top of page

Kush është fajtori i vërtetë?!


Ore ambasador!

Kush është fajtori i vërtetë?!


Në Portalin “Fjala e Lirë” të datës 08 dhjetor, lexova artikullin me titullAmbasadori shqiptar, Qirjako Qirko, godet “fushatën e diskriminimit” të shqiptarëve”.

Në atë artikull lexova disa gjëra të pakëndshme që nuk ia ngrenë autoritetin ambasadorit Qirko në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ishte ftuar nga deputetë britanikë për t’iu përgjigjur disa pyetjeve lidhur me shtimin e fluksit të emigrantëve shqiptarë që kalojnë Kanalin e Lamanshit. Ajo që binte në sy në takimin me ata deputetë, ishte shmangia e tij pothuajse tërësore nga përgjigjja për pyetjet që i qenë drejtuar. Është shumë e çuditshme për lexuesin se si ka mundësi që ambasadori të deklarojë se vetë ai dhe qeveria që ai përfaqëson, nuk kanë informacion për shtimin e numrit në rritje të shqiptarëve që emigrojnë drejt Britanisë së Madhe. Po ata shqiptarë të gjorë nuk zbresin nga Hëna, ata largohen përmes pikave kufitare të vendit tonë, duke filluar nga aeroporti i Rinasit.

Për të tjera pyetje që iu drejtuan, ambasadori vazhdoi po me të njëjtin avaz: nuk e di, nuk është problemi im, nuk dua të komentoj, nuk më lejohet të komentoj, nuk është përgjegjësi e qeverisë shqiptare, nuk kam detaje”. Atëherë rezulton se ai qenka jo ambasador, por thjesht një figurant-kukull në Mbretërinë e Bashkuar. Por më befasuese në atë takim me deputetët britanikë, ishte deklarata e tij:

“Shqipëria është një vend i sigurt”.

Vajmedet! Po atëherë cilat na qenkan arsyet, kush është fajtori që shqiptarët e shkretë braktisin vendin dhe nisen marrafrymas drejt Britanisë, se dihet që Evropa brukseliane është raciste në qëndrimin ndaj tyre? Po si qenka e mundur që Shqipëria të jetë një “vend i sigurt”, kurse njerëzit të largohen prej saj si djalli prej vetëtimës? Vallë mund të jetë i sigurt një vend, ku shumicën dërrmuese të banorëve të saj e ka pllakosur varfëria, një vend, ku gjenocidi ekonomik që qeveria antikombëtare e Ramës ka ushtruar dhe vazhdon ta ushtrojë pa mëshirë gjatë këtyre më shumë se nëntë vjetëve që kanë kaluar? Pra, sipas ambasadorit Qirko, rezulton se shqiptarët e braktiskan vendin e vet, si një “vend i sigurt”, jo për shkak të varfërisë, por thjesht për një “turizëm të përhershëm”.

Analizën mjaft tronditëse, me titull “Të gjithë duam të ikim. Reportazhi i “The Guardian”: Varfëria, jo krimi, nxit dëshirën për të ikur nga Shqipëria”, të botuar në Portalin “Fjala e Lirë” më 07 nëntor 2022, një analizë kjo tepër demaskuese për Ramën dhe për rrethin e puthadorëve të qeverisë së tij, a nuk do të ishte mirë që ambasadori Qirko ta vendoste në një kornizë të posaçme dhe ta varte në kabinetin e vet në selinë e ambasadës?

Sipas analizës së lartpërmendur, Dr Ilir Gëdeshi, eksperti kryesor i migracionit në vend, “i frikësohet një ikjeje të paparë truri”. “Të gjithë duan të ikin”, - thotë Arta Jorgi, e cila është 47 vjeç, flet tri gjuhë dhe ka tri diploma, por aktualisht, tundohet në operacionet mjekësore. “Korrupsioni është si kanceri këtu”, thotë ajo.

Ja, pra, kjo është ajo Shqipëria, “vend i sigurt”, sipas ambasadorit Qirko, i cili u përcjell deputetëve britanikë një informacion të rremë, një gënjeshtër me bisht. Domosdo, imiton Ramën. Se dihet ajo punë: kur gënjen prindi, fëmija infektohet menjëherë nga gënjeshtrat e tij. Kur gënjen ai që është në krye të vendit, vartësit e tij e pasurojnë edhe më shumë arsenalin e gënjeshtrave.

