KUJTESA E SË BUKURËS
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 25, 2021
- 1 min read

Prend BUZHALA: KUJTESA E SË BUKURËS (Tregim me pak fjalë)
Sa herë i fanitet përpara takimi me atë vajzë, ia nis e pendohet. E quante: kujtesa e së bukurës. Pendohet, sepse përfytyrimi dikur shndërrohet në pikturë surrealiste, të shpërqendruar, krejtësisht irracionale. Humb pamja e së bukurës. Ndjesitë trazohen, bëhen lëmsh. Humb kufiri midis ëndrrës dhe kujtesës, midis kllapisë dhe përhumbjes. S'ka më hapësirë për përhumbjen e tij, për humbjen e mendjes së tij rreth saj, s'ka më kufi në zhytjen e tij në thellësi. Nuk e dinte në e kishin mbërthyer kujtimet e rinisë apo është vetëm një hutim pa përcaktim, pa objekt, kuturu. Dikur zë e i humb edhe vetëdija, meqë humb kuptimi i hapësirës. Në fakt, mbrëmë te ai iu duk se kishte qenë Veronika, e cila tani iu duk se erdhi përsëri, iu fanit se i erdhi te dera, se po trokiste për të hyrë brenda. Përsëri kllapuritja, një të folur ndër dhëmbë, me psherëtima e klithma të pakuptimta, përhumbja, përsëri mjegullimi i hapësirës, rrahjet e zemrës që shpejtohen. Priste përqafimin me të. Dera nuk po hapej. Tha: ta hap unë dhe t'i hidhem në përqafim. Ashtu, në atë vrull, kur e hapi, pa te dera një foto të moçme, të para shumë dekadash, që e kishin zbehur motet dhe i kishin grisur cepat e saj.
(24 janar 2021)
Komentarze