KUJTESA LETRARE NËPËR ETAPA KOHORE


    Bilall Maliqi

    Vështrim

    KUJTESA LETRARE NËPËR ETAPA KOHORE

    Bilall Maliqi


    (Prof.dr. Begzad Baliu „Kujtesa letrare“ Lymp, Prishtinë, 2013, faqe, 192)


    Studiuesi i njohur gjithandej trojeve shqiptare Prof. dr. Begzad Baliu, për 101 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, doli me një libër përmbledhës e kritik me titull „Kujtesa letrare“, e cila vjen para lexuesve si rezultat i punës së palodhshme krijuese e shkencore të prof. Baliut shqyrtuar e vlerësuar nëpër kohë.

    Libri është i karakterit kritik dhe eseistik, ku hudhen në dritë aspekte me rëndësi, të cilat i ka përmbledhur në këtë libër me rëndësi për letërsinë tonë dhe për zhanrin e kritikës sonë në përgjithësi.

    Këto vlerësime kritike janë bërë me një seriozitet të madh nga autori, në to shkrihen mendime profesionale të cilat janë të thukëta dhe kanë peshën e tyre në drejtim të pasqyrimit sa më objektiv dhe sa më real, për disa penda të letërsisë, të cilët me veprat e tyre treguan se syri i kritikës dhe në këtë rast i studiuesit tonë të zellshëm dhe tejet produktiv të jap mendimet lidhur me vlerat krijuese të çfarëdo zhanri qofshin ato, me qëllim të shprishjes së lëndëve të cilat në vazhdimësi autori i ka vlerësuar,e të cilat zënë vend meritor brenda kopertinave të librit dhe në letërsinë tonë.

    Kujtesa letrare

    Titulli i librit len të kuptojmë se autori ka nisur rrugëtimin e tij vlerësues në kohë edhe më të hershme, apo më mirë të themi është fokusuar në letërsinë e kohës së kaluar, e cila ka bërë shkallë për të ecur edhe brezat e mëvonshëm krijuesish, gjithnjë duke lënë pas vete begrandë të pasur krijuese.

    Studiuesi Begzad lëndën përfshirëse në libër e ka ndarë në cikle e kapituj, në të cilat pasqyrohen të dhëna me interes për lexuesit dhe për studiuesit e letërsisë.

    Në kapitullin e parë /Fenomenet dhe kujtesa letrare/, autori ka përfshirë tituj dhe tema interesante, e me titujt përkatës : Shekulli i Pavarësisë dhe i letërsisë shqipe, duke ecur kështu nëpër etapa të caktuara dhe me shkrimtarë të njohur në të gjitha kohët si : Gjergj Fishta, Fan Noli, Migjeni, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Lasgush Poradeci, Esad Mekuli, Martin Camaj, Dritëro Agolli, Dushko Vetmo, Azem Shkreli, Fatos Arapi, Vorea Ujko, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Visar Zhiti, Zef Zorba etj., me veprat e tyre përkatëse që lanë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë tonë në të gjitha kohët,e të cilët janë shqyrtuar, analizuar e vështruar me kujdes nga studiuesi ynë i zellshëm.

    Jo vetëm poetët, por edhe emrat e njohur të prozatorëve e të dramaturgëve përmenden në librin « Kujtesa letrare ». Këta emra si : Mihail Grameno, Migjeni, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Dhimitër S. Shuteriqi, Jakov Xoxa, Adem Demaçi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Sterjo Spasse, Nazmi Rrahmani, Sabri Godo, Bilal Xhaferri, Martin Camaj, Anton Pashku, Kasem Trebeshina, Pjetër Arbnori, Jusuf Buxhovi, Ridvan Dibra etj., autori na sjell një kujtesë të analizuar bukur me të gjitha epitetet që i kanë me vlerat tyre në fushat e caktuara letrare.

    Autori nuk e la anash edhe dramaturgjinë me emrat eminentë të kësaj gjinie letrare si : Fan Noli, Kristo Floçi, Skënder Laurasi, Kolë Jakova, Sylejman Pitarka, Rexhep Qosja, Ymer Shkreli, Emin Kabashi etj.

    Edhe kritika ka qenë ajo që i ka qitur në sipërfaqe meritat e tyre me veprat e shkruara të cilat padyshim i ka vlerësuar syri i kritikës nëpër kohë. E ajo kritikë ka qenë reale dhe tejet e arsyeshme për librat dhe për personalitetet letrare të kohës, e në këtë drejtim autori përmend edhe emra të studiuesve dhe të kritikëve si :Faik Konica, Fan Noli, Mitrush Kuteli, Dhimitër S. Shuteriqi, Hasan Mekuli, Rexhep Qosja , Mateo Mandala, Agim Vinca, Jorgo Bulo, Sabri Hamiti, Bajram Krasniqi, Rexhep Murtez Shala etj.

