Kur poezia shkruhet me Frymë dhe Talent
Prof Dr Fatmir Terziu
Ndonjëherë mjafton një lexim. Mjafton një cikël poetik dhe një shtysë që të ndjesh bukurinë e vargut poetik, të kuptosh të shkruarën me frymë dhe me talent të poezisë. Dhe kjo mjaft e thjeshtë. Para disa ditësh shkrimtari Xhevat Mustafa më ngacmoi duke më dërguar një cikël poetik të autores Irena Kuka Dragoti dhe kështu ky ngacmim më shtoi 'etjen' të shkoja më tej leximit. Me këtë rast si gjithnjë i hodha një sy kërkimit online dhe gjeta sërrish poezi të botuara në disa faqe serioze, që tashmë kanë vendosur emrin e tyre serioz në botime. Natyrshëm më tej kërkova të lexoja dhe vëllimin e saj të parë, që ka një titull të dhimbshëm „Stinë ikjesh“, por që në thelb një bukuri aestetike dhe një mesazh që vjen nga e njohura preambulë e shkrimit se historitë e dhimbshme të ikjes mund të tregojnë historinë e bukurisë së dhimbjes së një kombi.
Dhe në këtë ikje të stinëve, natyrshëm ndjen thelbin e vetë ikjes, që në familjen e ngushtë të kuptimit veprimor të gjitha afërsitë kanë në thelb jo thjesht ikje, arratisje, shpëtim, dalje, arrati, rrjedhje, por një produkt që vjen nga vetë konteksti kohë, hapësirë dhe vend. Sakaq në sytë e mi u shfaq një nga poezitë më të reja të autores që titullohet „Fluturim i ajërt„ e që tashmë ri-plotëson vetë kontekstin e ngritur vargor në këtë pikë të autores. Ikja nga ajri në këtë kontekst, nën vetë kuptimin e saj fluturim i ajërt, na shpie tek lidhja dialektike, nënë dhe bijë ku mbetet vazhdimësi dhe produkt i vetë jetës, pasi sipas autores „Vdekja e nënës nuk është gjumë, as gur varri/Por një fluturim i ajërt jetës përreth …“ (Dragoti, Fluturim i ajërt). Por, në këtë fluturim të ajërt kjo poezi merr një kuptim të dyfishtë, ashtu sikurse vetë konteksti i ikjes, që shumëfishohet në kuptime të tjera, madje dhe jashtë fjalorëve ekzistues. Poetja jeton dhe krijon larg Atdheut të saj, Shqipërisë, larg Elbasanit të saj të dashur, pra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm për të, por për të gjithë ata që janë nën këtë kontekst diskursiv të ikjes, janë një vend me popuj indigjenë dhe emigrantë. Banorët e SHBA-së flasin gjuhë të panumërta dhe kanë një mori përvojash dhe kujtimesh shpesh të patreguara, që kanë ngelë dhe mbetur nën siparin e padukshëm të vetë ikjes, ndoshta edhe më të madh se vetë procesi dhe produkti ikje, apo fluturim i ajërt. Ata mbajnë kultura dhe zakone nga kombet e afërta dhe të largëta, po aq dhe thelbin e tyre, që në jo pak raste kumbon dhe jep tingëllimën diskursive të estetikës poetike. Në këtë kontekst, poetja Emma Lazarus shkroi një sonet në 1883 për të ndihmuar në mbledhjen e fondeve publike për të ndërtuar një piedestal për Statujën e Lirisë, por ajo mori pak njoftime, kur u publikua, dhe nuk luajti asnjë rol në hapjen e statujës. Pas vdekjes së saj, "Koloseu i Ri" do të bëhej ndoshta poema më e famshme e një poeti amerikan. Falë përpjekjeve të miqve të Lazarus, pas vdekjes së