Sotir Athanasi
Ky laptop, do të heshtë përgjithmonë (Tregim i jetuar )
Shoku im po mbyllte çantën e tabletit, sapo më takoi. Më futi krahun dhe ashtu si me urdhër, më tërhoqi drejt kafes sonë.
Ishim te Omonia. Ngutja e tij patjetër që duhet të kishte lidhje me ndonjë shkak origjina e të cilit quhej pa frikë qefmbetje. Në këto raste atij i mjaftonte shoku dhe filxhani i kafesë ku të rrëfehej si neofiti te kthina e priftit.
– Ke marrë pamjen e njeriut të dënuar me kusht, a si të jesh peng i diçkaje shpresë- munguar, – i thashë dhe sytë më vanë pas krahëve të tij. Në tavolinën më tutje luanin dy fëmijë djalë e vajzë, pesë e gjashtë vjeç të një çifti të ri.. Djali, tepër çapkën ngacmonte vajzën e cila hiqej sikur e bezdiste loja, teksa në të vërtetë joshej dhe përkëdhelej prej saj.
– Po zbres në Tokë se edhe vetë e kuptoj ngatërresën logjike të fenomeneve. Më ngjan se një dorë e padukshme i përmbys gjërat sipas një mbrapshtësie të mirëorgani- zuar. Është e thjeshtë. Madje tejet. Por, po aq edhe e bukur, miku im.
– Po të ndjek, – i thashë dhe ngrijta gotën e ujit si gjest përshëndetjeje përpara se të rrufisnim kafetë të cilat kamarjeri, që na kishte klientë, me një gjest timin e zbatoi porosinë.
Shoku bëri të njëjtin veprim dhe përsëriti:
– Ajo që njëzetëepesëvjet më parë më ndihmoi, tani më del kundër.
– Dhe?
– Ty të kam thënë diçka se atë fillim emigrimi, unë përfundova në një krahinë të largët në Patra të Greqisë. Aty një shok i vjetër, amator peshkimi, kishte njohur një skocez i cili kryente javën e fundit të punës. Ky njeri do të ma dorëzonte mua shtëpinë ku rrinte me qera dhe, mezipriste të kthehej në atdheun e tij, në Skoci.
– Po. Më kujtohet.
– Skocezi me emrin Xhon do të m’i linte të gjitha plaçkat e shtëpisë siç ishin. Përfshi këtu edhe televizorin, apo frigoriferin, dy divanët e mëdhej, krevatin dopjo e kudi unë se çfarë tjetër. Shkurt, gjithçka. Dhe këtë e bënte ashtu thjesht pa më detyruar për asgjë. Deri këtu ti besoj e mban mënd.
Unë tunda kryet.
– Pas kësaj qëndron befasia. Mua, frika se mos të gjitha këto orendi tejet të vlefshme për ne fillestarët në një shtet të huaj, mund t’i kërkonte pronari i shtëpisë i them të mirit, Xhon nga Skocia:
– M’i hidh në një copë letër këto që po më lë. (siç shkruheshin Proçes-Verbalet e dorzimit të shërbimit në ato vite me dezhurn ).
Ai, tejet i gatshëm mori laps e letër dhe e formuloi vetë se m’i dhuronte mua pa asnjë detyrim të gjitha ato për të cilat folëm.
Mua më gëzoi pa masë ky. . . , fat si I zbritur nga . . . Universi. Veç kësaj . . . Nuk e dija që do të mrekullohesha kur ai (me gërma latine) do të shkruante emrin dhe mbiemrin e tij: Xhon Bërns.
Ngrijta sytë nga letra. Ai, m’a zgjati plot fisnikëri atë kartë, si të ishte kredenciali për një diplomat. Unë e mora dhe shqiptova: Robert Bërns?!?
Tani qe rradha e tij të befasohej nga diç e paimagjinueshme. Sytë i ndritën dhe pyeti:
– Ti e njeh Robert Bërnsin?!?
– Findlei, – shqiptova unë personazhin e poezisë së autorit, dy vargjet e fundit të të cilit atëhere, në qoftëse i mbaja mënd mirë, ishin:
Do të vish këtë natë, / Do vij - tha Findlei
I recitova këto në greqisht, kurse Ai e përsëriti në anglisht të gjithë vjershën për të përfunduar me pyetjen:
– Nga je ti, o miku im që e njeh Robert Bërnsin?
– Nga Shqipëria, – iu përgjigja dhe kur pashë se ai u hutua, shtova: – Jam nga Tirana!
Kaq iu desh të përsëriste:
– Durrësi, anijet plot me refugjatë të dëshpëruar që hipnin nga litarët për t’u kapur diku brënda atij mjeti lundrues.
Pas kësaj, ai nisi të më bombardojë me pyetje për atë Eksod të dhimbshëm dhe për t’u kthyer sërish te Bërnsi, shtoi me krenari:
– Unë jam një pinjoll i familjes së tij. Roberti është poeti më i madh që ka njohur Skocia. Janë të shumta bustet dhe monumentet e ngrijtura për ‘të. Dhe të mendosh se ka qënë një fshatar. Apo të kujtosh se ka jetuar vetëm tridhjetë e shtatë vjet. . .Eh!
