LAKJA DEL NË TREG


Resmi Osmani

Tregim

Nga cikli “Koha e çudirave”


Lake Llullaja, i papunë dhe i ngeshëm, po i binte lartë e poshtë këmbësores mbanë rrugës. Duhma e rakisë dhe tymi i qofteve që piqeshin i pështjelluan stomakun. Fyti i ishte tharë si shkarpë për një pikë raki dhe duart i dridheshin, por s’kishte me se. Me paratë e fundit të pensionit kishte blerë ilaçet e tensionit për të shoqen. I tha mendja të hynte në lokal dhe t’ia zinte ndonjë të njohuri, që nga zori do t’i jepte një teke,por nuk e bëri. Nuk donte të thonin se Lakja ishte lapangjoz dhe i binte qylit.Qyteti ishte i vogël dhe gjërat merreshin vesh shpejt. Ishte kohë krize. Kështu thonin dhe kështu duhet të ishte, se kokrrën e lekut duhet ta shihje me dylbi. Lakja psherëtiu. Ju kujtua koha e artë kur me atë të huajin,Mark Daullen, siç e quante ai për lehtësi, u binin lokaleve pash më pash, zdërhalleshin sa bëheshin rrumbull dhe sikush këndonte për qejf të tij. Edhe atëhere rrumpallë e rrokopujë ishte, por rakia derdhej lumë. Tashti s’të jepte kush as ethet e gushtit.

Lakja pa së largu që po vinte Cufe Zavalli. Ecte ngadalë e me trupin drejtë, si të shkuar në hell. Në qafë kishte varur një tabelë kartoni, që i mbulonte gjithë gjoksin. Mbajti këmbët dhe priti sa të soste aty Cufja. Shkronjat e tabelës ishin goxha të mëdha dhe të shkruara me bojë blu. Lakja fshiu sytë që të shihte mirë. “Blej Vota “ shkruhej te tabela.

-Cufe,paske gjetur punë more zuzar dhe s’më ke thënë gjë!

-Për pak kohë,-tha Cufja,- sa të kalojnë zgjedhjet.

-Për cilin i blen votat more sarraf?

-Për vete. I blej lirë dhe i shes shtrenjt dhe nxjerr fitimin tim.

-Luaj more vendit! E ku i gjete ti lekët!

-S’ka nevojë. Blej veresije dhe ua jap lekët kur i shes.

-Pa shiko ç’na qenka! Kush ta shtiu në mendje këtë tregëti?

-E pashë në televizor. Në Tiranë po bëhet nami!

-Po mua, sytë më kanë plasur që nuk e kam parë?

-S’të pjell mendja ty Lake, po se vadite me atë të uruar raki.

-Po kështu sheshit fare?

-Po,në dritë të diellit.

-O dreq! Demek je bërë me para. E po rroftë sebepi! Hajde ta lagim!

-Vetëm një teke dhe thatë, se s’kam vakt për të humbur.

U ulën në lokalin e parë që hasën,në tryezat e vendosura jashtë në këmbsoren e rrugës. Përballë kishin ekranin e madh të televizorit. Harbonte e tërbohej fushata elektorale. Krerët e partive, zëngjirur, me fjalë, duar e këmbë, u kërkonin me patjetër votat gjithë shqiptarëve. Premtime, premtime, premtime! Tollovi e madhe, valëvitje flamurësh, parullash, mizëri njerëzore, sheshet të tejmbushur, të thirrura, vërshëllima, brohoritje, duartrokitje. Ca më pas, në lajme, u duk një gjatovinë,si cironkë e tharë në tym, që fliste nga Brukseli: një zëdhënëse e zëdhënësit të aksh komisioneri të BE, po thoshte se nga Shqipëria priteshin zgjedhje “Të lira,të ndershme e të drejta”.

-Kjo i vuri kapakun, - tha Cufja dhe porositi rakitë. Tabelën e hoqi që të ndihej rehat. Gota e parë pruri të dytën dhe e dyta të tretën. Cufja që s’e mbante pijen e hapi barkun dhe ja rrëfeu shokut gjithë sekretin profesional të asaj tregtie.