Një analist i njohur shkruante dikur për gënjeshtrat e Ramës në periudha fushatash zgjedhore:

“Ia nis përherë me rrena të stërmëdha, pastaj me ironi që këto kohë bëjnë veç atë për të qeshur…” (Citohet sipas: Agim Xhafka. “Rama si “Nevojtore” shëtitëse”. Faqja e internetit “Syri.net”. 28 qershor 2019).

Ja një rrenë e stërmadhe e Ramës, të cilën ia pati shprehur opinionit publik gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013:

“Ju do të merrni mbrapsht shërbimin shëndetësor falas brenda katër viteve të para të qeverisjes sonë… Shkoni shikoni spitalet, shkoni. Shkoni hapni sytë atje, si janë spitalet. Dhe kemi dëgjuar shumë nëpër lajme, media dhe kudo që shëndetësia është falas. Ku kujdesi shëndetësor ofrohet falas për të gjithë! Unë do t’ju jap këtë kopje të programit që unë po jua jap si kujtim nga kjo ditë dhe ju keni të drejtën që, pas katër vitesh, të vini të ma tundni dhe të thoni ku i ke, s’i ke mbajtur” (Citohet sipas: “Gënjeshtra e Edi Ramës”. Facebook. 13 janar 2021).

Pas katër vjetësh, askush nuk shkoi t’ia përplaste Ramës në fytyrë atë programin plot me gënjeshtra edhe për mjekësinë “falas”. Sigurisht, askush nuk mund të shkonte se dihet historikisht që populli dhe përgjithësisht mbarë kombi ynë, nuk ka pasur aftësi vetorganizuese.

Ambasadori Qirko shpreh pakënaqësinë e vet për “fushatën e diskriminimit” të shqiptarëve në Britani. Po Rama si reagoi ndaj asaj “fushate”? Rama “e krahasoi retorikën e qeverisë britanike me “ulërimat nga një çmendinë”” (Citohet sipas reportazhit të përmendur më lart të gazetës “The Guardian”). Pra, Rama, pa pikë turpi, i përcolli qeverisë britanike një fyerje shumë të rëndë. Pas kësaj fyerjeje të Ramës në adresë të qeverisë britanike, do të kishte qenë fantastike sikur ambasadori Qirko të shfaqte burrërinë, guximin dhe vendosmërinë e vet, duke dhënë dorëheqjen nga mandate i ambasadorit. Normalisht, një ambasador me dinjitet të lartë personal dhe diplomatik, do të jepte dorëheqjen menjëherë, se do ta ndiente veten shumë ngushtë jo vetëm para qeverisë britanike, por edhe para krejt opinionit publik britanik. Do të më kujtonte burrërinë, guximin dhe vendosmërinë e atyre ambasadorëve, të cilët, në mbrojtje të dinjitetit të tyre personal, në mbrojtje të bindjeve të tyre të patundura në shërbim të popullit të vet, kanë dhënë dorëheqjen pa hezitimin më të vogël.

Gjatë viteve 2017-2018 patën dhënë dorëheqjen ambasadorët amerikanë në Moskë, në Panama, në Estoni dhe i ngarkuari me punë në Kinë. Ata i lanë mandatet diplomatike për shkak të mospranimit të vendimeve politike të Presidentit Tramp. Në vitin 2020 dha dorëheqjen ambasadori i Bjellorusisë në Sllovaki, për shkak se nuk pajtohej kurrsesi me qëndrimin e Llukashenkos ndaj protestave që patën shpërthyer për shkak të manipulimit të zgjedhjeve presidenciale, zgjedhje, të cilat ai i ka manipuluar vazhdimisht, duke përjetësuar postin e presidentit që prej vitit 1994. Dhe ambasadori, duke mbajtur një qëndrim burrëror, braktisi mandatin dhe doli në përkrahje të protestuesve.

