KUR TË MARTONTE PARTIA...


ZYBA HYSEN HYSA: KUR TË MARTONTE PARTIA...

(TREGIM)


- Të mbeten vetëm dy rrugë; - e preu shkurt kryetari i Komitetit Egzekutiv, -

ose të marrësh për grua vajzën me të cilën bëre dashuri, ose do pushohesh nga puna dhe mund të shkojë edhe më keq... ti e di se si vepron Partia me njerëzit që si binden...

- Të thashë që nuk e dua atë vajzë, ajo është dhe e fejuar...

- Kur ishte e fejuar, pse bëre dashuri me të?

- Shoku...

- S’ka “shoku” këtu, ti kurrë s’mund të jesh shoku im! - Foli rrepte ai.

- Po ç’faj kisha unë, kur ajo vetë më erdhi në dhomë, natën... isha i dehur, pas

festës... të betohem për ideal të Partisë që s’mbaj mend gjë! – U betua, si nuk ishte betuar kurrë ndonjëherë.

- Ajo është komuniste dhe e besuar e Partisë, ajo vepron siç i thotë Partia...

- Domethënë ka qenë e organizuar kjo? Më paskeni ngritur kurth?

- Djalosh, mos harro se je me njollë në biografi...

Në këtë moment atij i shkuan të rrënqethura në trup e shqetësimi i mpiu dhe palcën. Në vitet e shkollës, sa herë që kontrolloheshin dokumentat, ai mbetej pa frymë, se dikur babai i tij kishte qenë disa muaj kulak, pa shkak, vetëm se ishte i pasur. Në të mijtën e sekondës mendoi tmerrin që kishin provuar njerzit me biografi “të keqe” dhe ngriu në këmbë, thua se dha shpirt, por qëndrimi para kryetarit si statujë e bronxtë provonte vetëm gjallësinë e trupit.

Komunizmi ishte kuçedër që hantë shpirtrat njerzorë e aq më keq në njerzit e fismë u bluante edhe kockat. Atij u duk sikur u shpla si qenëje njerzore e ndjeu një fre ashtu siç i fusin ariut për hunde dhe s’ish më i zoti të hidhte këmbët, po priste ta tërhiqte ndonjë. Ai vdiq, por duhet të mbijetonte i vdekur për hir të prindërve, vëllezërve, fisit të tij... ndaj pa e menduar gjatë foli duke ndjerë dhembjen e frerit por pa praninë e trurit:

- Do ta marr për grua...

- Kështu pra të do Partia... Të lumtë! Tani më dëgjo me vëmendje; Njerzit që i

binden Partisë, janë më të besuarit dhe tek ti do besojmë ashtu siç kemi besuar tek ajo vajzë që ju do kaloni jetën bashkë...

- Ju lutem, unë dua veç punën që kam të mbaj familjen...

- Puna do mbajtur, që të mbash familjen dhe ajo mbahet duke i shërbyer

Partisë për ta ruajtur nga armiqtë e brendshëm që i kemi në familje, në shoqëri, në punë ... kudo që jetojmë... Ti do jesh krahu i djathtë i Partisë!

- Ju më thoni të bëhem spiun?

- Jo spiun, shërbëtor i Partisë! S’do kesh ndonjë gjë të madhe, do të

transferojmë në një fshat, ku do t’i marrësh detyrat në vazhdim nga persona të besuar... Shko tani dhe të trashëgoheni! – Përfundoi bisedën duke i shtërnguar fort dorën.

Ndjeu “frerin” që e tërhoqi dhe u kthye, si një robot zgjati dorën dhe hapi derën. Ftohtësia e dorezës i solli ndjesinë e gjarpërit. Ai tashmë ishte pickuar nga ky gjarpër për të marrë vetitë e gjarpërit, që helmin e tij t’ua transmetonte të tjerëve. Kështu ishte komunizmi, ai ishte një lloi elektroshoti që të shtrydhte trurin dhe të vriste shpirtin për t’u kthyer “në njeriun e ri komunist”. Tash ai ishte veshur me kostumin e Njeriut të Ri Komunist e pse s’kishte përmasat e tij e një ditë sigurisht do shqyhej e do të rifitonte sërish kostumin e fisnikërisë së trashëguar ndër breza prej fisi i tij.... Mbase...

Kaloi nga Seksioni i Arsimit për të marrë emërimin e ri dhe pa se ishte caktuar në një fshat të vogël si përgjegjës i Vatrës së Kulturës, për të cilën, as shkollën për të nuk e kishte. Sapo mori vendimin, u nis për në fshatin, ku do të varroste shpirtin që i vdiq disa minuta më parë në zyrën e Komitetit Egzekutiv.