Kur u ndanë, Lakja e dinte se ç’kishte për të punuar! “Të lira, të drejta e të ndershme”, kishte thënë zonja nga Evropa, por ajo zonja kishte harruar tregun e lirë që, ashtu siç thoshte shpesh ai Avokati i njohur, ishte kushti dhe mbreti i demokracisë !

Shkoi në shtëpi shend e verë. Gruaja, që e ndjeu së largu erën e pijes, nisi të shante e mallkonte: “Sarahosh, pijanec, qylxhi, lapërdhar” dhe një dyzynë të sharash që vetëm shpirti i saj i plasur i dinte.

-Mos!- i tha Lakja,-Sheqerja ime, për kokë tënde! Mos e prish gojën se kam gjetur punë. Pa më sill rrobet e reja, ato që kam për sebepe.

-Ç’punë zeza, more dordolec, apo do të venë në ndonjë kopësht të trembësh sorrat?

Ai nuk ia vuri veshin. Ishte mësuar. Ajo ashtu e kishte huqin. U rrua dhe u krua për merak. E shoqja e dëgjonte që ai këndonte mbyturazi nën hundë. U vesh e u pispillos. U pa në pasqyrë, i shkeli syrin vetes, e kërcënoi me të qeshur, duke tundur gishtin tregues . Në oborr kishin çelur trandafilat. Kishte parë se kreu i opozitës vinte një trandafil te xhepi i vogël. Nga ngjyrat ai zgjodhi të bardhën e qetë, të sinqertë, paqësore. Bëri yrysh për në pazar.

U kthye te një grafist dhe i tha ti shkruante një tabelë kartoni me fjalët “Shes Vota”.

-U bënë dy.-tha grafisti.- Ka plasur tregëti e madhe. Me ç’ngjyrë i do shkronjat?

Lakja u mendua. Edhe kjo puna e ngjyrave ishte bela më vete. S’dihej si ta merrnin.

-Bëji jeshile, po ama të mëdhaja e të dukshme.

Grafisti e shkroi tabelën. Pastaj i shkoi një lidhëse dhe i tha Lakes të priste sa të thahej.

-Të bëhet puna t’i sjell lekët pasdite, se tani s’më ndodhen?

-Mirë, po mos harrosh.

Lakja, e vari në gjoks tabelën “Shes vota”. Me çap të ngadaltë, trupin drejt, u nis nëpër këmbësore drejt zyrave elektorale të partive. Aty të kënaqeshin sytë: flamurë me të gjitha ngjyrat e ylberit, portretet me buzëqeshje ëngjëllore të kandidatëve dhe shkronjat fillestare të emrave të partive, me ca ndërthurje të çuditshme e që s’ti merrte e shkreta mendje. Tridhjet e gjashtë shkronja të alfabetit për gjashtëdhjet e katër parti, voto: PLSHR, ZKRO…. Dhe deri te YVZ dhe në çdonjerën numri matrikullor në listën e votimit. Valëvitjen e flamurëve dhe buzëqeshjen e kandidatëve, e bënte më tërheqëse muzika e këngës së zgjedhur si hymn nga partitë. Ngjarje e madhe. Hare e madhe. Gëzim i madh, por ama, mendoi Lakja edhe treg i madh dhe shpenzime pa hesap. Bënte kinse sikur nuk shihte as majtas, as djathtas. Ecte i shkujdesur me shikim përpara. Ata kalimtarë rasti që e shihnin, shqyenin sytë, ngërdhesheshin dhe thonin me vete: i kanë shkarë dërrasat të shkretit Lake. Vetiu ai ndjeu se dikush iu qep pas. Nuk e ktheu kokën. Dëgjoi që personi e thirri:

-Zotri, të lutem, mund të qëndrosh të bisedojmë.

