Kush është hajduti?!



Nga Fatmir Terziu



Demir Lika e quanin atë. Kishte mbaruar shkëlqyeshëm shkollën e lartë. Por kishte dhe ide. Kishte dëshira të bënte diçka për zanatin, profesionin… për vendin, shkurt për Atdhe. Sapo e emëruan në një zonë të thellë verilindore, në një fshat të madh, e quajti veten disi me fat. Thuajse kishte çfarë të bënte me idetë e tij. Dhe ia nisi…

La varur në një gozhdë kostumin e tij të ri dhe ashtu mes baltës u vesh me rroba pune. Menjëherë trokiti në dyer zyrash dhe madje deri në ato qendroret për idetë e tij. Dhe i bindi. I bindi të ngrente pulari, të rriste pula si fillim. E nisi mbarë. Pulat filluan të shtoheshin. Vezët po shiteshin. E kështu fshati i asaj kohe nën kooperativë mori emër më shumë. Por kjo për një ose dy muaj…

Pse? Çfarë po ndodhte?

Pulat po pakësoheshin përnatë. Vezët?! Ah, vezët… raportohej se pulat i kishte zënë sëmundja dhe nuk bënin më vezë, edhe pse korri i britmave të pulave kur lëshonin vezët e mbushte Koçarrenin. Gjëmonte përroi tëposhtë. Gjëmonin dhe zyrtarët: „Ku qëndron problemi?“

Demir Lika u shqetësua. Po i shkonte dëm puna. Po i fikeshin idetë. „I rroftë shkolla!“- i thoshin nën zë e me zë. Si veteriner nuk shikonte asnjë sëmundje. Dhe çfarë bëri? Vendosi të qëndronte vetë rroje nate. U shpërngul të banonte aty ballë pularisë. Nuk flinte thuajse fare… Netëve…

Ç'të shihte? Hajdutët ia mësynin me forma të ndryshme. Ai bërtiste hajdutët, hajdutët, por ata lëshonin qentë. Qentë e stallave dhe pularisë aty afër nuk e njihnin Demir Likën. Qentë lehnin pas tij. Hajdutët vazhdonin punën e tyre. Pulat gati po firoseshin… Vezët…? E ku bëhej fjalë më për vezë?

Ai kërkoi deri në qendër të vendoste një rroje. E ata u bindën. Ia dhanë lejen. E zgjodhi vetë, një plak të urtë, të mençur e punëtor. Të besuar. Rroja quhej N. S. Për tre javë nuk u dëgjuan lehje qensh. Qentë nuk lehën më, dhe Demir Lika nisi të flinte rrehat, por prapë dora e hajdutëve kishte një mesele tjetër. Tjetra ishte se vjedhjet po pakësosheshin, dhe hajdutët vazhdonin me marrifet të ri. Ata ia mbyllnin derën nga jashtë rrojes dhe prapë vazhdonin misionin e tyre.


N. S. i shihte, i vëzhgonte, po nuk kishte çfarë të bënte? Nuk mund të kapte asnjërin. Nuk kishte mundësi. I tregonte Demir Likës, por nuk kishte fakte. Demir Lika kishte frikë se do ta bënin budalla, pasi kishte caktuar një plak kaq të urtë, sikurse njihej N.

Demir Lika u mendua gjatë e gjatë… Kur u bë gati për idenë e tij, aty u dëgjuan disa zëra nga lart në majë të kodrës: „E kapëm hajdutin!“ … „E kapëm hajdutin!“… „E kapëm hajdutin!“

Demir Lika vrapoi menjëherë për tek Pularia. Po ç'të shihte. Rroja i pularisë, ky plak i urtë dhe i thjeshtë, përplaste duart mbi xhepat e xhaketës dhe thoshte: „Unë nuk jam hajduti. Unë nuk jam hajduti“. Por, vezët rridhnin poshtë nëpër kofshë e pantallona, nga xhepat e xhaketës. Ai , plaku i urtë, gati sa nuk qante me dënesë, ndërsa ata britmëbërësit ulur në zyra gajaseshin dhe hakarriteshin sa mundeshin mes vetes: „Hë, kush është hajduti?!“



59 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif