top of page

Ky kungull është i kotë




Ky kungull është i kotë

Nga Fatmir Terziu


Kërkova albumin e vjetër të fotografive në ëndërr,

dhe grisa qiellin,

padashje u frynë lumenjtë,

u dehën dy dete,

e mbi majat e maleve fluturonte gëzofi i dhelprës,

flokët gërsheta,

të gjyshes sime,

prodhonin argjendin e ngrohtë që vezullonte

kur e mora në duar,

mezi kapërceva retë e mbetura,

të gjitha ishin shtruar

xixëllonja në vende të errëta,

në sy më ktheheshin të gjitha si tenja,

këmbët e tyre të vogla më gërvishtën lëkurën,

krahët e shumtë ishin pluhur, shumë qime të grisura,

qëndrova aty duke u dridhur, nuk mund të lëvizja

isha zhdukur.


Sytë ishin ngulur në një kungull i mrekullueshëm dekorativ

atë që e kishim gdhendur në formën e një fytyre,

të ndriçonte ditën e tij,

muaji ishte larg, duke trembur fantazmën,

në ditën e tretë u shemb,

u rrudh si fytyrat e shtrigave,

dhëmbët e tij dukeshin me një buzëqeshje të butë,

të mistershme,

kungulli u zverdh, u bë i moshuar

dhe qiriri u shkri në errësirën e tij të brendshme.


Kaq ishte. Unë isha rikthyer një fëmijë në rrefimet e gjyshes.

Duke dëgjuar gjatë gjithë natës,

fluturat e varrezave, që trokasin vazhdimisht

të vizitojnë ëndrrat tona,

e pastaj kërkojnë të ikin përfundimisht,

duke lënë shpirtin e tyre të qesëndis,

para se të fotografohen tek tavani

me kokën e një drite të kuqe të porsalindur,

shtrihen si një mace e dobët, e çaluar

pa dëshirë

vetëm për të na kujtuar se nuk na kanë harruar.


Ndërkohë erdhi zgjimi. Ushqimi i shtruar në tavolinë

asparagusi i lodhur me vezën e verdhë në tavën e nxehtë

zëri i dehur i mbetur ende jashtë,

nga i dehuri i natës së kaluar,

piano e dëshpëruar, CD e gërvishtur,

një muzikë e lartë drejt qiellit e lëshuar

komshija dhe komshiu duke bërtitur,

çmimet, energjia, varfëria,

sytë i kam ngrirë në mes të mbulesës së re të tavolinës,

lulet e saj po çelin nga qetësia,

ndërsa brenda sfondit të zhurmës ngrihet pylli i errët,

pesëdhjetë e tetë vitet e mia

ëndrrat e tyre të dyfishta (gati të më kapin mat)

ndërsa më vijnë të përziera në gjumë,

dhe pesë shqisat të dehura nga kënaqësia

kungulli tashmë është në kosh,

zbutet e kalbet nga vetmia.


Nuk e di ku ndodhi. Si mund të ndodhte ndryshe?

E pashë në koshin e tij, dhe ndërkohë

- siç thotë vajza ime -:

Ky kungull është i kotë.

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page