Mesazhi pas një “enigme”
Fatmir Terziu
Çdo gjë kalon. Rrjedh. Ikën. Vjen dhe largohet. E panjohur? E njohur? E kuptueshme? E pakuptueshme? Çdo gjë përjeton ciklin e lindjes dhe vdekjes. Çdo gjë… atëherë ku është Shtegu? Këtë pyetje nuk e kam për veten. As për Ju. As … për fëmijët tuaj. Këtë pyetje nuk e kam për të gjithë. Këtë pyetje nuk e kam as edhe vetëm pyetje. Edhe pse Ju do t’i vendosni me gramatikë, me rregulla drejtshkrimore pikëpyetje, unë ende mendohem se kë shenjë pikësimi do të duhet të vendosja në fund të kësaj enigme. Të kësaj enigme disi shqetësuese. E fundja nuk e kam për notën, që duhet të më vihet nga korrektonjësi, as nga ajo që do të zgjojë leximi i kësaj note shqetësuese. Fundja…
Ku është Shtegu? Një shteg që këndon me hijeshi me dihamën tënde, me aromën e trupit tënd të gjallë, me lëvizjen e flokut të mbetur në suprinën e kokës mbi ballë. Në lartësitë e Parajsës Më të Lartë? Kisha dëgjuar, prej teje i shtrenjti Baba, se si e quajnë këtë vend. E di me emër, me vendndodhje, me shenjat e së shkuarës, me faktet e të shkruarës, me rrëfimet e së djeshmes, me udhëzimet e të ndjeshmes.
Nga Miti më i Lartë, drita e gjatë dhe retushimi i ndjeshëm i një dore të padukshme, mbi një mahijë të mbushur me aromë, nën një réfryrje të shkurtër syri udhëton i qetë për në qytetin antik të Jetës. Qyteti i Jetës është një qytet me antikitet të madh në Botën e Madhe dhe të Vogël, që i përket vetë Udhës, ku Njeriu lind, ngrihet, shtrihet dhe … pyet për këtë emigmë: Ku është Shtegu?
Ishte një shenjtor dhe një shenjtërore e padukshme në ditët e kësaj fryme shqetësuese, që doli nga e padukshmja dhe që kërkoi në bekimin profetik të regjistruar në Librat e Shenjtë zgjidhjen e vërtetë. Kur fjalët u mundën nga Fjala, kur mbeti vetëm enigma, të gjitha kurreshtjet përnjëmend, gjetën strehë në këtë vend. Sot, kjo strehë është e njohur për një hartë të madhe që rritet përditë dhe që ende nuk është votuar të hyjë në sinorin profetik të Tokave të Shenjta.
Kjo strehë nuk është as në ndonjë hartë.
Edhe pse strehëza të tilla janë harta më e vjetër e njohur e Tokave të Shenjta. Detajet janë befasuese dhe streha është e bukur. Në fakt, kjo strehë është aq e saktë sa të mëtejshmit, vazhduesit e Qytetit të Jetës e kanë përdorur atë për t’i ndihmuar të zbulojnë vendet e mëtejshme mistike, kur nuk ishin të sigurt për vendndodhjen e tyre në errësirën e ikjes. A nuk është e bukur?
Na duhej të prisnim jashtë Fjalëve të përcjelljes, derisa fjalët e shtruara ishin në udhën e tyre … në udhët e tyre. Ndërsa prisnim dihatjet, udhëzuesi ynë, Fati i Njeriut, shpjegonte në heshtje atë që do të shihnim dhe na dihaste nga padukshmëria, se çfarë të kërkojmë një herë brenda enigmës. Isha duke qëndruar në këmbë (duke u përpjekur të isha në pikën e duhur) mu nën një pemë ulliri. Ndërsa ndiqja me sy dhe ripërsërisja “Ku është Shtegu?”, më dukej sikur kurrë më parë nuk kam qenë kaq afër një dege ulliri!
Ku është Shtegu? Qielli i shtatë, i shtatë qiejve.
Ku fjalët, përshpirtjet, dhimbjet dhe lamtumirjet … dhe të gjithë Fëmijët e Shpirtit, vallëzojnë.
Rreth e rrotull në livadh, aty ku rriten lulet, ku i Përjetshmi sheh dhe vegjeton se si lulëzon Pema e Jetës.
Ku është Shtegu? Qëndro i qetë, pëshpërit kumuria, qëndro i qetë reagon pëllumbi. Ju keni një çelës! Është fryma. Ajo më pëshpërit. “Ndiqni frymën tuaj”. Për ku pyes veten, për ku? A duhet të marr frymë? Synimi i mendjes sime, qëllimi i zemrës sime, i lidhur nga një unazë e artë, rrymat e frymëmarrjes, në frymëra rrethohen. Kjo nuk është më enigma!
A e keni ndjerë atë? Ai moment qetësie. Pas hyrjes dhe para daljes ..., drejt hyrjes dhe ndaljes. Unë heshta dhe tunda kokën. Ku është Shtegu?
I shtrenjtiim, Baba, buzëqeshja filloi të mbulojë horizontin. Duke shtruar e shkundur me shkëlqim grimin e Ditës, ndjeja arsyen e kësaj enigme.
Gautama Buda, i njohur gjerësisht si Buda, që ishte një Śramaṇa e që jetonte në Indinë e lashtë, në kësi rastesh është shprehur: „Kjo ekzistencë e jona është kalimtare si retë e vjeshtës Të shikosh lindjen dhe vdekjen e qenieve është si të shikosh lëvizjet e një vallëzimi. Një jetë është si një rrufe në qiell, që nxiton, si një përrua poshtë një mali të pjerrët.“
Ndaj dhe mesazhi pas një enigme është vetë përgjigja e çdo dite. Përgjigja, pra është mesazhi i çdo dite. Nuk është thjesht një përgjigje … Është Dashuria që duhet të rritet! “Po!!” “Po!!” “Po!!” Ky është shtegu që nuk duhet të venitet. Ky është shtegu. Historia e jetës së fundit. Më pëlqen kjo frazë. Ka më shumë kuptim se sa historia e jetës, sepse ne marrim kaq shumë jetë midis lindjes dhe vdekjes. Një jetë për të qenë fëmijë. Një jetë që vjen në moshë. Një jetë për të bredhur, për t'u vendosur, për t'u dashuruar, për prindërit, për të testuar premtimin tonë, për të realizuar vdekshmërinë tonë. Dhe në disa raste me fat tipik njerëzimi, për të bërë diçka pas atij realizimi.
Nadire Baça Cala
Komplimente z, FATMIR. TË lexoj dhe rilexoj per të të kuptuar çdo frazë.
Skender Zogu
Urime
Merita Kuci
Kjo esse analizuese,argumentuese,treguese per çmimet me lartesi jeten. Flm.prof.Terziu per kete hulumtim te brendshem,te holle dhe detajues. ( ia vlen te trajtohet ne shkollat tona si nje harte e qyteterimit me vlera jetesore). Flm.
Erion Kristo
Bukur
Vanka Kruti
Bukur!