top of page

Kur libri shqip bëhet kryefjala e ditës në Londër



Kryetari Muhaxheri me ftesë të shoqatës “Peja” në Londër është takuar me bashkatdhetarët


Në sallën e njohur tashmë për shqiptarët e Londrës, në Chalk Farm, 1 Marsi i këtij viti solli mesazhin e librave shqip, përpara qindra të pranishmëve dhe Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri me bashkëpunëtorë, që ishte aty me ftesë të shoqatës “Peja” në Londër. Një ditë më pas aroma e mimozave të çelura në trojet etnike shqiptare përcolli shpresa të reja, ndërsa Dita e Shkrimtarëve 3 Marsi, e shtroi penën dhe gishtat në tastierën e kompjuterit të ribashkojë arsyet e këtyre ditëve së bashku në atë eveniment festiv të moderuar bukur nga Mithat Ibrahimi dhe Fiona Gashi.

E para lidhet me promovimin e librave të autorëve nga Peja në 17-të vjetorin e themelimit të shoqatës “Peja” në Londër, e dyta me manifestimin në Kryeqytetin e Shqipërisë, dhe e fundit kryesisht me shkrimtarët. Por të gjitha janë në pikën ku libri është dhe fjala e lirë ... është kryefjala. Ndërsa ndodhemi tek lidhja mes tyre, ajo që i bashkon është rrahja e zemrave për Atdheun. Dhe kështu, Kryetari Muhaxheri është takuar me bashkatdhetarët, të cilët jetojnë dhe punojnë në Londër edhe për të diskutuar rreth mundësive për investime eventuale në Pejë, po ashtu bashkë me Drejtoreshën për Zhvillim Ekonomik, znj. Xhenet Syka-Kelmendi dhe Drejtorin e Administratës, z. Fatmir Asllani, më parë se ata të duartrokisnin e të duartrokiteshin në një sallë model të organizmit të përsosur të Shoqatës “Peja” në atë eveniment kulturor ku promovimin e librave të autorëve nga Peja, Sejdi Berisha, Ryzhdi Baloku dhe Reshat Nurboja e përkoi festa në 17-të vjetorin e themelimit të shoqatës “Peja” në Londër.

Duhet theksuar se që në fillim binte në sy një sallë e moderuar mirë, një skenë me tavolina, e stolisur me Flamurin Kombëtar, ku ishin të renditur disa nga librat e Sejdi Berishës, Ryzhdi Balokut dhe Reshat Nurbojës. Në renditjen e parë zinin vendet mysafirët specialë me në krye z Muhaxheri dhe drejtuesit e shoqatës “Peja”. Në drejtimin e evenimentit që në hapje moderatorët Mithat Ibrahimi dhe Fiona Gashi theksuan se në këtë sallë pritej të ishte dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott dhe përfaqësuesit diplomatikë të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, me këtë rast ishte z Ymer Berisha, i nderuari përfaqësues i Ambasadës së Kosovës. Mithat Ibrahimi dhe Fiona Gashi uruan mirëseardhjet dhe prezantimet dhe ftuan sallën në intonimin e Hymnit Kombëtar.

Z Ibrahimi sqaroi se “festivja e sotme lidhet me promovimin e librave të autorëve nga Peja Sejdi Berisha, Ryzhdi Baloku dhe Reshat Nurboja që përkon në 17-të vjetorin e themelimit të shoqatës “Peja” në Londër”. Më pas Fiona Vokshi ftoi në skenë krytarin e shoqatës “Peja” në Londër, z Nevzat Agolli, për të bërë hapjen zyrtare. Më tutje u ftua z Lutfi Gashi, njëri nga anëtarët e Kryesisë, si dhe njëri nga kontribuesit e parë që nga fillimi i formimit të shoqatës. U lexua një përmbledhje për punën e deritanishme gjatë mandatit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe rreth figurës e familjes së tij, aktivitetit dhe përkushtimit.

Sakaq fjala përshëndetëse iu dha kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri i cili foli thjesht, qartë dhe mjaft saktë duke u duartrokitur mjaft. Folën përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës, Ymer Berisha, drejtuesit e shoqatave, Talat Pllana, Lutfi Vata dhe disa të tjerë në lidhje me këtë eveniment, si Linda Olloni, Melisa Beqiri, Alban Beqiri, Fatmir Terziu e mjaft të tjerë.


