top of page

Kur ditëlindjen ta urojnë poezitë e tua në arkiva...


Kur ditëlindjen ta urojnë poezitë e tua në arkiva...


“Ditëlindja?! Nuk është për mua…!”


(Duke rifreskuar Ditëlindjen e poetit Trifon Xhagjika)


Prof Dr Fatmir Terziu


Ishte ditëlindja e poetit Trifon Xhagjika. Pikërisht pas 29 Prillit 1932, njeriu që përcolli mes poezisë dhe krijimtarisë së tij vetëm 32 vite jetë, në 29 Prill të këtij viti do të festonte 88 vjetorin e tij të lindjes. Por askush nuk e vuri re. Ata, pikërisht “Ata” admironin rendjen pas koronavirusit dhe lukun e ri të Njëshit përpara daljes së racionuar të fëmijës, rinisë, grave dhe pensionistit. Por, Poeti, i përjetësuar në kohëra të tjera për Kohërat, nuk e trazoi Tjetrin, nuk u ankua, as nuk kërkoi ndonjë tortë të madhe nga zyrtarët e pushtetshëm, se ditëlindja e tij nuk është vetëm për atë, është për të gjithë të Tjerët, jashtë zyrave, brenda librave, brenda arkivave. Dhe brenda librave janë vetëm fjalë, fjali që lidhen e ndërtohen me germa e zemra.

Ka një “A” në mbiemrin e tij, por askush nuk e ka vënë re, sepse Dikushi në mbiemrin e tij ka një A +. Por, prapë Poeti nuk e quajti ngjashmëri të huazuar në fomë gramatikore, nuk u ankua, nuk ishte dhe aspak nuk është vetëm për mbiemrin e tij, është për të gjithë të Tjerët. Për të gjithë të Tjerët me “A” ose pa “A”, të madhe ose të vogël në mbiemrat e tyre apo edhe të tij. Por, Poeti u ndje…

U ndje, edhe duke heshtur me zërin e tij të fuqishëm poetik mes nesh:

“Ndjeva mirë për veten time sot,

por askush nuk e vuri re,

sepse Ai bleu të njëjtën xhaketë sportive

dhe ajo dukej më mirë në trupin e tij sportiv,

ndaj nuk u ankova. Nuk ka të bëjë me mua,

është për të gjithë të Tjerët.”

Ditëlindja e Poetit doli sot edhe në ëndërr, por askush nuk e vuri re, sepse Covid -19 kishte punërat e veta në marrjen e jetëve aritmetikore. Por, prapë Poeti nuk u mërzit, lotoi pa Covid, nuk u ankua në ftohjen e tij. Fundja ishte ëndërr. A mund të rithoshte nga ëndërra një fjalë, vetëm se i kishte thënë me vitët e tij kur ishte gjallë: “Nuk ka të bëjë me mua, është për të gjithë të tjerët”?

Poeti filloi të ndërrojë kahjen e mërzitjes edhe atje ku është, filloi të pijë sot duhan, por askush nuk e vuri re, sepse të gjithë tashmë pinë me një risi tjetër, por nuk u ankua. Prapë thirri me të madhe në heshtjen e tij: “Nuk ka të bëjë me mua, është për të gjithë të tjerët”.

Poeti u bë anoreksik sot, por askush nuk ka për ta vënë re, sepse ata mendojnë se poeti është i ikur gjithësesi, por prapë nuk u ankua. Ikja e tij ishte poetike... Ishte fundja mosfutje duarsh në xhepin qeveritar, nuk kishte të bënte me Poetin, ishte për të gjithë të Tjerët.

Poeti u ri-errësua sot (nga heshtja), por askush nuk e vuri re, sepse askush nuk mendon, pse sot duhet të jetë ndryshe në një ditë me diell, kur diellin e shfrytëzon Covid -19? Por nuk u ankua. Dhe Poeti, pasi shkuli një klithmë nga lindja në Peshtan të Tepelenës rifreskoi vëllimin e tij të parë me poezi “Gjurmët” dhe iu drejtua vitit 1963 duke i folur me gjuhën e këtij viti: “Nuk është për mua, kjo është për të gjithë të tjerët, sepse para se kjo të ndodhte, unë isha brenda… unë tashmë kisha (ri)vdekur”.