    Më tej në një kapitull të veçantë ndalet edhe në bazat e epikës shqipe të cilat janë të ndërlidhura me ngjarje historike, duke lënë një « vulë » të ndodhive nëpër kohë dhe situata të caktuara kohore dhe përmend : / Historinë e Skënderbeut/ të Marin Barletit, / Sibilat/ e Bogdanit, /Lulet e verës, Istori e Skënderbeut/ Naim Frashërit, /Lahuta e Malcisë/ e Fishtës, /Baba Tomorri/ i Çajupit, Mitrush Kutelin, Ernest Koliçin, poezia lirike e Lasgush Poradecit, Asdrenit, Dritëro Agollit, Kadaresë, Azem Shkrelit, Din Mehmetit e të Ali Podrimjes, në romanet e Skender Drinit, Jakov Xoxës, romanet e Kadaresë ( Kronikë në gurë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur), (Vdekja më vjen prej syve të tillë e Rexhep Qosjes ) romani « Oh » i Anon Pashkut etj., të shtjelluar nëpër kohë dhe me karakteret vlerësuese të tyre duke i ndarë veç e veç se cilës kohë i takojnë.

    Libri vazhdon edhe me tituj të tjerë me interes për lexuesit si :Poezia : përmasa, shenja dhe kufij onomastikë, duke dhënë sqarime të thukëta dhe profesionale, për të vazhduar me /Çabej i gjuhësisë dhe i letërsisë/,

    Vend meritor në libër zen edhe /Rexhep Qosja: Sartri i epokës sonë/, / Bajroni dhe koha jonë/, / Studiuesi i shqetësuar i kërkimeve arkivore për historinë kombëtare/, në këtë rast flet për studiuesin dhe gjurmuesin Dionis Qirdhizin.

    Kapitullin e parë e përmbyllë me shkrimin / shkrimtari i munguar (Vdekja e Sylejman Krasniqit dhe Ne).

    Lexime dhe komentime

    Në këtë kapitull Begzadi ndalet tek proza e Mehmet Kajtazit, për vëllimet me tregime : /Zemër e thyer/, romanet : /Nata në gurë/, /Plaku dhe urat/, /Fundi i legjendave/, /Ushtimë e Alboderit/, /Shote Galica/, /Shqiptarët në Goli Otok/, /Guri i dallëndyshes/, /Lindja në qiell/ , /Udha I/ dhe /Një diell tjetër/.

    Me një qasje eseistike autori paraqitet me fjalimin e tij me rastin e vdekjes së poetit të njohur në mbarë etnikumin shqiptar Ali Podrimja, fjalë kjo lamtumire e lexuar në bibliotekën kombëtare, organizuar nga Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptar, në të cilin elaboron jetën dhe veprën e poetit tonë të ndjerë.

    Në vazhdim gjejmë edhe shkrimin për iniciativën e tij për një çmim kombëtar me emrin e Asdrenit, për të vazhduar tutje me shkrimin tjetër me titull /Antologji e eposit të kreshnikëve/, ku prezanton një galeri emrash me rëndësi, njohës dhe mbledhës të kësaj fushe.

    Vështrime

    Në faqet e kujtesës letrare, Prof. Begzadi jep vlerësime të thukëta dhe tejet përmbajtësore për krijuesit e zhanreve të ndryshme si : Për poezinë e Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha, ku jep një vlerësim për librat e saj me poezi si me vlera të qëndrueshme artistike.

    Në vazhdim shkruan edhe për librat : Mehmet Bislimi (Lirika të fjetura –poezi), për përkthyesin Xhevat Halili, për vëllimin me ese « Dera » të Driton M. Kajtazit, Arjan Kallços (Në udhëtim), dy vëllimet e poetit Nazmi Talla (për njerëzit e vendit tim- poezi) dhe në fjalën përuruese për hapjen e ekspozitës së profesor Haki Xhaklit.

    Në kapitullin e fundit /Intelektuali dhe vetëdia kritike/, gjejmë shkrime interesante për lexuesit me këta tituj: /Kultura kombëtare dhe institucionet shkencore/, /Adem Demaçi dhe kulti i frymës së tij/, /Kur marrëzitë politike zbresin në institucionet akadamike/, në të cilën paraqet neglizhencën dhe papërgegjësinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për 100 vjetor dhe mosftesën e Akademik Rexhep Qosjes në këtë eveniment me rëndësi nga kryetari Gudar Beqiraj dhe titulli i fundit që i përmbyll kopertinat e librit /Krijuesit dhe trashëgimia jonë kulturore/, ku autori jep një pasqyrë reale për mungesën e trashëgimisë kulturore tek krijuesit tanë.

    Ky libër ka vlerën e vet, sespe në të Prof. Begzadi ka bërë një vlerësim të thukët të materialit të prezantuar në libër, duke na afruar neve lexuesve dhe studiuesve një vepër të punuar me seriozitet të madh dhe me një përkushim tejet serioz siç jemi mësuar të lexojmë me vëmendje shkrimet, kritikat dhe studimet e studiuesit tonë me përvojë dhe me profesionalizëm siç është Prof. Dr. #Begzad #Baliu.


    #bilall #maliqi

    25 views

    Shkrimet e fundit