Rama s’mund të reagonte ndryshe, se fyerjet i përdor gjithmonë si një metodë argëtimi, paçka se të tjerët i poshtëron në një mënyrë tejet skandaloze. Leksiku vulgar që përdor në raste të tilla është karakteristikë për rrugaçë të regjur. Për qëndrimin që Rama mban ndaj kundërshtarëve të vet, analisti Agim Xhafka, në analizën e sipërcituar, ia ka dhënë shuplakën paq. Kundërshtarët e vet Rama i quan “derdimenë, dylqinja, noc rrokër, të hani atë që s’thuhet, iu zëntë në grykë, të na rruani l..., jeni trapa, do vrisni veten, do ju burgos, do ju izoloj, s’keni shpëtim... Nëse nuk je shqiptar, më e pakta, e merr për ndonjë aktor që luan role të caktuara kafshësh. Se ai qesh si dhelpër, këlthet si qen, ulëret si ari, shfryn si hipopotam. Por nëse e njeh, i fut frazën klishe: na doli prapë ky trapi!” (po aty).

Duhet pasur parasysh se Rama “e kishte një arsye madhore” për një fyerje të tillë për qeverinë britanike: si kalorës i helenizmit dhe si mik i kriminelit të popullit të Dardanisë, Vuçiçit, ai ka më shumë se nëntë vjet që po punon intensivisht për shpopullimin e Shqipërisë, Pikërisht ky është synimi i tij kryesor, kurse qeveria britanike i bëhet pengesë në arritjen e atij synimi. Dhe faktet janë tronditëse deri tani: për shkak të lakut të varfërisë që Rama, gjatë qeverisjes së tij antikombëtare, i ka hedhur në qafë shumicës dërrmuese të njerëzve që prej vitit 2013, vendin e ka braktisur më shumë se 25% e popullsisë. Sipas të dhënave statistikore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të cilat ambasadori Qirko është plotësisht në dijeni, “popullsia shqiptare rrezikon të katandiset me 860 mijë banorë deri në vitin 2100” (Faqja e internetit “Gazeta Si”. 09 maj 2022).

Nëse Shqipëria do të ishte “një vend i sigurt”, siç shtrembëron të vërtetën ambasadori Qirko në deklaratën e vet para deputetëve britanikë, ajo nuk do të shpopullohej në një mënyrë kaq katastrofike. Por ai deklaron asisoj se ashtu ia do puna, se është i detyruar të mos dalë nga hullia e mashtrimeve të agait të vet Rama. Një vend, ku shumicën dërrmuese të popullsisë, Rama dhe qeveria e tij e kanë mbërthyer në darën e varfërisë, nuk mund jetë absolutisht i sigurt për jetesën e njerëzve. Prandaj ambasadori Qirko le të ketë guximin burrëror dhe ta pranojë publikisht se fajtori kryesor për fluksin e emigrantëve shqiptarë në Kanalin e Lamanshit e ka Rama dhe vetëm Rama me tufën e tij qeverisëse, që nuk e çajnë kokën absolutisht për fatet dhe mirëqenien e popullit, por mendojnë vetëm për vetëpasurim. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Ruzvelt (Franklin Roosevelt - 1882-1945), ka thënë:

“Progresi ynë verifikohet jo me shtimin e bollëkut tek ata që tashmë zotërojnë shumë pasuri, por me aftësinë tonë nëse jemi në gjendje t’i sigurojmë në një mënyrë të mjaftueshme ata që kanë shumë pak pasuri”.

Pikërisht politikanët oligarkë, me Ramën në krye, janë varrmihësit më të pamëshirshëm të vlerave morale të njeriut në vendin tonë. Me babëzinë dhe makutërinë që i ka karakterizuar dhe që vazhdon t’i karakterizojë, ata kanë kultivuar me shumë kujdes praktika mëkatare në mjedisin shqiptar dhe madje e kanë infektuar kaq rëndë mbarë popullin, saqë jo pak njerëz, për shkak të varfërisë që i ka pllakosur, i kanë shndërruar në mercenarë fort të rëndomtë, saqë, gjatë zhvillimit të fushatave zgjedhore, janë katandisur ta shesin veten për një thes miell, kurse pjesa tjetër ka marrë rrugët e emigrimit nëpër botë.

Kaliforni, 10 dhjetor 2022

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page