KUSH DUHET TË QAJË?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 3, 2021
- 1 min read

MASKA
Fatmir Terziu
Do të duheshin miliona vjet
të kuptonte njeriu misterin e frymës së tij.
Ti më detyrove.
E fshehur. Zbulova se thithja oksigjen
në një pus të errët.
E fshehta ime u zhyt thellë mes përthithjeve.
Brenda gojës u ribë struktura e një foleje
duke trembur kohën si zogu i një balade,
brenda meje.
Kur të flaka, ndjeva flakët
ishte djegur koha pa u kuptuar në atë pandemi
me shenjat e gjurmëve të tua nga lëkura, plagët.
KUSH DUHET TË QAJË?
Fatmir Terziu
Të gjithë dremisin. Të gjithë
shohin ëndrra
flasin në vetvete
me vetveten
në heshtje. Nuk ka asnjë shprehje,
asnjë buzëqeshje,
brenda një frike të (n)djeshme.
Nëse ky është një mallkim
ëndrrat duhet të klasifikohen në vetvete
si gjuhë inekzistente.
Nuk ka asnjë lloj shenje,
pa dhimbje në vetvete
brenda një enigme të një të vërtete.
Nëse strukim kohën në këtë kohë përtej mendjes
a e strukim njëri-tjetrin
nga koha e vdekjes?
Brenda ëndrrave fle errësira e kësaj enigme
që ka mbuluar fytyrën si bebelinat e një fëmije?
Duke mbuluar postulatet e një përrallë të lashtë,
puplat e zogjve bien poshtë si jargat
siç i mallkonin plakat.
Kur bie errësira
përtej maskave,
njerëzit shkruajnë vetëm me zanore
në dhimbje. Fjalët e strukura janë varre pa lamtumirje.
Nëse ky është një faj,
dhe ne mundohemi ta fshehim nën maskë
kush duhet të qajë?
Naser Aliu
Ishin të shkëlqyeshme. I lexova dhe i rilexova!
Nexhi Baushi
E veçantë, e lexova dy herë. Në leximin e parë mu duk diçka e largët nga epoka ku jetojmë, në leximin e dytë u ktheva tërësisht në epokën ku jetojmë në një realitet çmendurie të cilët po e kalojmë sikur të jetë normalitet. Vështrim poetik i një epoke që as e kishim imagjinuar. Suksese më pëlqeu normaliteti i jetuar në një kohë jo normale.
Une jam i pari qe duhet te qaje , se shejtanet po me marrin frymen. Urime, MYSLIMI.