saj, poema do të shtypej në një pllakë dhe do të vendosej në piedestalin e Statujës së Lirisë. Rreshtat e famshëm, „Më jepni të lodhurit tuaj, të varfërit tuaj,/Masat tuaja të grumbulluara që dëshirojnë të marrin frymë të lirë“ janë ndër vargjet më të cituara në poezinë amerikane dhe i kanë shërbyer vendit si një etikë joformale imigrimi që atëherë. Poezitë bashkëkohore të poetëve dhe poeteve shqiptare, sikurse dhe në këtë rastin në konsideratë të poezive të Irenës, tregojnë historitë e atyre që kanë lënë atdheun e tyre për të filluar një jetë në Shtetet e Bashkuara. Këto poezi shpesh përshkojnë dy botë dhe dy gjuhë, për të gjetur të vërtetën në përvojë. Ata dëshmojnë fillime të reja, kalime kufitare, akte dhimbjesh dhe malli për atdheun. Ndryshe nuk do të tingëllonte kaq bukur kjo estetikë dhe formë estetike tek poezia e lartcituar e Dragotit „Mëngjeseve jam nxitimi ngritës i zogjve/Në një fluturim rrotullues të ethshëm/Unë jam vesa e butë që bie gjatë natës/Jam ajo lulja e parë që shpërthen në pranverë/Unë jam çdo gjë e gjallë që jeton me ankthin/Nëse një nënë duhet të iki të flejë?/Por mos vajto ke varri bija ime/unë nuk jam aty…“ (Po aty).
Duke shkuar më tej në këtë kontekst në një tjetër poezi pa titull të poetes, natyrshëm në rrjedhë të Pranverës, si stinë në kopshtin e saj ajo shkruan se ikje të ndryshme ndjehen, dhe ato si „Gjurmëtharjet e dimrit mbi bar regëtijnë“, që të krijojnë thelbin se autorja edhe pse kërkon të ketë prehje në kopshtin e saj, prapë ka një dilemë që ritheksohet si e tillë „ikje-kthim“ edhe në një poezi tjetër: „Gjithnjë mëngjeseve pyes veten /Pse ëndrrat i shoh në vendin tim?/Mos vallë dhe atyre të kalojnë oqeanin /Ju kushton sa unë bileta vajtje-kthim?“ Duket qartë se poezia e Irena Kuka Dragotii flet për vetë produktin diskursiv të lëvizjes, tranzicionit, dhe bilokacionit që shohim në këtë formë të ikjes së shumëkuptimshme dhe kjo është gjithashtu e vërtetë për përvojën e vetë të saj që ravijëzohet si një itinerar gjeografik midis së shkuarës dhe së sotmes në territorin e memorjes prekëse dhe shtjelluese Atdhe dhe vendndodhje. Hapësira ndërmjet të vjetrës dhe të resë është, në rastin më të mirë, një hapësirë e çrregullt, por është një hapësirë eksplorimi e pasur për vargun i saj, jo një produkt që vjen nga forca e asimilimit, por nga jetikja dhe përditshmëria e ndjeshme. Mes poezive të saj ne nuk pyesim thjesht se, Çfarë ndodh kur shkojmë nga këtu atje? Çfarë fitohet? Kush është e humbur? Çfarë është ndryshuar dhe ruajtur? Por nxjerrim mesazhe në kënde të ndryshme, ku përgjigjet janë një botë tjetër ku ne përhumbemi estetikisht. Irena Kuka Dragoti eksploron këtë hapësirë kufitare me shkathtësi dhe me një gjuhë adekuate në këtë poezi të bukur „Dashuri pa frymë“: „Pastaj… të lundroj qiejve/për të gjetur një tjetër planet./Planet zanash me shkop magjik,/ku njerëzit janë të bardhë, por të vegjël;/më të vegjël se dashuritë që dhurojnë.“ (Dragoti, „Dashuri pa frymë“).