Për çudi, kur arriti tek puna e re, gjeti vajzën që do martohej bashkë me sekretarin e Partisë që e pritën buzagaz.

- Të trashëgohesh! - Tha sekretari e në vend që t’i jepte dorën, përqafoi fort vajzën që do bëhej gruaja e tij.

- Ne do jetojmë këtu disa ditë sa të qetësohet dhe familja ime, se u ndava nga i

fejuari për ty! – Tha ajo duke u shkëputur nga krahët e sekretarit.

- Jo, ne do të shkojmë në shtëpinë time...

- Pse nxitohesh o çun, - ndërhyri seksetari, - dhomën ua kemi gjetur dhe ne do

na keni pranë për çdo gjë.

Ai e kuptoi që s’mund të kundërshtonte, ndaj freri e tërhoqi të shkonte pas tyre. Në tavolinë ishin dy filxhanë kafe dhe dy gota raki. Nuk kishte kohë të mendonte, se sekretari urdhëroi vajzën t’i sillte shishen e rakisë.

Ti do kesh gjithë zonën për aktivitetet kulturore, ku do kesh të bësh me vajzat më të bukura të zonës nga të gjitha moshat, si t’i duash... – Foli duke shkelur syrin dhe duke hedhur përsëri dorën në qafë vajzës që do bëhej gruaja e tij.

- Mua më mjafton një rrogë të mbaj familjen, shoku sekretar...

Kështu, dashje pa dashje ai u gjend i martuar në këtë fshat larg famijes dhe afër Partisë. Për të qenë një martesë e suksesshme e ndihmonte shishja e rakisë, ku për çdo darkë ishte pothuaj i dehur. Një ditë vjen sekretari dhe i thotë:

- Gruan duhet ta dërgoni në shtëpi, se e keni shtatzënë dhe nuk e përballon

fshatin, atje i kemi gjetur një punë të rehatëshme, ju do rrini këtu dhe keni detyra të reja.

- Faleminderit, sekretar... – foli gruaja, ndërsa ai qëndroi sikur ishte një

spektator e jetës së tij.

S’kaluan dy ditë dhe një pasdite, tek rrinte i shtrirë në shtratin e drunjtë që i kishte falur këshilli fshatit, ashtu i dehur, dëgjoi të trokitura të forta në derë, thua se ishte policia.

- Kemi ardhur me porosi të Kryetarit të Komitetit Egzekutiv të bisedojmë me

ju... – Foli njëri nga ata që hynë brenda.

- Urdhëroni foli ai i nxitur nga freri që komandonte jetën e tij.

- Kemi ardhur të ngarkojmë një detyrë shumë të rëndësishme, por edhe të

bukur...

- Për çfarë bëhet fjalë?

- Do të ndjekësh një vajzë të pabindur e cila mund të bëhet rrezik për rininë e

zonës. Ajo ka ardhur nga shkolla me rreth të kuq, ju e dini çdo të thotë rreth i kuq, izolim ose ekzekutim, por ajo ka një të afërmin e saj në Komitet të Partisë, ndaj do punojmë me zgjuarsi, duke diskretituar atë, kemi njollosur këtë që kemi në Komitet. Meqë është femër, duhet ta degjenerojmë deri në atë pikë, saqë njerzit ta tregojnë me gisht... Kjo mjafton! Je i lirë të bësh çdo gjë me të, për këtë e është njoftuar dhe gruaja jote e do kesh liri të plotë...

- Nuk po kuptoj se çfarë më duhet të bëj?

- Partia kërkon të dukesh, sikur ke rënë në dashuri me të... Punë e bukur

ëëëëë? Po duhet të kesh kujdes... ajo ka lexuar shumë, por është sa e zgjuar, po aq naive për realitetin. Ajo jeton me botën e librave, mundohu t’i shfaqesh si nëpër libra...

@@@

Tek po shkruante një program pune për muajin, troket dera dhe pasi ish mësuar me njerëz sa hynin dilnin, pa e ngritur kokën tha “hyr” dhe vazhdoi punën.

Ajo u afrua me hap flladi dhe e përshëndeti me pëshpërimë gjethesh. Ai ngriti kokën dhe për herë të parë ndjeu gjallësi në atë pjesë të qënies së tij që kishte vdekur me kohë. Një fërgëllimë e lehtë i përshkoi trupin dhe në vend të përgjigjej përshëndetjes së saj, humbi brenda kësaj krijese që nuk kishte takuar herë tjetër jo vetëm në këtë zonë të largët, por askund në jetën e tij.

