KUPTIMI PRAKTIK I “KOMEDISË HYJNORE” TË DANTE ALIGIERIT


Robert Martiko

Zakonisht lexohen libra thjesht për të mësuar një ndodhi të caktuar. Nuk kërkohet nga lexuesi diçka shumë herë më e thellë dhe më çudibërëse për vetë jetën e tij. Të hyjë në dialog me librin. Një nga këto vepra që njeriu mund të mësojë shumë është pa dyshim edhe KOMEDIA HYJNORE e Dante Aligierit me tri pjesët e saj të famshme: FERRI, PURGATORI dhe PARAJSA. Nëse peripecitë e Odiseut të Homerit mund të shihen si udhëtime me karakter horizontal, vetë udhëtimi i Dantes, fillimisht, në Ferr, për të arritur në Parajsë, ka karakter vertikal. Odiseu i Dantes thotë fjalët monumentale të drejtuara për Njeriun: “Shikoni farën tuaj: ju nuk u bëtë të jetoni si brutalë, por të ndiqni virtytin e dijen”. -Këto janë fjalët e një mëkatari. Odiseu është për Danten një Aristotel gjysmak, shkencëtar pa etikë, edhe pse mjaft i zgjuar e i mençur për kohën e tij, me një shoqëri përreth në gjendje të primitive, të egër. Konkretisht, njeriut, sidomos atij që jeton në shoqëri të parilindura e për pasojë mjaft problematike, i duhet të mendojë në thellësi Danten. Fillimisht, autori i librit ndodhet në një pyll të errët në Ferr dhe mendon se si të dalë prej tij. I duhet të bëjë pikërisht atë që nuk bëri kurrë Odiseu: të ngrejë sytë lart për lartësimin e tij vertikal, shpirtëror. Kjo pikërisht është profecia e Dantes. Ishte koha kur në Mesjetë, njeriu evropian, ende nuk kishte mundur të shpëtonte nga Ferri i vetvetes.