Kundërshtar me të dielat?


Im Atë Dail Terziu, Poliçan 04.10.1969

Im Atë


(Gjysëm shekulli më parë...)


Kundërshtar me të dielat? 


Nga Fatmir Terziu

Unë isha vetëm 5 vjeç atëherë. Nënës sime i pëlqente të më vishte me kostum të përshtatur dhe këpucë lëkure. Kjo ndodhte më së shumti çdo të dielë në mëngjes. Gati- gati, kur një e dielë e tillë ishte e ndritshme nën Tomor, atje në Poliçan, dhe një gjetje e hershme për një masë këmbe të vogël, në një trup delikat të brishtë në të kapërcyerën e asaj moshe, arsyeja e pandjeshme ishte një kundërshtar i asaj që po më bëhej. Ishte dhe ajo si të dielat e tjera, me pak ndryshim. Kundërshtinë time të shkoja si një burrë i pjekur duke shtrënguar duar të ardhurish nga larg, të panjohur më së shumti e disa që më skuqnin faqet e veshët duke më bërë … më të pjekurin e asaj salle. 

Do të uleshim në sallën plot, në pjesën e prapme të sallës së vjetër të kapanonit me tulla të kuqe e me eternit të bardhë, ku zakonisht kërcehej deri vonë nga vullnetarët e prurë aty nga mjaft zona të tjera.

Pas masës së njerëzve, më së shumti burra, e pak, fare pak gra, duke mos llogaritur nënën time që rrinte urtë dhe e heshtur. Pas muhabetit, shautimave të gëzuara, të zërave të zhytur në pëshpëritje, natyrisht ndjeja dhe dëgjoja edhe thashetheme të virtytshme.

Njeriu më i afërt, ai që ndodhej në stolat më pranë nesh, dukej sikur të ishte linjëudhëzuesi ynë, që na ushqeu me imazhe të zjarrta dhe tipare të njeriut të guximshëm. Biseda …  dhe fjalët e tjera, i deleguari, ceremoniali.

Tavolina e pështjellë në një pelerinë të kuqe dhe vazoja e vogël me lule.

I deleguari nga Lart i qetë, por shumë i lëvizshëm nëpër sallë. Ai jo gjithmonë dukej i tillë? Jo, jo, dikush tha që do të dilte i veshur me një kostum si i imi. Ai do të ishte më i pashëm! Zëri i tij do të ishte një kor prej qindra të tjerëve që ishin dhe nuk ishin në atë sallë, dhe pasi ta dëgjonim, nuk do të dëshironim kurrë që ai zë të ndalet. Në mendjen time pesëvjeçare, pyesja veten se çfarë bëri dhe çfarë ndjeu kur babai im e përmendi emrin e tij. A e vështroi babin tim me sytë e tij? A u gëzua? A qeshi ndërsa la pas një dosje, një shënim, një letër dhe një urim…? Në një kaskadë fjalësh dhe në një miniaturë vule. Babai im e shtrëngoi fort dhe u duk sikur u ndje mirë kur e lexoi: “Juve ju është dhënë titulli i Asistent Inxhinierit…” Por nuk qeshi, nuk u ndodh të çelej në fytyrë. E dinte ndoshta… Ndoshta ai ishte më mirë pa të.

Të djelat e tjera paskëtaj nuk ishin më me kostum e këpucë lëkure për mua. 

Babai do të mungonte të dielave, sikurse dhe ditëve të tjera.  Do ta kalonte tërë kohën duke projektuar e drejtuar Zonën “D”. Kjo ishte dashuria më e madhe e tij. Vendimi… Urdhërat… Zbatimi…. Dhe ndoshta në heshtjen e tij do ta kundërshtonte. Se ai ishte i denjë për dashurinë e punës, por e dinte dhe detyrimin ndaj familjes. Se ai do të ishte jo më i vetëm që hidhërohej për urdhërat e detyrueshme dhe për të diela. E diela sikurse pasohej e shtuna, ndodhte të ishte e shenjtë. Dhe Ai, babai im, tashmë “Asistent Inxhinier” a mund të bëhej kundërshtar? 

Kundërshtari i shenjtë?! Dhe ndodhi… 

Ai që do të bërtiste me dashurinë e tij për Zotin, derisa fyti i tij të plashej dhe gjoksi i tij të acarohej. Babai im, nuk mund të shihte vuajtjet e krijimeve të tilla të deleguara kundër të dielave.


Ai, e dinte se kjo ishte gabim, e prurë në mënyrë të gabuar dhe ne ishim të metë që nga fillimi me tundime të tilla. E shihte këtë ikje nga rruga e drejtë e Zotit, më të keqen që nga koha kur Eva hëngri mollën dhe shijoi çdo kafshim. 

Babai im e donte profesionin, e donte punën, i donte të dielat. A do të pajtohej të largonte të dielat nga familja? Unë pushova së shkuari në atë sallë në ditëlindjen time të shtatë. Gjithkush që do të vriste të dielat do të përkëdhelte një djalë dhe do ta lavdëronte atë sikurse ndodhte me Tjetrin. Edhe si fëmijë, e dija, që im Atë tashmë kishte kundërshtuar... ikjen e të Dielave nga ajo sallë. Nga familja... 

Përmes çdo shuplake, sharje dhe mavijosje e kisha kuptuar atë që ndjente babai im. Por të dy ishim atje, atje në atë sallë, në Poliçan ku duhej me patjetër, me forcat e shtrënguara të ndërtohej Uzina që do t’i përgjigjej dhëmbë për dhëmbë armikut, që shkruhej me “A” të madhe në atë sallë, në muret e saj të lodhura e të përvijosura nga shirrat. Por e dija, se tashmë … Inxhinieri do të qëndronte i fortë. Ai … më imiri, më i dashuri… Babai im. Nuk do të përkulej kurrë edhe pas asaj që do të quhej kundërshtim i të dielave.

146 views

Shkrimet e fundit