Në mjaft poezi të tjera si „Mos lejoni“ ku autorja shton se „Kujtoni tiranët,/zbythni maskarenjtë,/e mos harroni…/Harresa është vdekje e pashpallur në shtyllë“ lëvizja është një format tjetër diksursiv, që ia kalon thelbit të kuptimit, sikurse dhe në poezi të tjera si „Ikje“; „Vjeshtë në zemër“; „Vit i ftohtë“; „Perëndim mbi det“; „Pritje zemre“; „Qyteti u zgjua sërrish“; „Mungesë“; „Mos më mbulo me vjeshtë“; „Përkufizimi im“; „Strreha e vjetër“; „Dashuri në Pol“; „Udha e ndarjeve“; apo dhe „Stina e pestë“ e të tjera.
Sa herë që lexoj poezinë e saj „Fluturim dhe zbrazëti" nga Irena Kuka Dragoti, më vjen mendje thelbi i teorisë filozofike të Derridës, po aq dhe nënteksti i shtëpisë që kalon nga humbja e atdheut dhe ndjenja e shpërnguljes, ku të dyja brenda vetë aspektualitetit të zbrazëtisë filozofike, bëhen më të mprehta. Dhimbja kumbon më fort. Natyrisht e vlerësoj që kërkesa e poemës (kërkesa e saj, me të vërtetë - a nuk është zëri ynë?) përforcon vigjilencën ndaj privatësisë së kujtesës individuale (dhe kolektive) të një emigranti, pasi aty „Ka një zë që ia thotë vehtes /Shtëpia jote është e zbrazët,dhe e trishtë/Orendive përplaset vec jehona e frymës sime /E kumbon po në veshët e mi. (Ibid). Një zë kaq filozofik dhe po kaq elegant: duke na kërkuar të njohim dhe të pranojmë përhumbjen e saj, duke ofruar udhëzime të kujdesshme e evokuese se ku të kërkojmë dhe çfarë të kërkojmë, ajo po mbush një dhimbë dhe mall me atë që mungon, e që shkon tek kthimi: „Luaj muzikë,ftoj miq, zhurmoj pa orar/Sa shpesh qesh si fëmijë me zë të lartë/të mbush zbrazëtinë në një farë forme /kështu që kur të ktheheni, /asgjë tmos ju duket ndryshe zogjtë e mi/Fluturoni, dashuritë e mia, fluturoni./Vec kurrë mos harroni rrugën e kthimit në shtepi“ (Po aty).
Ndaj, duke përmbyllur këtë analizë për poezinë e kësaj poeteje, dua të vë theksin tek leximi i poezisë së saj. Nëse je një poet, apo poete, që je në këtë itinerar, nëse je një student a studente, madje edhe një fëmijë i gjeneratës së parë të emigrantëve nga Dhéu Amë dhe ke pasur privilegjin të vizitosh vendin nga janë prindërit e tu, pra të shohësh bukuritë shqiptare, duhet ta lexosh këtë poezi të krijuar me frymë dhe metalent nga Irena Kuka Dragoti. Bëhet fjalë për kontradiktat e lundrimit në dy botë dhe të mësuarit se çfarë të përqafoni dhe çfarë të refuzoni. Bëhet fjalë për mënyrën se si ju thuhet të „krijoni“ besime të caktuara për një vend, vetëm për të zbuluar se e kundërta është e vërtetë kur vizitoni në të vërtetë. Irena Kuka Dragoti përdor shkëlqyeshëm fjalët ikonike të të dy vendeve (SHBA dhe Shqipëri) për të treguar shkëputjen tonë midis asaj që ne imagjinojmë se është shtëpia dhe asaj që do të thotë në të vërtetë shtëpia. Poezia e saj bëhet një simbol për tematikën, një imazh për mezazhin, por një varg dhe kontekst i lavdëruar i diskursit jetik, ku një vlerë e prodhuar mund të krijojë thelbin dhe etjen e familjes suaj për një jetë më të mirë, dhe ku shijet tuaja ju vijnë në apriori.
Comments