Surprizat e evenimentit


Nga fjala e Prof Dr Fatmir Terziu

Evenimenti kishte mjaft surpriza nga talentë të rrinj dhe në lidhje me promovimin e librave të Sejdi Berishës, Ryzhdi Balokut dhe Reshat Nurbojës.

Shkrimtari, Sejdi Berisha, një nga promovuesit e këtij evenimenti, do të shprehej: “Shoqata “Peja” në Londër dhe puna e saj kanë rëndësi shumëdimensionale për rautjtjen dhe afirmimin e vlerave shpirtërore, kulturore dhe historike jo vetëm të qytetit të Pejës. Ka peshë edhe për afirmimin dhe zhvillimin e të gjitha fushave, por edhe për peshën që ka diaspora në Londër dhe gjithandej Evropës dhe botës. Ju priftë e mbara në punën Tuaj që e bëni me plot përkushtim dhe me vullnet e dëshirë të madhe. E tërë kjo dëshmon edhe për dashurinë dhe konsideratën që keni për qytetin tuaj, pë vendlindjen, për Kosovën dhe për kombin... Urime!” Nga ana tjetër, Ryzhdi Baloku për promovimin e veprave të tre krijuesve pejanë, do të shprehej “lidhur me ftesën personale që ma keni bërë, për të qenë prezent dhe mysafir i juaji me rastin e këtij promovimi, ku do të promovohen librat e mia. Mirëpo, në pamundësinë e udhëtimit tim për Londër në kohën e caktuar (për shkaqe subjektive), ju shprehi falënderimet e mia, duke ju dëshiruar suksese të mëtejme në aktivitetet e kësaj shoqate.” Si në këto dy raste dhe në të tretin, promotori i tretë, Reshat Nurboja u delegua në sallë me një video-mesazh: “Në pamundësi të isha fizikisht në manifestimin e Shoqates "Peja" në Londer ku promovohen edhe dy veprat e mia “Unë dëshmi kohe’ dhe Monografia “Peja nëpër vite e shekuj” kam nderin dhe kënaqësinë që në shenjë falenderimi dhe respekti ndaj organizatorëve dhe pjesmarrësve të atij manifestimi t’iu dërgoj një video inçizim të fjalës përshendetëse dhe falenderuese...”


Jashtë sallës


Ndërsa mesazhi i një salle të moderuar shkëlqyeshëm dhe mesazhi i promovimit të librave ishte një ndjesi e mrekullueshme në sytë e mendjen e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe stafit të tij, që e shoqëronin, bashkë me drejtuesit e shoqatës “Peja”, përkushtimi ndaj qytetarit, bashkëkombasit ishte dhe prekja dhe takimi nfga afër i problematikave dhe ecurive. Takimet me biznesmenë të përkushtuar si Ilir Beqiri, Luli Nushi dhe Lindita Nushi, Lutfi Gashi dhe Mithat Ibrahimi, Sali Hoti e mjaft të tjerë deri tek nutritionistja e talentuar dhe e mirëkualifikuar, Melisa Beqiri sollën një realitet tjetër.

Po kështu takimet në Ambasadën e Kosovës e në disa institucione të tjera e bënë të themi se ishte një nga zyrtarët lokalë shqiptarë më të dashur e më të përkushtuar, sikurse ka qenë në të vërtetë, kur mandatin e nisi me shumë borxhe të trashëguara. Është ky Gazmend Muhaxheri, kryetari i Komunës së Pejës, komunë kjo e cila tash meriton edhe këtë respekt nga bashkëatdheratët nga Londra.

Zoti Muhaxheri e thotë thjesht dhe bukur, qartë dhe pastër se Komuna e Pejës, është dhe mbetet komuna më e qetë në Kosovë. “Sipas statistikave Komuna e Pejës është komuna më e qetë në nivel të Republikës së Kosovës”, thotë ai, ndaj ejani të investoni dhe ne ju jemi pranë jush.







233 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page