Shoku im pas psherëtimës gjerbi kafenë. Mua sërisht më tërhoqi loja e dy fëmijëve. Djali kishte marrë një lugë dhe po I trokiste vajzës lehtshëm në shpatulla. Ajo hiqej si e keqtrajtuar. Qe një lojcakëri e admirueshme të cilën e nxirrte më në pah buzëqeshja e vogëlushes.
– Mirë deri këtu. Shumë mirë. Vazhdo më poshtë, – këmbëngula unë të dëgjoja pjesën e dytë për poetin e cila s’ishte e mundur të mos ekzistonte. Dhe s’u gabova. Aspak.
– Është për të qeshur, por e vërtetë dhe njëkohësisht befasuese, – për të vazhduar: – Edhe sepse mua më kishte entusiazmuar përgjigja e pëlqimit ndaj një tregimi që kisha dërguar në Irlandë. Aty, shqiptari ynë, nxjerr në anglisht një revistë. Merrte përsipër botimin me kushtin që unë të gjeja një përkthyes të mirë në anglisht. Kjo, sepse ai vetë, me të drejtë, nuk e kishte kohën që të merrej me ‘të. Kuptohet që gëzimi im, pas kësaj, zgjati sa një flakë shkrepseje dhe ashtu i trazuar nisa të shfletoj nëpër shënimet e mia për t’u kapur diku si i mbyturi pas fijes së kashtës. Tani, shënimet e mia rrëmujë, po merrnin një tjetër kuptim. Aty, dukej se unë herë-herë, kisha gjetur kohën të bëja një farë sistemimi. Për fatin tim të mirë dhe po aq të mbrapshtë, në një fletë lexoj këto katër vargje:
Po kush me shkop në xham troket,
S’do mënd që jam Findlei
Shtëpia flë dhe s’ka lezet,
Nuk flë, – tha Findlei.
Dhe në fund si me fije qëndismeje, ishte emri i përkthyeses.
Në çast më lindi ideja që t’i dërgoja një E – mail asaj. Shpëtoja në këtë mënyrë edhe nga qëndrimi i një redaktori në Skoci ku për hiç mos gjë, më kishte mbetur hatri dhe Ai, me të drejtë, më kishte kthyer shpinën. Pas kësaj tashmë, do të ndryshonte gjithçka.
– Për të tilla, je ekzemplar ti. Me mua sa herë ke shfaqur dobësi ndjenjash që kanë për shkak qefmbetjen vetëm njëzetekatërorëshe. Por tregomë çfarë bëre? Ia dërgove E – mailin përkthyeses?
– Ia dërgova the? Që ç’e me të. Duke u nisur nga emri dhe mbiemri, bëra disa kombinime dhe E-malin e përcolla.
Zëmra po më dridhej si të prisja përgjigjen e një letër dashurie. Prita një minutë, dy tre, trembëdhjetë dhe E-mai- li nuk u kthye me Deliveri siç ndodh rëndom kur adresa s’është e saktë. Tani që u binda për goditjen në shenjë, prisja me një tjetër ankth përgjigjen. Fillesa e saj niste me një zjarrmi që t’a dikton sedra përzier me dyshimin si mund t’a merrte tjetra. Nga që pamvarësisht formimit të saj, ishte femër dhe keqkuptimi përgjonte në prag. Gjithsesi, e ndava mëndjen: do t’i shkruaj dhe nuk do harroj të nënvizoj se . . .
Dhe shoku im nxori TABLETIN, që folëm në krye të shkrimit. Ai pra e hapi dhe në të lexova:
“Zonjë!
Unë natyrisht, nuk jam Findlei. Ndonëse trakas. Jo me shkop dhe as në xham. Por në laptopin Tuaj. Dhe gjej rastin T’u përgëzoj për këto vargje të sjella dekada më parë në shqip, shkruar aq thjeshtë, ngrohtë e me aq pasion nga Skocezi ROBERT BËRNS.
Unë nuk jam Findlei edhe sepse: mbi shpatullat e mia rëndojnë vitet e njeriut me dt.lindjen:1940-të. Jam bërë gjysh me të dy fëmijët e mi djalë dhe vajzë. Ata janë të martuar dhe me fëmijë. Kanë riemigruar nga Athina në Gjenevë. Ndërsa unë dhe bashkëshortja ime, vazhdojmë të jetojmë që nga ’91-shi në Athinë.
Tani që u shkoqita se kush jam si qytetar, lejomëni t’u hedh dy rreshta edhe si shkrimtar: – E kam filluar së pari me një novelë, pastaj me një trilogji për të përfunduar me një roman. Momentalisht kam gati një vëllim me tregime, titulluar:
Romancë nën Harkun e Triumfit. Me këtë titull hapet vëllimi i kësaj përmbledhjeje e cila s’dihet se kur do të shohë dritën e botimit për shkaqe . . . , që merren me mënd. Por tani për tani, shtëpia botuese PLANETARE, GLOBEEDIT, e ka publikuar në Amazonë.
