
(Rreth vёllimit poetik” Ç’t’i bёj shpirtit tё poetit” tё Hekuran Halilit)
“Mund tё shkёputesh njё njeri nga vendi i tij,
por nuk mund tё shkёputёsh
vendet nga zemra e njeriut
Jon Dos Passos
Në "magmën jonike" të poezisë, disi tjetërlloj në stilin dhe estetikёn e tij, po le gjurmë në poezinë bashkëkohore shqiptare dhe krijuesi Hekuran Halili me nostalgjinë e tij poetike. Me përvojën, përjetimet, bohemizmin e tij kreativ, ai po bëhet pjesë e dëshmisë në traditën shkrimore duke na zgjeruar kujtesat etnike, mjegulluar nga harresa, përmes një gërshetimi të trashëgiminisë krijuese dhe të modernes bashkëkohore me magjinë e fjalës së bukur poetike. Në poezitë e këtij libri, gjithçka ndodh përmes një errupsioni shpirtëror të krijuesit jonian, sepse ai s'ka "Ç't'i bëjë shpirtit" i cili i shpërthen si magmë nga malet që përkrenojnë Konispolin, merr aerosolin e bajameve, vesh gjelbërimin e Ajtoit e të dafinave të Butrinitit dhe freskohet në buronjat e Akeronit.
Gjithçka që vjen nga kjo amalgamë poetike, gatuar bukur me majanë e folkut krahinor, bëhet një dëshmi e jetës dhe e traditës si vlerë kohore, pa të cilën nuk mund të ndërtohet e ardhmja.
Një etalon përfaqësimi dinjitoz në këto kontekste është poema "Poema e gurit" ku autori në definimin e tij poetik e "pagëzon":
" Dhe tani që të gdhenda e të zbukurova
do të pagëzoj,
me një ceremoni pellazgjike,
me një nga burimet e Akeronit,
me një degë dafine Butrinti,
me një kurorë ulliri thesprot,
me një krah lisi Dodone."
Qoftë edhe me këtë poemë, Hekurani afirmohet si një poet i plazmuar në memorien e lexuesit, si një përzgjedhës i fjalëve të kultivuara me kujdes nga koha, si gur themeli, apo guri këndor në godinën e bukur të poezisë, si një testament në peshën e mendimit patriotik, kreativ në një jetë më tё sigurtë në tё ardhmen, ngritur mbi themelitё e së kaluarës, e gurët këndorë tё sё ardhmes sepse:
"Mjafton një psherëtimë erëvjeshte,
nga Qafëbota t'nisë të fryjë,
majën e lisit t'nisë lëkundë,
t'më marrë hopa si fëmijë,
t'më ngrejë lart në ajri
at'here unë
rrugën nis marr
si i marrë,
për ty,
Çamëri..."
