top of page

Kungarja e demokracisë


Prof Dr Fatmir Terziu


Skena e Dytë “Scen e Dytë” e tragjedisë “Pirrua” të babait të kësaj gjinie në lëminë shqiptare, Etëhem Haxhiademit (Vjenë: 1926; Tiranë 1931 nga Kristo P. Luarasi, Botimet Poeteka: Tiranë 2020, ribotim), na hedh dritë filozofike mbi kulmin e çatisë, atë shtresë të trashë mbajtëseje prej druri në qëndresën e një shtëpie, ku poshtë rrezeve që lëshon dielli, gjithnjë ka midisje dritëhijesh, ka hije që lëvizin në misterin e tyre mental, që ngulen në narrativ jo arsyeshëm për të vrarë. Ky kulm çatie që lidh një tra qosheje me rrezen e depërtuar prej kreshtës, natyrshëm nuk shkulet thjesht nga Fjalori Shqip, si kuptim parësor, ku kungarja e tillë është më shumë se një arsye, më shumë se një emetim kulturor, në këtë definim kryesor, por si një artefakt kulturor i qëndisur në stilin e mjeshtrit për të urdhëruar dhe me një fjalë të vetme kuptimin e Tjetrit. Tjetri, që luan rolin e shumësit në këtë midisje krah “Mirtil i besës” paralajmëron se “vepra shpejt t’plotësohet” se “mbasandaj kungarja munt t’kuptohet’ (faqe 71).

Është pikërisht Pirrua që dikton “qi dy të liqt njiherësh t’i qëlloni./ Të dy t’i vritni, të dy t’i gremisni./ Asé për ndryshe dhe ju vet’ të vdisni…/ Gati të jeni kūr t’vijnë anmiqt t’anë”. Nga ana tjetër është Mirtili: “O mbret i çmushëm, shpirti pse t’brengoset,/Kurse dëshir’ e jote do të soset?”. Nën këtë shtresim filozofik të situatës jo më kot pena e autorit fikson kungarjen, jo më kot e gjitha është një dritë dhe një hije vrastare nën çati, ku sakrifica shkon tej fjalës mirëkuptim, pra që sjell arsyen të kuptojmë se e gjitha është një marrëveshje, është një vendim, në sytë e kësaj marëveshjeje për të parathënë se shënohet një ngjasim tendosës e të detyruar demokratik, ku vendimi merret në bashkëbisedim, si përkundër asaj që është dëshirë, duke mënjanuar fjalën “frikë”. Këtu qëndron kungarja, kungarja figurative e vrasjes së demokracisë.

Ngjashëm tek “Lysitrata” e Aristofanit, në aktin e parë “në ballë të hyrjes së Akropolit të Athinës …” kungarja zëvendësohet me “një murë shtrirje” që qesëndis hijet dhe dritëhijet mëngjesit ku veprimi shkon tek mirëkuptimi i mbrojtjes së demokracisë. Më vonë në vitin 413 Para Krishtit, lajmet arritën në Athinë për shkatërrimin e plotë të forcës së tyre të ekspeditës në Siçili, por ashtu siç ndodh shpesh, Athina reagoi ndaj katastrofës me energji, dhe Sparta shkatërroi një fitore nga marrëzia. Për më tepër, duke ndier se demokracia duhej të mbrohej nga vendimet e saj të nxituara, ata ngritën një ‘Komitet të Dhjetëve për Sigurinë e Shtetit’ (probouloi: ishte një emër i përdorur për zyrtarë në shtete të ndryshme Greke) i cili duket se kishte marrë përsipër praktikisht funksionet e Këshillit Demokratik (megjithëse ky i fundit vazhdoi të mblidhej, dhe me vend mori vendime dhe përgatiti rendin e ditës për Asamblenë, në emër por jo në fakt). “Lysitrata” e Aristofanit u prodhua në fillin e vitit 411, viti që kishte pasuar shkatërrime, me të cilin autori thotë shumë për kuptimin dhe tolerancën e mirë të arkonëve (secili nga nëntë magjistratët kryesorë në Athinën e lashtë) që ai lejoi që ajo të prodhohej në këtë formë. Ndërsa Aristofani e kishte mbajtur fshehur mbështetjen e tij, tek “Lysitrata” ai nuk mund të strukte më mbështetjen ndaj Spartës. Si pro-Spartan ai natyrshëm nxjerr në pah dhe risinë e shembjes, dështimit, humbjes dhe me to shkërrmoq dritëhijet dhe hijet poshtë “murit” të Akropolit të Athinës, i cili mban “çatinë” figurative të Demokracisë me stilin e vet, në sitën e narrativit.

35 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page