top of page

Kur kujtojmë të papërsëritshmin, Lublin Dilja


Kur kujtojmë të papërsëritshmin, Lublin Dilja


Fatmir Terziu


Kohët ikin shpejt. Ikin dhe fluturojnë. Mes këtyre ikjeve kohore ne shpesh shkundim memorjet. Memorjet e gjalla e të vdekura dhe sedërtojmë lotë e mall për miq e njerëz të pavdekshëm në fakt. E nuk ka si të jetë ndryshe, kur flasim dhe kujtojmë një Njeri të atillë, sikurse ishte Lublin Dilja. Ky njeri, ky intelektual, që më shumë se kurrë do to duhej edhe sot Shqipërisë, politikës, diplomacisë. I tillë ishte në thelbin dhe karakterin e tij. I tillë mbeti derisa ikja nuk e befasoi, nuk e treti, por e përjetësoi dhe na e la neve të kujtojmë udhën e tij në kënde të ndryshme të jetës… E natyrshëm këndet janë të pafundme. Sidomos ato që kanë lidhje me Njeriun e mirë, Lublin Dilja…

Më afër kemi qenë në fushatën e tij për Kryetar Bashkie në Elbasan. Kisha nderin të fitoja respektin dhe privilegjin e atij intelektuali, që bashkë me kolegun Lutfi Dervishi do ta përfaqësonim në media. Dhe që në ditën e parë, nga goja e tij doli ajo këshillë, ajo fjalë e radhë: “Suksesi nuk matet nga ajo që ju përmbushni, por nga opozita që keni hasur dhe guximi me të cilin keni mbajtur betejën kundër shanseve të mëdha.” Dhe kjo thuhej pak kohë para se fushata të merrte hov, pak kohë para se festivja e Pavarësisë të shënonte mjaft duartrokitje nga ajo sallë e madhe e Teatrit “Skampa”, ku ishin të gjithë, pozitë dhe opozitë. Dhe atje nuk u duartrokit thjesht me fjalën, apo dhe me staturën e tij komplekse, por për vizionin e tij, urtësinë, pjekurinë, talentin, vrullin e qetë dhe filozofinë e mendimit të tij. E në atë rast ai ishte…, nuk “mungoi”…, por më pas asaj salle dhe mjaft të tjerave, Lublini, i mungoi fizikisht, por u kujtua me duartrokitje të forta shpirtërisht.

Edhe këtë vit do ti mungojë Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, një nga figurat më të kompletuara intelektuale dhe diplomatike të Elbasanit, Lublin Dilja. Njeriu që e deshi aq shumë Flamurin dhe festën e tij, ka tetë vite që i mungon kësaj dite të shënuar, më së shumti në ambientet e Federatës “Vatra” në SHBA, ku ai u lidh dyfish me të. Ikja e tij e hershme në një moshë 51 vjeçare, na la pas një memorje të plotë, na la një kujtim ku mbeti i pavdekshëm, Lublin Dilja. Profesori i asociuar, doktori i shkencave, ish-ministri fuqiplotë në Misionin e Përhershëm Shqiptar në Kombet e Bashkuara tashmë është një nga palët e Flamurit Kombëtar, atje tej ku shpirti i tij prehet i qetë. Në 96 –vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ai duket se e nënshkroi publikisht daljen e tij të fundit të fiksuar me teknologjinë e dixhitalit pranë Flamurit që e deshi aq shumë. E fiksoi që ne dhe Flamuri ti valëvisnim kujtimet e fjalët e tij në të gjitha përvjetorët e Pavarësisë. Ai ishte i rallë. E ka thënë mjaft bukur kolegu im i nderuar Dalip Greca, pikërisht në ditët e para të ndarjes së tij: “Lublini e dinte se betejën e kishte të humbur, por kurrë nuk u tërhoq, luftoi deri në sekondën e fundit. Njerëzit e rrallë, që kanë karakter të fortë mund të përballen si ai me sëmundjen e tmerrshme. Mes tij dhe sëmundjes së pashërueshme ishte shkenca e avancuar e mjekësisë amerikane, ajo që i zgjati ca vite jetë, por dhe ajo ka limitet e veta. Ai nuk u dorëzua derisa mjekësia vetë pranoi mundjen dhe u tërhoq. Atëherë ai mbylli sytë duke pranuar verdiktin e fatit. Pikëlloi bashkëshorten, Norën, djemtë, të gjithë ata që e deshën, na pikëlloi ne miqtë e tij.”