Ishte e ftohta që kishte ndjekur lajmin e atëmotshëm. Lajmin e kobshëm. Një pasdite të ftohtë dhjetori, në kapërcyellin e vitit 1963, në Tiranë u hap lajmi se kishin pushkatuar poetin, Trifon Xhagjika… Jo më kot i mirënjohuri i letrave shqipe, Sadik Bejko do të shprehej para memorialit të tij “Ai është po ashtu poeti i parë i pushkatuar për arsye letrare në Shqipëri”.

Ajo që kishte ndodhur ishte mbështjellë me mister dhe çdo interesim për më tej mund të kushtonte rëndë. Gjithsesi, poeti nuk do të rikthehej më te lagjja e vjetër, te kolegët e gazetës “Luftëtari” dhe as te blloqet, ku kishte lënë me mijëra vargje në dorëshkrime. Vonë, shumë vonë, të tjerët do ta merrnin vesh atë që kishte ndodhur…

Por fjala e tij edhe dje oshëtiu... si atëherë kur oshëtiu zëri Trifon Xhagjikës në sallën e gjyqit, ku shpërtheu i rebeluar “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!” Kjo ishte dëshira e fundit e Trifon Xhagjikës përpara inkuizitorëve. Edhe pse kanë kaluar 63 vjet nga ekzekutimi i tij, ende nuk dihet, se ku prehen eshtrat e tij dhe dorëshkrimet e blloqet me vjersha që i rrëmbeu Sigurimi i Shtetit… e jo më ta ketë mendjen dikush që të thotë dy fjalë për ditëlindjen e Poetit. Por për të folën nga arkivat krijimet e tij në gazetat “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike, krijimet më të arrira të tij i dërguan buqeta me lule. “Gjurmët” kërkonin gjurmë te reja për të deleguar urimet vargjeve të tij...

 
 
 

5 Comments


Kadri Tarelli Faleminderit qe na e solle ne kujtese poetin, per ta pare edhe nje here si athere, kur kerkoi top per te qelluar regjimin. Edhe nje here faleminderit, pasi shume nga ne dine vetem burimin dhe vargjet qe end ekullojne gjak: "Gjaku yne u be uje, Uji yt u be gjak".

Like

Faruk Myrtaj
Faruk Myrtaj
Apr 30, 2020

Njerezit harrojne kur u duhet te mbajne mend gjera te Tjera.

Per te harruar cfare eshte thene (se "nuk ka pasur disidence ne Shqiperine Socialiste", dmth se "nuk mund te kishte disidence ato vite" -meqe ne nuk u shfaqem dot e as po imponohemi dot si te tille), e kemi me kollaj te harrojme datelindjen e Xhagjikes!

Like

Klejda PlangaricaTë lumtë për kujtesën dhe shkrimin,Fatmir!

Është për të ardhur keq, sesi fjalët e fundit të poetit në gjyq mbeten aktuale edhe sot!

Like

Timo MerkuriNje shkrim qe do e deshironte kushdo per ditlindjen, pas ikjes nga kjo jete,. Sigurisht nje ikje me te bute, me njerezore,me piskama ligjesh e vajesh e Jo krisma armesh, me nje kacavjerje e Jo nje prerje te dhuneshme, mes loteve e Jo mbytur nga gjaku. Te lumteFatmir Terziuper kete prurje teper njerezore , teper artistike.

Like

Eli KaninaVjet kanë shkuar shumë poetë e shkrimtarë në Peshtan të Tepelenës për ta përkujtuar Trifon Xhagjikën, sivjet ndoshta nga situata e Covidit, u mbeti vargjeve të tij...por ai topi që ai përmendi në gjyq, u duhet vënë njësoj këtyre të sotshmëve... I paharruar qoftë poeti, që na e përcillni përmes vargjeveFatmir Terziu‼️🤗

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page