top of page

Kujtimit të shpirt-demokratit të Madh, Uran Kostreci „Nder i Kombit“


Putreshencë

Kujtimit të shpirt-demokratit të Madh, Uran Kostreci „Nder i Kombit“



Fatmir Terziu


Ai u radikalizua në

ekranizimet e kujtimeve të kuqe

kur thanë që hero ishte kuqoja që hapi zjarr

doli nga në një kasolle

ku një grua të vetmen dhi që kishte

ia kishte shtruar meze

ndërsa i vinte në gjumë fëmijët e saj të pangrënë.


Një rebel i cili marshoi në varguan e tij

me një të Shenjtë dhe një Kapele

nuk dinte çfarë shkruante Žižek dhe Zinn

as Reflektimet e Chomsky-t në lidhje të drejtpërdrejtë

veprimin dhe filozofinë anarkiste

e kuptonte kur nuk fliste,

se heshtja, vetëm ajo e drobiste


Një kundërshtar i vendosur i brutalitetit njerëzor

Diellin e kurseu për të lexuar errësirën

dhe kur errësira e mbuloi diellin

shkuli nga drita e syve

por jo për vete

që të ndriçonte udhën e Tjetrit

me qindra sonete…


Ai nuk ankoi për humnerën e zezë

por për kuqon,

për kuqot e tërbuar brenda një putreshence

aparatit të fiksuar me kontrolle

që pretendonin


ai iku duke përmjerur Revolucionin!


URAN KOSTRECI – IKONA E ANTIKOMUNIZMIT QË BESOI NË FITORE


Uran Kostreci cilësohej si kampion i qëndresës dhe asket i lirisë dhe demokracisë

Një mynxyrë që nisi për shkak të lidhjeve të të atit me Ballin Kombëtar, Uran Kostreci që prej moshës 23-vjeçare përjetoi burgun dhe internimin e regjimit komunist. Pa u dorëzuar asnjëherë, si “Don Kishot”, siç e përshkruante veten, ai edhe brenda çerdhes së djallit, mu në Burgun e Burrelit, shkroi poemën “Epopeja e karkalecave”, me të cilën përqeshte dogmat e regjimit komunist. Pas viteve ‘90 kontribuoi aktivisht në demokratizimin e jetës shqiptare duke zëruar kërkesat dhe të vërtetën e ish të përndjekurve të regjimit

Jeta e tij e kishte të brendashkruar krejt sagën e vuajtjes së të gjithë shqiptarëve që përjetuan ferrin komunist. E rrasën në burg si 23-vjeçar e doli nga aty kur ishte bërë 43 vjeç, i mpakur nga krajatat e vuajtjet e pafundme. Nuk do t’i gjente gjallë as nënën e as babanë. Kështu, emri i Uran Kostrecit fitoi staturën e antikomunistit që sfidoi një regjim të tërë.

Të hënën, në moshën 83-vjeçare, ai ka dhënë frymën e fundit pas një beteje të pamundur me virusin COVID-19, prej të cilit ishte prekur ditë më parë. Mandata për ndarjen e tij nga jeta është dhënë nga kreu i Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve, Nebil Çika.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se legjenda e qëndresës sonë antikomuniste Uran Kostreci ndërroi jetë sot. Në emrin tim dhe të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, bashkëvuajtësve dhe bashkëluftëtarëve të tij”, ka shkruar Çika në llogarinë e tij në “Facebook”.

Sipas njoftimit të dhënë nga kjo shoqatë, homazhet do të mbahen paraditen e së martës te godina e të përndjekurve politikë, kurse varrimi do të bëhet në orën 12:00 në Varrezat e Sharrës.

Me t’u dhënë ky lajm, rrjetet sociale janë pushtuar me kushtime e ngushëllime për Kostrecin, i cili është vlerësuar si kampion i qëndresës dhe asket i lirisë dhe demokracisë.

Duke u sprovuar me botën e letrave, sarandioti flegmetik ishte shquar gjithnjë për guximin e tij për t’iu kundërvënë dogmave zyrtare. Kështu, me poemën “Epopeja e karkalecave”, që e shkroi gjatë burgut në Burrel, Kostreci kishte përqeshur veprën e shkrimtarit regjimist Shefqet Musaraj, “Epopeja e Ballit Kombëtar” duke i cilësuar komunistët si karkaleca.

Me prirje e bindje antikomuniste, Kostreci si 23-vjeçar kishte bërë përpjekje për t’u arratisur nga Shqipëria, duke notuar përmes Liqenit të Pogradecit deri te Manastiri i Shën Naumit. Autoritetet do ta kapnin dhe, si rrjedhim, Gjykata Ushtarake e Tiranës do ta dënonte me 20 vjet heqje lirie për “tradhti të lartë ndaj atdheut”. Përveç kësaj, atij iu konfiskua e gjithë pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme, si dhe humbi të drejtat elektorale për 3 vjet.

Duke përshkruar mbijetesën e vet gjatë viteve të burgut e internimit, Kostreci thoshte se asokohe kishte një bindje të brendshme e një mënyrë të sjelluri jo edhe aq racionale.

“Unë, si Don Kishot, kisha arritur ta bindja veten se po luftoj me ta dhe do të fitoj. Edhe pse kjo kishte iracionalitet, kjo më mobilizoi që ta përballoj të keqen”, kishte thënë Kostreci në një bashkëbisedim me shkrimtarin dhe publicistin Jozef Radi.

Sipas biografisë së tij të botuar në novelën “Pabesia”, Uran Kostreci u lind më 29 janar 1938 në Sarandë. Shkollimin fillor shtatëvjeçar e kreu në Korçë. I atij i tij u arrestua më 1946 si kundërshtar i regjimit komunist, duke mbajtur 10 vjet burg.

Kostreci studioi në Shkollën Normale të Elbasanit, të cilën e përfundoi më 1957. Nga ai vit, ai shërbeu si mësues në fshatrat e Vlorës, si dhe në Gramsh. Më 1961, ai u arrestua për motive politike për të vuajtur njëzet vjet burgim. U lirua më 1981, për të punuar si punëtor krahu. Nuk do të vononte shumë që të internohej për pesë vjet në fshatin Kurtaj të Peqinit.

Në dhjetor të vitit 1991, ai themeloi gazetën antikomuniste “Liria”, organ i ish të përndjekurve politikë të të gjithë Shqipërisë. Për dy herë radhazi ishte kryetar i Degës së PD-së në Elbasan. Në vitin 1997, Urani emigroi në SHBA, kurse më 2007 do të kthehej sërish në Shqipëri.

Ndër botimet e autorit përmenden sonata “Lundërtari dhe deti” (1993), poema satirike “Epopeja e karkalecave” (1995) dhe vazhdimi i saj “Agonia e karkalecave” (1996), “Sonetë” (2006), etj.

Për sakrificat e tij dhe qëndresën ndaj diktaturës komuniste, Kostreci është dekoruar nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page