Kush ishte Lublin Dilja?


Lindi në qytetin e Elbasanit me 10 tetor 1957. Ishte nxënës me vullnet dhe i pasionuar, kishte prirje gjuhët e huaja. Studimet e shkollës së mesme i kreu në vitin 1972 në Shkollën e gjuhëve të huaja, dega anglisht. Edhe studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në degën e anglishtes në Universitetin e Tiranës. U diplomua në vitin 1980. Pas diplomimit u emërua mësues i gjuhës angleze në shkollën e mesme të Peqinit, natyrisht larg qytetit të vet, Elbasanit. Lublini nuk ishte nga ata që fut një diplomë në xhep dhe mbyll librat; ai ishte një mik i ngushtë i librit dhe për asnjë çast nuk i ndërpreu studimet për ngritjen profesionale. Ai tregoi aftësi të shkëlqyera pedagogjike dhe drejtuese.

Në vitet 1984-1987, i hyri një kualifikimi të thellë shkencor dhe pedagogjik, një universitet i dytë për të, duke realizuar një kurs të plotë studimesh trevjeçare pranë Institutit të Studimeve Pedagogjike dhe Katedrës së Pedagogji - Psikologji në Universitetin e Tiranës, në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë. Pas studimeve u emërua shef i Katedrës së pedagogjisë dhe Psikologjisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Duke u vendosur në pararojën e arsimit shqiptar, Dilja dha një kontribut të veçantë në fushën e pedagogjisë. Pas rënies së sistemit komunist, ai do të shfrytëzonte hapjen e Shqipërisë dhe do ta vazhdonte betejën për kualifikim të mëtejshëm. Në nëntor të vitit 1992, falë zotësive dhe përvojës, fiton një të drejtë kualifikimi në fushën e studimeve sociale pranë Universitetit të Uashingtonit, Seattle, SHBA. Pasi la detyrën e kryediplomatit shqiptar në Ëashington, në kohërënien e shtetit demokratik, Lublin Dilja u kthye në Tiranë dhe iu rikthye aktivitetit pedagogjik dhe akademik. Ai u emrua pedagog në Universitetin e Tiranës dhe paralelisht jepte leksione edhe në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.

Në Universitetin e Elbasanit ai kishte qenë pedagog i Psikologjisë nga viti 1987 deri në 1992. Për dy vite, 1990-1992, ishte emëruar zv/rektor i Universitetit, ndërkohë që në vitet 1991-1992 kryente dhe detyrën e Dekanit të Fakultetit të Mësuesisë për Ciklin e Ulët.

Për një periudhë kohe në vitin 2000 kreu dhe detyrën e drejtorit të departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Aftësitë e spikatura i kishin dhënë hapësirë Lublinit që të kryente shumë detyra; nga viti 1997 deri në vitin 2002, ai kryente detyrën e zv/drejtorit dhe ishte anëtar i Bordit Drejtues të Institutit Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare; në vitin 2000 ishte anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Atlantikut të Veriut, po nga viti 2000 ishte anëtar i Akademisë Diplomatike.

Lublin Dilja është autor i shumë publikimeve në shtypin periodik dhe atë shkencor me tematikë prioritare marrëdhëniet ndërkombëtare dhe problemet social-psikologjike.

Karriera e diplomatike

Lublin Dilja, falë pasionit dhe dëshirës, e kombinuar kjo me kontributin e tij për demokratizimin e vendit, i hyri diplomacisë me përkushtim. Në maj-korrik 2003, me sponsorizimin e Ministrisë së Jashtme Britanike, ai kryen një kurs kualifikimi pranë Universitetit Leeds në Angli, ku diplomohet.

