqeres.