Kur më bien libra artistik në dorë


Mbresa nga leximi i librit me titull : “ KËNGA POPULLORE QYTETARE E VLORËS “

Me autor :Pr.Dr. BARDHOSH GAÇE

Kur më bien libra artistik në dorë, sidomos të autorëve vlonjat, rrëmbimthi ulem për të lexuar. E para të marr kënaqsi estetike,e dyta kurioze, se çfarë ka dashur të thotë autori me krijesën etij dhe e treta të kuptoj se,ç’e ka ngacmuar atë shpirt që është përpëlitur për ngjizjen e kësaj krijese artistike. Por sot u ula të shkruaj për kënaqsinë e përciellë nga libri studimor, me titull : “ KËNGA POPULLORE QYTETARE E VLORËS “ me autor Pr. Dr.. Bardhosh Gaçe. Sinqerishtë u gëzova pa masë, kur ma dhuroi profesori librin. Leximi i tij, më bëri ta zgjeroj akoma më shumë hartën informative, ndaj origjinës së Këngës popullore vlonjate. Duke lexuar faqe pas faqeje, vura re, se autori i mirinformuar nga ana historike na e sjellë shumë qart, qysh nga zanafilla( 1872-1964 ) lindjen dhe lulëzimin e Këngës popullore qytetare vlonjate. Rresht pas rreshti mësoj,se ajo, ka derivuar nga këngët e dasmave të trevave që rrethojnë Vlorën, si zona e Kaninës, Mavrovës, Oshtimës, Panajasë, Zvërrnecit, Drashovicës, Himarës, Dukatit, Smokthinës e tjera…, të cilat me kalimin e viteve plotësuar me shoqërimin e veglave muzikore, por shkundur e pastruar edhe, nga dialektalizmat e arkaizmat e thella, jehonoi në zemër të Vlorës. Lagjet që kanë gëluar nga kënga qytetëse, janë ato që formojnë bërthamën e Vlorës sonë të bukur, si “ Karabashi ", vatra ku lindi dhe gjëmoi kënga me titull: “ Në Karabash bie qemania “, apo " Topanaja " me këngën “ Hidhi sytë në Topana “, apo “ Xhan, o moj Alije “ në lagjen “ Muradije “, si dhe lagjja “Vrenez “e Lirim.



Dihet që gjallimi i jetës qytetare, si me të mira edhe me problematika e ka pasur të nevojshëm plotësimin e tyre edhe me kënaqsi estetike, të cilën e pëthithnin nëpërmjet këngëve,valleve dhe ligjërimeve të përpunuara. E këto, formonin atë, që sot Pr.Dr. B. Gaçe na i sjell shumë qart në këtë libër. Më ngacmuan memorjen e tri-katër dekadave më parë, kur trioja vlonjate - Meliha Doda, Reshat Osmani dhe Kostandin Thana, tundnin Vlorën me zërin e tyre melodioz. Nuk kish shfaqe në kinoteatrin “ Petro Marko “ që ata të mos performonin, me këngët : “ Nënë portokalle”, “ Në një arë, në një lëndinë “, “ Esmerkë lezet me kripë “, “ Dallandyshja në çardhak “, Çupë kush ta bleu fustan ”, “ Hajde moj kumblla vlonjate “, Këndojnë gjashtë bilbila “ e shumë të tjera.. Teksti, muzika dhe zërat e tyre melodioz, për momentin e kthenin Vlorën në qytet dasme. Nostalgji ndjeva edhe për këngëtaret më të vonshme që mbetën gur i çmuar në memorjen artistike vlonjate, si Kleopatra Skarço me këngën ‘ Dy faqet si portokalle, apo Milika Meminaj me këngën “ Syzezë e vetulla pë “. Nuk mund të lë pa e përmendur, këngëtaren zëbrilante nga Kanina, Ballkëze Hasimi ( Bakon ), e cila edhe, pse, për pak kohë shpërtheu dhe u dallua për zërin e rrallë voluminoz, ku here-herë e cilësonin simotër të artistes së kombit Vaçe Zela. I gjithë ky bagazh informativ që për mua është shumë i çmuar, por edhe kënaqsi estetike erdhi si rezultat i leximit të këtij libri. Në fund, nuk më mbetet gjë tjetër, veç të falenderoj thellësisht nga zemra Pr.Dr. B. Gaçe për punën e shkëlqyer në drejtim të vlerave historike të artit vlonjat, gjithashtu t’i uroj suksese në punë të tjera studimore, pavarësisht se mua m’u dha mundësia të lexoj botimin e tretë të tij,por kjo tregon se libri me titull : “ KËNGA POPULLORE QYTETARE E VLORËS “ është një material studimor që udhëton në kohë dhe mbetet vlerë e çmuar për ardhmërinë.

Natasha Limaj ( Fejzaj )

30 views3 comments

Shkrimet e fundit