- Më thanë që më keni kërkuar... – Foli ajo, kur dalloi shtangjen e tij.

- Po, po... ulu, - i tha dhe filloi të merrte veten dhe në të njëjtën kohë donte të

vriste veten që do shkatërronte një vajzë të bukur e të brishtë, si një bime në fillim pranvere që ka nisur të lulëzojë...

- Unë jam...

- E di se më kanë folur shokët e Partisë... do të merremi me organizimin e

koncertit që do të jepet nëpër brigada me rastin e festës së Çlirimit të Atdheut. Ju keni ardhur nga bankat e shkollës dhe sillni frymën e re... – Filloi ai të bënte punën e ngarkuar dhe ai fërgëllim që i përshkoi trupin u shndërrua në breshër kokërrmadh brenda tij.

Çfarë të ishte vallë? Ai kurrë s’kishte pasur, as gëzim, as dhembje që nga dita e bisedës me Kryetarin. Mos po përgatiste fundin e tij?

Që nga ajo ditë, ai nuk u nda asaj, ajo në punë, ai i shkonte atje për ndonjë arësye pa arësye, ajo në aktivitete me rininë, ai atje, ajo nëpër mbledhje, ai e shoqëronte për atje dhe e priste për ta dërguar në shtëpi. Filloi një lloj gjendjeje që vërtet vajza nuk e duronte dot dhe shpesh i thoshte që të mos vinte pranë saj, se njerzit do të pëshpërisnin dhe ju jeni edhe i martuar... Ai s’po e kuptonte më se çfarë e nxiste të rrinte kaq gjatë me të, detyra, apo dëshira për të biseduar me të, për të ndjerë praninë e saj, zërin e saj, frymën e saj, magjinë e saj që shpërndante në mençurinë dhe sinqeritetin e saj... Brenda tij filloi dueli i detyrës dhe i ndjenjës. Punëdhënësit e qortonin që ai nuk e kishte “shtënë në dorë”. Kushedi sa herë kishin qënë vetëm, ditën apo natën e ai s’kishte guxuar të zgjaste dorën. Se ç’kishte një mburojë ajo vajzë që bëhej barrikadë i epsheve mashkullore, ajo të nxiste gjëra më të magjishme se epshi, ajo pak nga pak i solli në jetë shpirtin e tij të varrosur dhe nuk kishte më as më të voglën frikë se çfarë mund të bënin me trupin e tij...

@@@

- Të kemi ngarkuar një detyrë dhe nuk po e kryen, - u hakërrua një ditë tek sa

e thirri në zyrën e tij kryetari i Komitetit, më thoni nëse nuk e bëni dot, të ngarkojmë një tjetër, por mendoje mirë se çfarë pasojash do të keshë...

- Më jepni një detyrë tjetër, nuk e kryej dot... ju lutem më jepni detyrë ku

rrezikoj jetën time, vetëm atë jo...

- Mirë atëherë, ju do të evidentoni çdo fjalë që thuhet kundra reformave që po

bëhen në fshat, si për tufëzimin, apo dhe opinione të ndryshme... i dua me emra konkretë, ndryshe bëhu gati për... e di ti çfarë dua të them. Kjo qe prova e parë për ju, provë, ku ti dështove...

Largimi i tij prej saj u vu në dukje shumë shpejt dhe prania e një njeriu të veshur me pushtet e me kostum e kollare filloi ta kërkonte shpesh në zyrë dhe t’i ngarkonte detyra, ku edhe mund të shkonin vetëm, por vajza ishte aq e ndershme dhe e sinqerte, saqë as ai më horri s’guxonte të “vinte dorë”, ndaj një ditë teksa e thirri në zyrë, i shprehu “ndjenjat”, por ajo doli me vrap nga zyra duke i thënë që po e thirri dhe një herë do ankohej në organizatën e Partisë...

Gjërat filluan të vështirësoheshin, por më vështirë e kishte ai që kishte rënë në dashuri dhe kurrsesi s’mund ta lejonte degradimin e saj, ndaj një ditë teksa po ktheheshin nga një mbledhje i tha:

- Do vij të shoqëroj për në shtëpi.

- Mirë, - i tha ajo që tashmë kishte krijuar besimin e saj.

Ishte një natë e bukur me hënë, me një hënë që ndriçonte deri të dalloje lulet e qershisë nga gjethet, ku kurora e saj kishte pushtuar dy anët e rrugës dhe lëshonte hijen mbi rrugë. I pushtuar nga ai zjarr që digjte brenda tij, pa e kuptuar tekasa ajo ecte para tij, e kapi për krahu dhe e ndaloi.

