top of page

KUR NJË ROMAN PËRMBLIDHET...


KUR NJË ROMAN PËRMBLIDHET NË NJË FJALË TË VETME ÇUDIBËRËSE: “MATANË GJËRAVE”.

Nga Robert Martiko


Rreth romanit “Engjëjt e Errësirës” e shkrimtares Alda Mehmeti

Porsa mbarova së lexuari romanin me titullin e mësipërm, më ranë ndër mend fjalët e ish kryeministres gjermane Angela Merkel. Në një intervistë në “Sueddeutsche Zeitung”, tha se jeta në Gjermaninë komuniste ishte “pothuajse e rehatshme” në mënyrën e vet. Janë fjalë tragjike për një shoqëri sepse kanë të bëjnë me ndjeshmërinë e saj, domethënë me vetë të ardhmen, sidomos kur bëhet fjalë për shoqëri jo të rilindura shpirtërisht si Shqipëria. Ndërsa Alda Mehmeti, autorja e këtij romani, kur ra diktatura komuniste, ishte në një moshë fare të re: gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe, me librin e saj, vjen në letërsinë shqiptare me dëshirën e madhe për të rindërtuar këtë botë post-diktature të shkatërruar keq, me një shoqëri, sot në nevojë më shumë se kurrë.

Romani “Engjëjt e errësirës” është një autopsi e kohës së Diktaturës në Shqipëri. Ngjarjet pasqyrojnë artistikisht dramën e një populli që e u privua nga të gjitha të drejtat e tij më themelore. Flori Raveli, personazhi kryesor, djalë i ri me ëndrra për jetën, kërkonte të ndërtonte të ardhmen larg dhunës e shtypjes, duke tentuar te largohej nga atdheu. Për ligjet e përbindshme të asaj kohe ishte një veprim me pasoja mjaft të mëdha, jo vetëm për fatin e tij por edhe të familjes. Kështu jeta ne roman zhvillohet në dy paralele: në burg e kampin e internimit, vende ku njerëzit e ndienin veten të ndëshkuar e torturuar deri në vdekje me idenë e fajit të përjetshëm, skllavëria kishte zëvendësuar lirinë. Në roman trajtohen edhe ngjarjet politike të viteve shtatëdhjetë ku përfshihen figura politike të njohura të asaj kohe si Koço Tashko, Fadil Paçrami, Beqir Ballukut e deri te kryeministri Mehmet Shehu. Kanibalizmi politik i saj kohe të kujton mitin e famshëm të Saturnit, në mitologjinë greke që mbijeton duke ngrënë bijtë e vet.


Në letërsi çmohen pa masë zërat letrarë të ndodhur diçka më larg nga syri i ciklonit të vuajtjeve, që kanë torturuar keq autorët e mjaft librave, viktima të diktaturës së djeshme. Çmohen sepse konsiderohet logjika e mendimit më shumë objektive, më pak e ndikuar nga ndjenjat. Prandaj lexova me kënaqësi këtë roman me karakter ndërtues gjërash. Ndonëse ngjarjet zhvillohen nën tehun e përgjakur të shtypjes shtetërore, dhe të japin përshtypjen se asgjë në horizont duket të ndryshojë, autorja nuk mungon të japë shpresë nëpërmjet heroit të saj kryesor, Flori Raveli. Është një personazh që ndonëse vuan tmerrësisht, nuk mungon të tregojë një karakter të admirueshëm, sa rinor po aq dhe të pamposhtur në hetuesi. Në libër paraqitet historia e tentativës për arratisje e djaloshit të ri, një veprim që përfundon me burgimin dhe humbjen e krahut të tij për shkak të gangrenizimit të plagëve, nga prangat në qeli.

Është për të ardhur keq kur profesorë me tituj akademikë, kur vjen rasti të gjykojnë për tema me karakter human, pa e kuptuar, i tradhton vetvetja. Duke iu kthyer fjalëve të Angela Merkel, siç tregoi vetë diktatura, ishin të paktë ata që u preokupuan shpirtërisht për tragjedinë e palës tjetër. Është diçka që vijon dhe sot e kësaj dite. Në pamje të parë duket si një gjë krejt pa rëndësi, por ka lidhje direkt me ndërgjegjësimin e shoqërisë, ndryshimin e saj, diçka pothuajse e paarritshme në ditët e sotshme, përderisa askush mendon në mënyrë thelbësore.