Lakja u ndal dhe u kthye nga folësi. Ai e ftoi të hynte brenda. Zyra ishte e madhe, me tryeza, kompjutera, afishe dhe shpallje me togje shtypshkrimesh me ngjyra. Ca goca të bukura , me dekolte të hapura e minifunde, që u linin të dukeshin këmbët e hatashme, po vinin rregull dhe i sistemonin. Në fund ishte një kthinë, që e mbulonte një perde e rëndë.

-Shet vota?- hyri drejt në bisedë shefi i zyrës, pa i thënë as emërin e tij

-Siç e sheh,- tha Lakja, duke shënuar me gisht tabelën.

-Ke shumë?

-Kam ca.

-Po sa ? Dreqi e mori!

-Tashti, këtë çast, timen, të Sheqeres dhe tre fëmijëve. Sapo kam dalë në treg sa për t’i hedhur një sy.

-Kush është kjo Sheqerja?

-Nikoqirja ime. Po ne, mor mik në pyetç, jemi fis i madh, i shtuar si puna e ferrës, nipër e mbesa, me miq, krushq e krushka, kumbarira e shoqëri. Bëhen nja njëqind vota.

Tjetri shqeu sytë dhe fërkoi duart nga lezeti:

-Mos po e tepron? Të gjitha shiten?

-Unë për këtë punë jam,mor zotëri! Po allahile, nuk i gostitni myshterinjtë?

-Mira, qerase zotrinë me një B52

-Faleminderit,por nuk i pi ato lënguriqet. Do më pëlqente më shumë një pije për burra, e fortë, uiski apo një kupë raki.

Raki nuk u ndodhej, por vajza u hodh te lokali ngjitur dhe pruri një dopio.

Lakja u ul që ta pinte me nge rakinë, por edhe të bënte pazarin.

-Po allahile, sa e paguani një votë?

-Një votë një pako me ushqime: dy oriz, tre miell, dy sheqer, tre makarona, dy shishe vaj, sallam konserva peshku....

-Po ndonjë shishe raki dhe pako me fasule nuk ka?

- Ka,si s’ka.

-Do mendohem. Në vend të mallit më pëlqen pagesa me para të thata, lekë ose euro. Ka të tjerë që paguajnë më shumë. Ju qënkeni të shtrënguar e si do t’i fitoni zgjedhjet? Sa për të hapur pazarin, po shes dy votat e mia e të Sheqeres. Të tjerat nesër, pasnesër, por dua të më jepni një kapar.

-Më parë letërnjoftimet, - tha shefi.

Lakja ia dha.Vajza që quhej Mira i skanoi dhe i hodhi në kompjuter. Pas pak, u hap perdja dhe prej andej morën dy kuti kartoni të mbyllura dhe i futën në një thes plastmasi të zi që të mos dukeshin.

-Nesër presim të na sjellësh të tjerat - i tha shefi.

-Pa merak, shef, por mendoni pak për çëmimin.

Lakia e hoqi tabelën dhe e futi në thes. E hodhi thesin në krahë dhe u nis për në shtëpi. Rrugës qëndroi te dyqani i Beqos, ku merrte ushqimet me listë. Hapi një kuti dhe këmbeu dy pako miell me një shishe raki.

-Lake, paske rënë në mall, po ajo lista që ke te mua është trashur shumë.

-Beqo, mos ki merak. E shumta tri ditë dhe lekët do t’i kesh në xhep!

Kur hyri brënda portës, ai thirri sa i hante zëri:

-O Sheqere, dil moj nikoqire se m’u këput kurrizi.

Sheqerja doli dhe ja lehtësoi barrën. Hynë në kuzhinë dhe hapën kutitë, i vunë pakot mbi bango dhe në frigoriferin e vogël, që ishte fare bosh. Sheqerja shqeu sytë:

-Qoftë për mirë, po këto ushqime ku u gjendën ,o Lake? Çfarë rrengu ke punuar o ditëshkurtër?