- Të lutem, mos i beso Bastriut, është imoral... Mos i thuaj njeriu për këtë që

po të them...

- Nuk më intereson se si është, unë vetëm kam marrëdhënie pune...

- Të dua moj, ndaj kam frikë nga njerzit, më mirë të vdisja se sa të mendoja që

dikush të bën keq ty!

- Lëshomë! – Ulëriti ajo, sikur ta kishte pickuar gjarpëri, - Unë të kam besuar aq shumë, saqë dhe gruan tënde e kam shoqe e ajo sillet mirë me mua.

Çfarë duhet të bëj që të më besosh? Më thuaj, çfarë duhet të bëj që të kuptosh se s’po të gënjej... Unë di shumë gjëra, po... s’mundem të flas, më beso... – Tha ai dhe e rrëmbeu mes krahësh duke e shtërnguar, sikur kishte frikë se po ia rrëmbenin.

- Lëshomë! Të gjithë njëlloj jeni, ty të besova si Zotin, po dhe Zoti mbase nuk është më Zot... - Tha ajo dhe u shkreh në vaj...

- Unë kam 3 vjet që rri me ty, si nuk kam ndenjur me njeri tjetër, - foli ai duke ia fshirë lotët që i rridhnin rrëke, - por besomë që ditën që u shfaqe në derë të desha e sot të dua më çmendurisht, - tha dhe as vetë nuk e kuptoi sesi e puthi me aq zjarr, saqë ajo mbeti e dorëzuar.

Puthje nëpër lot është si një zjarr që shuhet me benzinë, ndaj ajo u derdh në krahët e tij e mbetën nën kurorën e qershisë së lulëzuar si për tu mbrojtur nga realiteti i tmerrshëm.

- Eja të arratisemi! – Foli ai me zë të lartë.

- Ç’thua? Më dashke të varros njerzit e mi për së gjalli?

- Unë nuk e dua gruan... ma dhanë me zor... – Tha ai dhe i tregoi gjithë historinë.

- Ti po më tremb... dhe më ke dashur dhe më le në duar të spiunit tjetër?

- Mos më mendo spiun... Kjo ka qënë tortura më e madhe, ndaj nesër do shkoj

në Komitet dhe do të them që jam penduar e do të ndjek unë... Njerzit le të thonë çfarë të duan, unë të dua, dhe ata të mendojnë, se po loz me ty për të diskredituar, me kohë do mendojmë se çfarë do të bëjmë për të qenë bashkë për jetë. Të lutem, po të flas me zemër në dorë... – Tha dhe u nisën drejt shtëpisë së saj më të heshtur se nata, por me shpirtra të hënëzuar nga dashuria...

Në një sistem ku edhe shpirtin nuk e ke tëndin, se kur nuk ke mundësi ta ushqesh me dëshirat e tua, me dashurinë tënde, edhe në mes të flakëve të dashurisë ndjen acarin që të mbështjell dhe flakët shndërrohen si hije fari që pasqyrohet në det e anija e jetës fundoset. Këtë e dinte mirë ai, ndaj sa herë takohej me vajzën, përqafoheshin, putheshin pambarim, sikur donin të thithnin helmin e njëri – tjetrit, por ai s’guxonte për më tej, se ishte i bindur që ata kurrë nuk do ishtin të njëri – tjetrit.

Tashmë “spiuni” e kishte shumë të lehtë takimin me të, po edhe Partia ishte e kënaqur, se të gjithë filluan të flisnin keq për vajzën, bile ndërtoheshin iskenime, sikur ajo ishte e rrugëve...

Koha kalonte dhe kur dëgjonte të gjitha sa fliteshin për të dashurën e tij, i duhej të pranonte që ajo ishte e tillë dhe kjo i solli traumë psikollogjike, saqë filloi të fliste nëpër gjumë me zë dhe e shoqja e denancon tek kolegët e saj spiunë.

- Ju të njollosurit në biografi jeni të pandreqshëm, Partia duhet t’u kishte

zhdukur deri në rrënjë, ne të ngarkuam detyrë për ta diskredituar, ju bini në dashuri...

- Jo, s’është e vërtetë...

- S’duam të biem në sy për të marrë masë për ju, se na duhesh, por atë do ta largojmë në një shkollë tjetër dhe atje do jetë një “specialist” që do të merret me të... shko tani dhe kryej detyrat tjera që të kam dhënë!