Siç dihet, për herë të parë në historinë e njerëzimit, këtë lloj ndërgjegjësimi apo pozicionim të pazakontë shpirtëror, e mori Sokrati i Lashtësisë. Filozofi grek nënvizoi diçka mjaft thelbësore. Tha se, për të mundur njeriu të jetë i denjë për rolin e tij në jetë, duhet të brendësojë në shpirt thelbin e gjërave përreth. Nuk kanë rëndësi njohuritë e përgjithshme: biologjike, letrare, astronomike, gjeografike, politike, artistike, historike, fizike, kuriozitetet shkencore, etj., pa njohuritë e domosdoshme të shpirtit. Një bashkësi intelektuale që nuk mund të hyjë në hallet e problemet e të tjerëve, nuk mund të ndihmojë kurrsesi shoqërinë drejt rrugës së tejkalimit. Falë arsimit marksist-materialist, gjysmëshekullor, rreth kësaj teme nuk ekziston as ideja. Arsimi në Shqipëri u zhvillua në drejtim krejt të kundërt me drejtimin që mori Kultura Perëndimore. Më e bukura është kur dëgjon të thuhet në Shqipëri se fajin e kanë politikanët. Ata kanë faj sigurisht. Pa diskutim. Por e keqja është se duke mos u emocionuar nga vuajtjet e të tjerëve, nuk ndryshon asgjë. Ndërsa me Aldën nuk ndodh aspak një gjë e tillë. Vuajtjet dhe keqtrajtimi që pësojnë në roman heronjtë e saj, të lënë në shpirt një ndjenjë të thellë empatie, mirëkuptimi e pjesëmarrjeje shpirtërore.

Piktori holandez Pieter Bruegel Ati, ka një pikturë ku paraqet Ikarin në moshë rinore, të përplasur për vdekje në det, me babanë e tij përbri, që vuan humbjen e të birit, dhe një bujk e blegtor, as që duan t’ia dinë për tragjedinë që porsa ka ndodhur. E njëjta gjë ndodhi edhe në Diktaturë. Një pjesë e shoqërisë e pagoi me vuajtje shpirtërore pa fund dhe pjesa tjetër nuk u problematizua kurrë për të. Arti i Realizmit Socialist Vëllavrasës shkoi akoma më tej. E nxiti akoma më shumë këtë gjendje, duke i vënë vulën pasojave shkatërrimtare të ditëve të sotshme. Me ushqimin e tij të helmuar: mbushur plot e përplot me përçarje e armiqësi, ktheu shoqërinë shqiptare shekuj të tërë pas.

Konkluzioni është se në këtë lloj gjendje asgjë nuk do të mund të ndryshojë, nëse mendimi intelektual nuk shikon gjërat në thellësi. Ekziston një fjalë me shije mjaft të çuditshme në filozofi, me origjinë nga greqishtja e lashtë: “EPEKEINA”, domethënë “MATANË”. Kuptimin në anglisht e shpreh fjala BEYOND, në gjermanisht: JENSEITS, në italisht: AL DI LÀ, në frëngjisht: AU DELÀ DE, etj. Është një term sa çudibërës, me karakter themelues të jashtëzakonshëm, po aq edhe fatal, tragjik, kur nuk e merr parasysh. Kjo është Shqipëria e djeshme dhe e sotshme. Ndonëse fjala e ka origjinën nga Platoni, kur për herë të parë, para 2500 vjetësh, në Historinë e Njerëzimit, krijoi Qiellin e Ideve, termi “MATANË”, i lakuar në të gjitha gjuhët kryesore të botës së qytetëruar, të rilindur shpirtërisht, ka kuptimet se intelektuali, i pari, duhet të preokupohet se çfarë ndodh matanë shpellës së mendimit, matanë botës së izoluar, në toka pjellore të rigjeneruara, çfarë lloj dielli lind në brigje të tjera, matanë topografisë së kufizuar, në kohë të mëparshme matanë rutinës, fatit, shpresës, Kohës, në botë të tjera që ndihmojnë njeriun të rilindë shpirtërisht, me sy drejt së ardhmes dhe vendeve që tejkaluan Mejetën, me qëllim për të ndryshuar, për tu larguar gjithnjë e më shumë nga bota e sotshme e problematike. Fjala “MATANË” është Zoti vetë në kuptimin e një të Vërtete përherë në lëvizje e ndryshim, jo beton-armé, si në Shqipëri.

Fjala “MATANË” për Aldën janë vuajtjet e tjetrit. Pasi vetëm kur njeriu brendëson në shpirt gjërat e botës TJETËR, MATANË, shoqëria arrin të shpëtojë nga Ferri i Vetvetes.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page