-Ranë nga qielli, po këto nuk janë gjë. Hane sa do vinë të tjera! Mos u qederos! I kam fituar me punë. O Sheqere! Me këtë rast bëji Lakes tënd pak meze dhe për drekë na bëj ca petulla t’i hamë me reçel se më është hidhëruar goja.

Lakja i ndau detyrat me Sheqeren: ai do të dilte në treg dhe Sheqerja do të mblidhte letërnjoftimet e hallexhinjve të mëhallës, të farefisit dhe miqësisë. Sa më shumë, aq më mirë! Të dy palët do të dilnin të fituar.

Lakja, të nesërmen bëri edhe disa dalje, në ca zyra periferike dhe në zgjuan e shtëpisë u kthye si bleta me mjaltë. Me aq sa kishte sjellë ia hidhnin nja dy muaj. Mbrëmanet, kur kaloi para zyrave të partisë SHSH (Shpresa e Shqipërisë), partia e Bujar Topçiut, që kishte kandidat të parin në listë Banush Beqollarin, ai u shmang. E kishte porosi nga i ndjeri baba: me tëndin mos bëj allishverish, se humbet edhe mikun edhe paratë.

Kur arriti para hotel “Manjifik”, përballë , në katin e parë të një pallati me vitrina, që ndrinin e llapsnin nga ndriçimi, hasi zyrat e PLSHR, ku ushtonte muzika festive. Thonin se ata ishin pasunarë të rinj, që donin të hynin edhe në politikë dhe e derdhnin lekun pakursim. Logoja e tyre ”AS MAJTAS, AS DJATHTAS, POR DREJT”, zinte kreun e ballinës dhe i pëlqeu Lakes. Punë e madhe. Le të ishte parti e vogël. Nga ferra e vogël del lepuri i madh! Lakja me tabelën në gjoks, kuturisi e hyri brenda. Shefi i zyrës ishta një div, katana, mjekrosh e zëtrashë, që Lakja ngriti kokën për ta parë dhe ju duk vetja i vockël.

Divi u ngërdhesh:

-Hë, mor mik, shet vota, apo jo?

-Po, shes , te ata që duan të blejnë.

-Sa copë ke?

-Nja dyzet, por mund të sjell edhe më shumë.

-Goxha mirë, na duhen. Sa e mban pazarin?

- Dyzet euro votën.

-Mos more! E paske pazarin lart. Ule, ule ca. Ç’ u bë këtu? Teqeja e Baba Rexhepit!

-E po, edhe badiava, s’i jap dot. Janë vota fukarenjsh. S’na vjen përditë ky rast.

Dhanë e morën, u shamatuan, bënë pazar, po Lakja nuk hapte udhë. Më në fund divi u dorëzua. Njëzet e pesë euro vota. Ç’të bënte? I duheshin ato vota. Lakja i dha letërnjoftimet, tjetri i fotokopjoi dhe i skanoi në kompjuter, pastaj hapi kasafortën dhe i numuroi paratë: dhjetë kartmonedha me prerje njëqind euro. Lakja u emocionua dhe po i dridheshin duart kur mori eurot. Aq lekë s’i kishte qëlluar asnjë herë të merrte në dorë. Divi, që e vuri re, i tha:

-Ki mëndjen, bablok! Mos bëni ndonjë proçkë ditën e votimit, se ne kemi sy e veshë kudo, edhe atje ku s’ta merr mendja. Ke për ta parë veten me këmbë e krahë të thyer dhe të ambalazhuar me allçi. Mos thuaj që s’të dola borxhit!

“Shumë i egër ky shefi i zyrëas së PLSHR”, mërmërit Lakja kur doli nga zyra.

Në shtëpi vuri pirgun e lekve para, ndau me drejtësi pjesën e tij dhe atë të të tjerëve. Tregtia kishte shkuar fjollë.

-Ke këtu - i tha Sheqeres,- Mjaftueshëm që t’u japësh pjesën shokëve, të paguash dritat me këstet e prapambetura, ujin dhe t’i japësh Beqos borxhin e listës, se na ka bërë nder e ne të mos i bëjmë qeder. Shiko, na bëj për darkë një lakror, se i kemi harruar edhe emrin, edhe lezetin.

