LAKJA TE MACJA E BARDHË


Tregim

Nga cikli”Aventurat e lake Llullasë”

Resmi osmani


Lakja, i kishte shkelur thembrat e zhargave që kishte në këmbë dhe i hiqte branë, duke lënë prapa pufka pluhuri. Sapo kishte dalë nga farmacia e Ismailit. Pasi bleu ilaçet e zemrës për të shoqen,Sheqeren,në xhep s’i mbeti asnjë qindarkë. Dielli i binte në çaçkë të kresë dhe ai ikte kuturu,si në tym, në këmbsoren e rrugës, që i binte mespermes qytetit. Në atë orë të paraditës, lëvizjet ishin të pakta. Lakes i ishte tharë fyti dhe ja donte xhani një pikëz raki të mirë, nga ajo e rrushit, që t’i ngrohte lukthin. “Jetë qeni, mendoi ai, katandiset burri pa një lek në xhep.” Po ecte drejt qendrës. Në kryqëzim, te cepi, nën hije të blirit, Cufe Zavalli kishte hapur tryezën. Mbi një sini të madhe alumini, ishin vendosur kaushët me fara luledielli, fara kungulli të pjekura me kripë, kikirikë, çimçakizë dhe ca paketa me brusketa”Mareti” e kruasant“Belino”. Lakja se la t’i ikte rasti dhe iu afrua Cufes.

-Mirmëngjes, miku im.

-Mirë se erdhe,Lake vëllai.