Ai doli nga dera e Kryetarit dhe u duk sikur hyri në një burg dhe e ndjeu veten të lidhur këmbë dhe duar siç bënin dikur në skllevrit dhe u ndje krejtësisht i pafuqishqëm për të ndihmuar të dashurën e tij. Edhe mendimet ishin të prangosura e nuk arrinin deri tek arësyeja. Ndjeu fundin e tij, por shpirtin e ndjeu më të gjallë se asnjëherë tjetër, atë nuk e linte të vdiste dhembja që i shkoktoi dashuria.

Ku të shkonte? Pse të shkonte? Çfarë do të bënte? Tek e dashura nuk mund të shkonte, ndaj u nis drejt robërisë së tij, drejt shtëpisë ku e priste ferri i përgatitur nga Partia. Mori tre ditë raport dhe të tre ditët i shtrirë si t’i kishte rënë paralizë. Gjumi e zgjonte dhe fliste me zë e spiunia bashkëshorte i rregjistronte... As hëngri, as piu, as foli, as dëgjonte se çfarë i flisnin, thua se kishte rënë në letargji. Pas tre ditësh, u ngrit, shkoi në dollap dhe mori rrobat, u vesh dhe doli.

Ishte agu i parë, aq sa nuk dallohej mirë në kishte zbardhur agimi, por e vetmja gjë ishte që të shkonte diku dhe ta shikonte nga larg në kohën që ajo shkonte për në punë. Vatra e kulturës ishte pranë shtëpisë së saj dhe aty ishte një gur i madh, pothuaj sa ai që rri në ajër në Mekë dhe ai arriti aty gati një orë para se të dilte vajza për në punë. I ulur mbi gur dukej si një zog i trembur. Dhe ja, ajo doli dhe siç e kishte bërë zakon vështroi nga puna e tij dhe shtangu... Fashiu sytë, se mos ishte në ëndërr, po ai ngriti dorën dhe e përshëndeti e më pas bëri sikur rregulloi flokët që të mos e dallonte njeri. Edhe ajo ngrit balluket që i kishin zënë ballin dhe u nis drejt punës, nga ku do kalonte nëpër një pyll e do ecte gati një orë larg. Kur ish futur në thellësi të pyllit, dëgjoi zërin e tij që e merrnin grykat tutje dhe ia sillnin jehonën si rënkimë. Ndaloi. “Mbase më bëjnë veshët!” mendoi dhe u nis përsëri, por zëri i tij u ndje si krismë arme dhe jehona iu kthye si ofshamë e një të vrari para se të rrëzohet.

Nëse ai ra në dashuri që në çastin që u çfaq para tij, ajo si vajzë që ishte, pranoi dashurinë e tij, thjesht nga miqësia e gjatë, ndaj në një kohë që ai bënte luftë mendimesh për të qënë pranë saj, ajo gjatë këtyre tri ditëve kishte luftuar me zemrën, aq shumë, saqë e kishte bërë të heshtë, apo më mirë të them e kishte mashtruar dhe ajo kish rënë në agoni. Ajo mendonte që do ta donte nga largësia, por ofshama e jehonës së zërit tij i çpoi zemrën tej e tej dhe e bëri të ofshajë e të zgjohet, por ky zgjim ishte stuhi zemre, i preu fuqitë dhe u ul mbi një trung, pak më lart rrugës. Dashuria lind edhe pas vitesh që e njeh një njeri, mbase tek ajo po çilnin vërtet filizat e parë të saj. Zëri shtinte si pushkë, gryka e sillte herë si rënkimë, herë si ofshamë, derisa arriti fare pranë saj duke vrapuar i mbuluar në djersë. Nuk e vuri re dhe vazhdoi përtej drejt punës së saj, por ajo u ngrit dhe i thirri.

Qëndroi. Gryka heshti, pylli qeshi, përroi filloi të kompozonte simfoni mbi tastjerët e gurëve dhe bota u shemb dhe u rindërtua brenda një çasti e ata u gjendën në krahët e njëri - tjetrit. A ka mundur vallë një penë sado e artë të përshkruajë çfarë ndjejnë dy të dashuruar në rrethana të tilla!? Jo, këtë s’mund ta përshkruajnë, as edhe ata vetë që e përjetojnë këtë ndjenjë. Ata ishin dhe s’ishin gjallë, ishin dhe s’ishin njerëz, ishin dhe s’ishin frymorë, por duke e parë nga larg dua të them që ata më mirë të ishin kafshë të këtij pylli, ky shigjetat e realitetit s’arrinin, sesa të ishin njerëz, por përsëri ata s’do pranonin të ishin kafshë, se kurrë s’do përjetonin këtë çast magjik, aqsa për mijëra jetë e pse mund t’u sillte mijëra vuajtje...


72 views

Shkrimet e fundit