-Prit se mu prish mëndja. Të ka ardhur një zarf me vula qeverie. E ke mbi komodinë. Unë nuk e hapa.

Ishte një thirrje për t’u paraqitur në prokurori. Lakes iu prenë gjunjët, por e mblodhi veten që të mos i ngrihej tensioni Sheqeres.

* * *

Prokurori, kur mori padinë e Policisë së Shtetit, e gjykoi të lehtë problemin dhe dërgoi ftesat e paraqitjes për dy persona, që bënin kontrabandë votash: Cufe Zavalli dhe Iliaz Doko, alias Lake Llullaja, por kur e mendoi mirë, çëshja ishte më e kokolepsur ngasa dukej. Kjo gjë që ngjante si shaka pa kripë, ngërthente ne vetvete probleme politike, morale, etike, ekonomike dhe doktrinaro-filozofike!. Ku dreqin shkonin e i binin atij në pjesë të tilla çështje? Dha e mori, po nuk e ftillonte dot. Në kursin e “Plepave”, nuk ishte shtjelluar ndonjë rast i ngjashëm.Mungonte precedenti. Më së shumti e mundonte mungesa e “Korpus delikti”, kapja e të pandehurve me presh në dorë. Mungonte objekti i qënësishëm ,material, lëndor, vota e trupëzuar! Por ç’ishte vota tek e fundit? Një e drejtë, formë e shprehjes së lirisë, ishte virtuale, si ajri, që as shihej as dukej, nuk futej në xhep apo portofol, nuk mund ta mbaje me vete apo ta tregoje. Të pandehurit nuk kishin në çanta apo xhepa votat, as i jepnin as i merrnin. Por i shisnin ama! Parë asisoj ishte një nul juridik. I vetmi rast që ajo materializohej ishte fleta e votimit, ajo kutiza ku vihej një kryq. Dhe aq!

Për pamjen ekonomike të deliktit, ai ftoi në konsultë profesorin e dëgjuar të Universitetit të Rrogozhinës, Hasan Dorzin, që mbushte gazetat me artikuj dhe ishte i pranishëm në gjithë emisionet ekonomike të televizionit lokal ”Alfa& Omega”. Profesori, që mbahej rëndë e paguhej mirë, mezi begenisi që të vinte, por i tha se po e bënte këtë miqësisht.

-Që vota të shitet,-tha profesori,- Duhet të jetë mall. Po a është mall vota? Etërit e ekonomisë: Smithi, Rikardo, Marksi, e cetera e cetera, kanë përcaktuar se mall është produkti i punës dhe që ka në vetvete punë të materializur, e cila kthehet në vlerë. Shihe atë plepin në oborr...

-Profesor,të lutem,te vota!

-Mos u ngut se aty do të dalim. E pra, ai është një objekt natyror, pa vlerë nominale, por po të pritet, të bëhet trupa, dërrasa, dru për ngrohje, puna e shndërron në mall që të shitet e të blihet dhe këtë vlerë ia jep pikërisht puna e gjallë, e materializuar. Po vota? Do të pyesish ti. Ajo, miku im, është një e drejtë civile, periodike, vendimmarrëse, nuk është produkt i punës, as mund të shitet, as mund të blihet, thjesht, ajo përdoret si një e drejtë kushtetuese, civile, politike sipas pëlqimeve të gjithkujt. Por, për ironi të gjërave dhe të drejtës juridike, votat megjithëse nuk janë mall, janë shitur edhe në Romën, dhe Greqinë e lashtë. Çëmimi i tyre ndryshon sipas kërkesës dhe ofertës! Sëmundja është po aq e vjetër, sa edhe demokracia. Kjo i bën lëmsh të gjitha. Meriton një studim në nivel doktorate. Fundi i muhabetit, ti s’i ngarkon dot me faj të paditurit e tu. Nuk ke ku të kapesh e ku t’i kapësh.Më kupton?-tha dhe i la shëndetin.