Kualifikimi diplomatik do të thellohej më tej me pjesëmarrjen e tij në tetor 2003 në një seminar mbi " Forcimin e Aftësive Diplomatike në Komunikim dhe Negociata" dhe mbi " teknologjitë e Informimit dhe Komunikimit", organizuar nga Departamenti i Çështjeve ekonomike e Sociale të OKB-së pranë Qendrës së Trajnimit Ndërkombëtar, Torino, Itali, ku sërish pajiset me një diplomë të re. Diplomati Dilja mbante Gradën Shkencore, profesor i asociuar; doktor i shkencave, edhe pse për modesti asnjëherë nuk u prezantua në publik me gradat shkencore. Ai zotëronte anglishten dhe italishten si gjuhë të huaja.

Kualifikimet diplomatike i hapën rrugën në diplomaci. Fillimisht punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Kabinetin e Ministrit të Jashtëm, nga muaji prill 1992 deri në shtator 1992. Ndërkohë që kreu edhe detyrën e këshilltarit diplomatik pranë presidentit të Republikës, nga marsi deri në nëntor të vitit 1993. Nga nëntori i vitit 1993 e deri në tetor 1997, Dilja kreu detyrën e Ambasadorit të Jashtzakonshem dhe Fuqiplote të Republikës së Shqipërisë në SHBA, njëkohësisht i akredituar në Kanada dhe Meksikë. Ndjehej krenar se përfaqësoi Shqipërinë në Ëashington, ku pat shërbyer dikur edhe Faik Konica, që i pat çelë rrugën shërbimit diplomatik shqiptar në SHBA.

Lublin Dilja nuk i fitoi meritat vetëm nga emërimet, ai iu nënshtrua edhe votës popullore, duke pranuar sfidën për një konkurim në Elbasanin e tij të dashur në zgjedhjet për deputet. Kandidatura e tij si deputet në Parlamentin Shqiptar, u mirëprit dhe shumica e elbasanasve votoi për birin e vet. Nga shtatori 2001 deri në tetor 2002 Dilja ishte një ndër deputetët më aktiv në Parlament, duke kryer edhe detyrën e sekretarit të Komisionit të Integrimit të Kuvendit si dhe anëtar i Komisionit të Jashtëm. Por pikërisht në atë kohë sëmundja nxjerr krye dhe politika shqiptare bën paktin njerëzor, e dërgon në Nju Jork si Ministër Fuqiplote në Misionin e Perhershem të Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara. Edhe pse sëmundja ishte në sulm, ai nuk tregoi shenja dobësie, por e kreu me devocion detyrën e diplomatit.

Veçanërisht ka spikatur vendosmëria e tij për çështjen e Kosovës. Edhe pse ishte në pozicione delikate, ai e ka bërë për vete shtypin. Në muajin shkurt të vitit 2006, shtypi e mirëkuptoi qëndrimin e Diles në Këshillin e Sigurimit dhe e mbështeti. Kur Kosovës i kërkohej të plotësonte standardet, Dilja u pajtua me kërkesën, por nuk la pa ngritur shqetësimet që i kishte përcjellë pala kosovare. Ai deklaronte se nxitës i përmirësimit të standardeve duhet të ishte akti i zgjidhjes së vetë statusit të Kosovës. Argumentet e tij ishin se në vend se ”standardet” të krijojnë kushte për ”status”, “statusi” i krijon kushtet për “standarde të përmirësuara”. Ai e tha haptazi se marrëdhëniet mes serbëve dhe kosovarëve do të përmirësohen, kur serbët e Kosovës të mos shihen si instrument i Beogradit.

Me kurajo diplomati shqiptar kërkoi më shumë pavarësi institucionale për Kosovën dhe më shumë decentralizim. Ai deklaroi në Këshillin e Sigurimit se përsa kohë që institucionet qendrore të Kosovës nuk ushtrojnë ”statusin” e plotë dhe të vërtetë vetëqeverisës, procesi i decentralizimit mbetet i mjegullt dhe i vështirë për t’u zbatuar.Edhe në takimete tjera ai e ka mbrojtur me vendosmëri çështjen e pavarësisë së Kosovës.

50 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page