top of page

Kujtojmë të guxuarën e shkrimit


Mehmet Kajtazi

Mehmet Kajtazi

- Gebelsët e Serbisë pa mëshirë i djegin librat shqip, e për t’iu përngjarë edhe policët e Maqedonisë e kanë në shënjestër librin shqip, por dy këto polici harrojnë se poezitë dhe ninullat tona janë të pavdekshme, siç është e përjetshme kërkesa për liri.

Policia e Maqedonisë në fillim të muajit më 4.09.1991 e ndali dhe e arrestoi në Dibër poetin dhe punëtorin shkencor të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Nuhi Vincën. Policët e këtushëm, Dorgievski Cane dhe Ilijazofski Arslan e mbajtën “peng” gjashtë orë, ia morën të gjitha librat që i kishte në veturë dhe në fund i thanë se të gjitha do t’i kthejmë nesër (!). Librat, blloku me shënime dhe gjërat e tjera jo vetëm që nuk iu kthyen të nesërmen, por nuk iu kthyen as në fund të shtatorit.

E di, thotë Nuhi Vinca, se regjimet policore, si në Serbi ashtu edhe në Maqedoni shpesh janë duke luajtur rolin famëkeq të Gebelsit, e di si në Klinë e në shumë anë të tjera të Kosovës edhe po i djegin librat shqip, por mua më është djegur zemra edhe më shumë kur m’i grabitën 23 vjersha.

E di se gebelsët serbë kanë djegur dhe po ua fusin flakën edhe sot librave shqip, e di se nuk po mbesin prapa as gebelsës e Maqedonisë. Këtë po e them prapë, por pse mos ta them edhe këtë: ka një muaj që jam njeriu që kurrë nuk bëj gjumë pa parë ëndërra të llahtarshme, e vazhdimisht shoh poezitë e mia në flakë.

Një përmbledhje e poezisë në duar të një policie, është një elegji që pikon lot. Përmbledhja e poezive (në dorëshkrim) ishte një kronikë e ditëve tona të zymta, por që në fund të së cilës ditë shihja të fshehur diellin që bënte luftë me re të zeza.... Një poezi e gjatë e kësaj përmbledhjeje në dorëshkrim i kushtohej 30-vjetort të vdekjes së Migjenit tonë, kur në Strugë organizuam orë të madhe letrare, por policia e Maqedonisë shumë u interesua pse pikërisht më 25 gusht të vitit 1968 po e mbanim këtë orë letrare. Ne jemi kundër Migjenit dhe kundër të gjithë atyre që shkruajnë vargje. Kështu thanë policët e Maqedonisë dhe kështu vepruan. Arma ime ishte poezia, por edhe atë ma morën me katër shtator të këtij viti. Një poezi tjetër që ma mori kjo polici është si një shigjetë kundër Lazar Mojsovit, i cili tundte një letër në Parlamentin Jugosllav dhe pa fije turpi gënjente:

“Në Kosovë kam zbuluar çerdhen e kundër-revolucionit...!” Janë shumë poezi që m’i mori policia e Maqedonisë, s’di se cila më dhembset më shumë, të gjitha kanë buruar nga thellësia e zemrës. Një poezi e kishte titullin “Ninulla e Republikës”. Meqë unë merrem edhe me folklore, këtë poezi nuk e kam shkruar vetë, por e kam shënuar nga populli dhe motivet e saj i pata zgjuar në vargje të tjera artistike. Ninullën ma morën por vargjet e saj mbeten në kujtesën e secilit prej nesh...


“Rilindja” 1 tetor 1991

 
 
 

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page