Romancë nën Harkun e Triumfit!
Bën fjalë për lindjen dhe perëndimin e një dashurie me vështrim të parë. Është një . . , Findlei shqiptar, por fati I francezes me të cilën Ai dashurohet, do t’i ngjajë Madam Baterflajt. Kurse libri im mund të ndjeki fatin tragjik të francezes. Kaq mjafton.
Tregimi ka dhjetë faqe dhe lexohet për njëzet minuta. Por do t’u mbetet në mëndje për gjithë jetën. Pres lejen Tuaj T’ua dërgoj, zonjë e nderuar “.
Në fund kisha vënë emrin tim.
– Deri këtu nuk shoh asgjë të veçantë. Vetëm në qoftë se e mban të fshehur fjalinë e fundit e cila, pa tjetër që duhet të ketë të bëjë me përgjigjen e saj negative, -. thashë unë.
Ai tundi kryet dhe unë dallova në portretin e tij dhimbje. Ai ia bëri me shenjë kamarjerit që kaloi pranë dhe porosit dy teke-raki dhe dy kafe të tjera, përpara se të më deklaronte me zërin që i dridhej:
– Kishin kaluar dhjetë ditë dhe më në fund, tableti im vërshëlleu. Kjo ndodhi vetëm dy minuta përpara se të takoheshim bashkë. E hapa me përtesë. Por ç’të shoh? Ishte përgjigja e mezipritur nga E-maili që . . ., nuk vinte nga zonja përkthyese.
– Po nga kush?
Shoku im e hapi edhe një herë tabletin. Unë lexova në ‘të:
“Zoti shkrimtar, përshëndetje nga qyteti ynë i vogël i cili përpara një jave përcolli për në banesën e fundit tezen time, Zonjën Përkthyese të poetit Skocez: Robert Berns.
Ne, sapo kemi bërë të shtatat dhe tani unë guxova të hap Laptopin e saj të mbushur me ngushëllime. Do t’u përgjigjem atyre dhe ky laptop do të heshti përgjithmonë.
Mbetëm të dy pa fjalë.
Dy fëmijët vazhdonin të griceshin me njëri – tjetrin. Djali i qëllonte ëmbël në shpatull me lugë dhe fshihej pas karikes së të atit. Ndërsa vajza kthente kryet enkas e befasuar dhe nxirrte më në pah atë lojcakëri aq të pastër të moshës.
Unë ngrijta filxhanin e kafesë dhe shqiptova:
– I paharruar qoftë kujtimi i përkthyeses së poetit Skocez: Robert Berns.
Shoku im përsëriti vargjet aq të ndritshme, aq të ngrohta, aq të ëmbla:
Po kush me shkop në xham troket,
S’do mënd që jam Findlei,
Shtëpia flë dhe s’ka lezet,
Nuk flë, – tha Findlei.
————–
Paramnezi”) = Përzierje e realitetit me trillin artistik.
--------------------
Sotir Athanasi,
Athinë,Dhjetor,2018
Dërgohet nga Athina,
3,Prill,2022
Z.Kozma!
Ju përshëndes dhe ju falenderoj për opinionin tuaj ku fjalët e zgjedhura më emocionojnë deri në befasi dhe natyrisht më ngazëllejnë e nxisin në vazhdimsi. Ju uroj nga zemra në tregimtarinë tuaj dinjitoze dhe të ndritëshme. S.Athanasi/ Athinë.
Ja dhe një tjetër krijim interesant i z.Athanasi, siç e thotë dhe Myslimi, i thjeshtë, i vërtetë, i sinqertë, emocionues. Si gjithnjë Sotiri të habit me mënyrën sesi i kthen aq natyrshëm ngjarjet e faktet jetësore në artistike. Dhe në këtë drejtim është krejt i veçant e origjinal. Çdo krijues dallohet pikërisht sesi merr e përzgjedh nga jeta "mineralin" më të çmuar, sesi e pastron atë nga dherat, e përpunon, i jep shkëlqim dhe ia kthen përsëri shoqërisë…
Shumë urime i dashur mik, K.Gjergji.
S.Athanasi:
Miku im Myslim. Faleminderit për opinionin tuaj në ndërtimin e këtij tregimi (të Jetuar, por edhe me trillimin e përkthyeses që e kërkonte tregimi). Ju keni të drejtë: L.Pogradeci dhe D.Agolli, janë dy përkthyesat e të madhit skocez Robert Bërns.
Edhe një herë faleminderit për fjalët e mira në drejtim të tregimit!
S,Athanasi/ Athinë.
I nderuar z. Athanasi! Me befasove me kete tregim te thjeshte , te shkruar bukur, te brishte dhe human. R. Bernes e mbush tregimin, plote jete, drite dhe vezullim. Nuk e di kush eshte perkthyesja. Une njoh Lasgushin dhe Driteroin. S'ka rendesi. Poetet e medhenje i dashurojne te gjithe. Urime, faleminderit, suksese te tjera. Perqafime, Myslim Maska, Athine.