Këta profesorët janë ca tuhafë, u rruat dituria. Të shpien te çesma e s’të japin ujë. Ma bëri mendjen ujem. Por ai ishte jurist i gatuar nga ai brumë që zbatojnë parimin: gjeje fajin edhe atje ku nuk është. Mjerë kush binte në duart e tij. Ata leckamanët s’kishin për ti shpëtuar. Mjaftonte neni 328 i Kodit Penal, me gjobë ose me burg.

* * *

Lake Llullaja dhe Cufe Zavalli prisnin para derës së zyrës së prokurorit.

-Kush na ka spiunuar?,-pyeti Cufja.

-Mos u bëj torollak. Spiunin e kishim të varur në qafë.

-Hiç mos u tut. Fola me avokatin. Mungon objekti material. Ne do ta mohojmë dhe do t’i themi të na e vërtetojë. Ku i ka votat që kemi shitur?

Dera u hap dhe thirrën emrine Lakes. Ai hyri. Prokurorin, hijerëndë dhe të ngrefosur, ju kujtua se e kishte parë vite të shkuar, kur kishte mbajtur pretencën në gjyqin e Mjekërziut. Prokurori, akull i ftohtë, e ftoi të ulej dhe Lakja u ul përball sekretares, që rrinte kundruall ekranit të kompjuterit për të mbajtur procesverbalin.

-Qytetari Lake Llullaja! Policia e Shtetit, u ka paditur për kontrabandim dhe shitje votash. E pranoni padinë?

-Së pari, zoti prokuror, ju po më fyeni dhe për këtë mund të ngre padi. Ju ndryshoni padrejtësisht identitetin tim. Unë jam qytetari Iliaz Doko, ndërsa ju më quani me nofka fyese.

-Qytetari Iliaz Doko, e pranoni që keni shitur vota?

-Nuk e pranoj. Pse ç’u bënë votat,çimçakiza,kikirikë apo fara luledielli që të shiten rrugëve? Më rrëfe një votë, makar atë tënden, që ta shoh dhe të bindem se qysh është vota! Për vete s’kam parë votë me sy. Si mund të shes atë që s’e kam?

-Kemi të dhëna që i ke shitur dhe ke marrë syresh mall dhe para. Përgjigju!

-Zoti Prokuror! Nuk pranoj të them më asnjë llaf, pa qënë këtu një avokat, që do ta pajtoj për këtë akuzë idiote e të paqenë.

Prokurori u mendua.Ky Lake pijaneci, i doli më i mençur nga sa e priste.

-Nuk po të arrestoj. Do të hetohesh dhe gjykohesh në gjendje të lirë, por do të paraqitesh detyrimisht sa herë të të thërrasim. Mund të shkosh!

Në të dalë, Lakja i shtrëngoi krahun Cufes për t’i dhënë zemër. “Mos prano asgjë dhe kërko avokat”, i tha. “Ika se Sheqerja do të jetë bërë merak dhe i ka shkuar tensioni njëzet!”

* * *

Duhet të kishte kaluar ora dhjetë e natës, kur Lakja pasi kishte kthyer disa kupa raki mani tok me Cufen dhe ca hallexhinj të tjerë, po kthehej në shtëpi duke kënduar lehtë këngën “Moj kasolle ku na mblodhe”. Kur u afrua te porta, pa ca hije. Ishin të maskuar dhe iu turrën si skifterë. Breshëri i grushteve e goditi në kokë. Ai mbuloi fyturën që të mbrohej dhe nuk arriti as të bërtiste për ndihmë. Këmbët nuk e mbajtën më dhe u rrëzua. Ata ia hynë me shkelma nga brinjët dhe kërcinjtë. Lakja klithi sa mundi . Njeri prej sulmuesve u përkul mbi kokë dhe i tha me mllef: ”Sarahosh i mutit! shko, po ta mbajti bytha, shiti edhe një herë vota PLSHR!”

