top of page

Kur qesh një Ambasadore


Leon Lekaj


Para pak ditësh, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zj. Juri Kim, me një buzëqeshje, e cila prekte të dy skajet e veshëve, në një takim me qytetarë shqiptarë dhe turistë amerikanë në qytetin e Voskopojës, tepër e entuziazmuar iu tregoi atyre për bukuritë e vendit tonë dhe theksoi se “kurrë më parë nuk kam qenë në një vend që i duan kaq shumë amerikanët”.

Amerika është aleat i shqiptarëve dhe shqiptarët ia kanë shpërblyer atyre me të vetmet monedha që ata kanë në zotërim; dashurinë dhe besën ndaj saj. Por zonja Kim dje shkoi pak më larg, për të treguar dashurinë e pakufijshme të SHBA-së për popullin tonë, kur deklaroi që SPAK duhet të hetojë vjedhjen dhe blerjen e votës.

Të hetojë vjedhjen dhe blerjen e votës?

Jo, zonja Ambasadore! Mos e udhëzoni SPAK që ta bëjë këtë!

Mos i merrni në qafë delet e bindura të këtij sistemi të kalbur deri në palcë! Lerini të lira!

Së pari, sepse të gjithë e dinë dhe e kanë kuptuar që peshqit e mëdhenj, të cilët kemi dëgjuar shpesh herë se do të “serviren në tiganët e drejtësisë së re” nga ish ambasadori (kinez edhe ai) apo edhe në ato tuajët, mbeten jashtë dhe askush nuk ka dëshirë që të shohë ndonjë të mjerë, të cilin shefat e tij e kanë kërcënuar me vendin e punës (nënkupto bukën e gojës) apo mjete të tjera, të përpëlitet në tiganët e drejtësisë së Ramës, Rucit & com.

Së dyti, sepse Ju, më parë se të bënit këtë gjest, bëtë atë tjetrin; u ngutët për të uruar kampin e vjedhësave dhe blerësve të votave dhe tashmë veprimi Juaj, ashtu si në lojën e shahut, është një lëvizje me vonesë dhe si e tillë, e pavlerë, e kotë. Më shumë se gjithçka kjo lëvizje, e cila në gjuhën e bukur shqipe përcaktohet me shprehjen tonë popullore “si kofini pas të vjelave” shkon si një arnë, në zgjedhjet e pista, të vjedhura dhe të zhubrosura të pushtetit më të korruptuar që ka pasur ky post tranzicion i gjatë dhe i mundimshëm. Sepse me ngutjen për të uruar “fituesin” ende pa dalë rezultati zyrtar (i thënçin), gjesti Juaj u konsiderua si një “shkishërim” për opozitës e vërtetë dhe përpjekjet e saj për të luftuar me ato pak mjete që i kanë mbetur montimin e një pushteti autoritarist. Në këto kushte, si të mos mjaftonte “i gjithë pushteti sovjetëve”, si qershia mbi tortë, Ramë-Doshit & com. shkoi urimi juaj, i cili për hir të vërtetës, edhe pse në një vend të mirëfilltë demokratik, nuk do të kishte as më të voglin konseguencë, por tek ne është ndryshe.

Pra, duke e ditur që fjala Juaj, edhe sot mbas tridhjetë viteve pluralizëm në këtë sistem “demokratik” ka vlerë të lartë, cila është arsyeja që Ju deklaroheni për atë që e quani “hetim të krimit zgjedhor”?

A nuk mendoni se për tridhjetë vite shqiptarëve ju kanë ardhur në majë të hundës “presionet” e ndërkombëtarëve, të cilit gjithmonë para zgjedhjeve deklarohen se ato “do të jenë një test që Shqipëria të plotësojë kriteret për të hyrë në BE” dhe kur pas tyre edhe pse ato vidhen e blihen prej pushtetit, edhe pse ato zhvillohen nën presionin dhe frikën e bandave të qeverisë, apo nën trysninë e vendit të punës, ata, në bashkësinë e së cilës kësaj radhe hyni edhe ju vetë, vënë gishtin mbi opozitën, duke thënë që ajo duhet të njohë rezultatin. Kur do të marrë fund kjo praktikë, e cila për fatin e keq, nuk pohohet me zë të lartë, por po i çon shqiptarët drejt humbjes së besimit tek miqtë e vet tradicionalë?

Zj, Ambasadore!

Shumë ish funksionarë të shteti të djeshëm, vazhdojnë të vjellin vrer për Amerikën, por tashmë grupi i tyre i vogël nuk është më ai i pari. Zërave të tyre ju janë bashkuar edhe ata, të cilët në 1996 e kuptuan që vota e tyre nuk shkoi në vendin e duhur, ndërkohë që funksionari më i lartë i ambasadës Suaj, thurte lavde për pushtetin dhe kryeministrin e athershëm, zërit të tyre ju është bashkuar edhe ai i 21 Janarit, kur në kryeministri u vranë katër demonstrues, në të njëjtën kohë kur ambasadori i SHBA, e deklaronte Sali Berishën “burrë shteti”, atë Sali Berishë, i cili sot, pas tetë vitesh pa pushtet deklarohet “non grata” prej DASH-it.

Mendoni tani, Shkëlqesia Juaj, se çfarë zhgënjimi dhe dhe në çfarë depresioni ndodhet një pjesë e elektoratit të djathtë, ata, të cilët nën regjimin e E. Hoxhës, ëndrrën amerikane e kanë patur në vend të Biblës. Mendoni se si ndjehen ata kur ju shohin krah për krah me Rucin & com. kur ju shohin tek nguteni me ndërhyrjen Tuaj të shndërroni në legjitim, një regjim, baza e të cilëve vjen nga ata, të cilët kanë vrarë dhe kanë prerë ëndrrën e tyre amerikane.

Ambasadorja amerikane, zj Juri Kim po shfaqet e qeshur këto ditë.

E drejtë e çdo kujt, por unë do t’i kujtoja Shkëlqesisë së Saj se është lehtë të jesh mik me qeverinë, por që të jesh dhe të mbetesh mik i një populli kërkohet që të mos mbash gjithmonë anën e më të fortit. Çdo kush duhet që atë gur peshe, të cilët shqiptarët me besimin e tyre ju a kanë dhuruar ta vendosnin në krahun e duhur të balancës. Vetëm në këtë mënyrë, miqësia e shqiptarëve për Amerikën nuk do të gërryhet prej dyshimeve të forta dhe do të mund të mbesë ashtu siç e deklaroni Ju!

L. Lekaj

Athinë Qershor 2021

181 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page