Ata ikën, i përpiu errësira.

Kur doli Sheqerja me të tre çunat, e gjetën Laken të mbytur në gjak, që rënkonte sa të këpuste shpirtin. E ngritën hopa dhe e shtrinë në divan. Syri i djathtë, i mavijosur, thuajse i ishte mbyllur nga buhavitja. Në ballë kishte vija dhe vurrata ngjyrë llullaqi. Ankohej nga brinjët dhe kërcinjtë. I vunë akull në vendet e enjtura.

Çatisën komshinjtë. E pyetën kush e kishte bërë në atë ditë. U tha se nuk i njihte dhe se ishin të maskuar. Doktori që erdhi i bëri një kqyrje të imtësishme.

-Thyerje eshtrash, frakturë, nuk ka,- u tha, -Ka ca shembje por që do t’i kalojnë. Sa të mundni me akull. Do t’u jap dhe një pomadë që do ta lehtësojë. Të shkuara,Lake!

Lajmi u hap sakaq. Erdhi policia, mjeku ligjor, një hetues. Pyetën e stërpyetën, mbajtën shënime. Drejtoria e Policisë dha një komunikatë me formulën e njohur se ”Keqbërësit kishin ikur në drejtim të paditur.” Televizioni “Alfa &Omega” dërgoi gazetaren e njohur Olta Fusha, që e intervistoi Laken dhe kameramani i bëri disa plane, që kur u shfaqën në ekran shkaktuan zemërim dhe keqardhje për të shkretin Lake, që s’i binte qafës kurkujt. Nga vetë deklarimet e të dhunuarit dhe familjarëve, ata nuk kishin mosmarrëveshje dhe hatërmbetje me askënd, se Lakja përveç shishes së rakisë, s’i binte në qafë askujt, rezultonte se ky ishte një rast tipik i sulmit politik, një incident që donte të frikësonte përkrahësit dhe mbështetësit e partisë së re PLSHR. Ngjarja fitoi peshë politike. Shkruan gazetat, buçitën televizionet, komentuan analistët politikë. U bënë deklarata dhe Laken e mori në mbrojtje kryetari i PLSHR, si një aktivist të asaj partie. Kësisoj,Lake Llullaja u bë person mediatik dhe i njohur në tërë vendin.

E vizituan shokë, miq, aktivistë të organizatave për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe nuk munguan edhe organizata bamirësie, që i prunë ndihma materiale që t’ ia zbusnin disi dhimbjen dhe varfërinë.

Vetm Cufe Zavalli nuk u duk. Aq shumë u frikësua nga ajo që i ndodhi Lakes, sa ditë të tëra u mbyll nështpi,si ata që ngujohen.

Kur Lakia u bë më mirë dhe iu zbardhën vurratat mavi të fytyrës, i tha Sheqeres të thërriste në shtëpi gjithë ata që i kishin besuar votën atij.

Dhoma u mbush plot, sa s’kishin ku të rrinin. Sheqerja i gostiti të gjithë me kafe, llokume e ndonjë gotë raki. Ata uruan:”Shyqyr që qe e pakët!”. Prisnin fjalimin e Lakes, po Lakja ishte në zor, nuk kishte mbajtur ndonjë fjalim në jetë të tij.

-Faleminderit o miq që m’u gjendët. U perpoqa t’u “ngrohja” edhe xhepin edhe barkun. Paçka se i pashë sherrin. S’ke ç’i bën. Qëllon që edhe qari, edhe zarari të jenë tok. U bëfshin mirë ato që morët! Patën dhe dhanë, ne na i kanë marrë.

Sa për votat, mos çani kokën! Pasnesër, jepuani kujt tu dojë zemra.

-Bravo Lake!- i tha Cufe Zavalli,që kishte dalë nga ngujimi dhe duartrokiti. E duartrokitën dhe të tjerët.

Pa e ditur,Lakja e kishte bërë mitingun e tij.

59 views1 comment

Shkrimet e fundit