Kujdes miqtë e mi, kujdes momentet e fundit!


Viron Kona

-Rrëfim-

Stamboll, korrik 1982. Turneu kishte përfunduar. Kishte përfunduar me sukses të plotë. Tashmë merrja frymë i lehtësuar nga pesha e përgjegjësisë që më kishte shoqëruar gjatë gjithë kohës që dhamë koncertet tona. Tani s`na mbetej gjë tjetër veçse të niseshim drejt Shqipërisë sonë. Dolëm të gjithë përpara hyrjes së Konsullatës Shqiptare në Stamboll dhe ishin gati të hipnim në autobus.

-Si thoni, bëjmë edhe një fotografi këtu së bashku me punonjësit e konsullatës, - tha dikush.

-Me kënaqësi, - u përgjigj Gentiani, kërcimtari që bënte edhe fotografitë e ansamblit, por që unë i kisha besuar të mbante edhe një valixhe ku mbanim gjëra të rëndësishme (fatura shpenzimesh karburanti, hotelesh, disa qindra dollarë të pashpenzuar dhe pasaportat e disa ansamblistëve).

Në çast u mblodhëm të gjithë në grup. Gentiani, vendosi valixhen në xhade pranë këmbëve të tij, nxori aparatin fotografik dhe nisi të bëj disa shkrepje, herë nga larg dhe herë nga afër.

-Këtej, këtej, - i thërrisnim ne dhe ai djalë i papërtuar, tregohej i gatshëm dhe kthehej e bënte shkrepje andej nga e kërkonin.

Ndërkaq nisëm të takoheshim me punonjësit e konsullatës që kishin dalë për të na përshëndetur.

-Do t`ju përcjellë deri në kufi, - tha konsulli, Ali Ymeri.

-Atëherë ju nisuni përpara, ne vijmë pas, - i them shoferit të autobusit ku ndodheshin shumica e ansamblistëve, kurse pjesa tjetër ishin në mikrobuz.

Ndihesha i gëzuar dhe i kënaqur sa s`thuhej. Gjithçka kishte kaluar më mirë se ç`mund të pritej. Kishim marrë pjesë në dy festivale ndërkombëtare, në atë të Bursës dhe të Stambollit, si dhe kishim dhënë koncerte në disa qytete të tjera të Turqisë dhe kudo na kishte shoqëruar suksesi. Ndjenja e gëzimit më përshkonte gjatë gjithë rrugës duke dalë nga Stambolli. Trafiku ishte i rënduar së tepërmi dhe shpesh herë na duhej të ndalonim pas vargut të gjatë të makinave. Befas, në një shesh pushimi, vura re se autobusi ynë kishte ndaluar. Disa nga anëtarët e grupit kishin dalë në xhade dhe, sapo panë veturën e Konsullit, zunë të bënin me duar që të ndalonim. Diçka kishte ndodhur.

Më shkoi mendja për keq dhe dola me ngut nga “Superbuicku” i konsullit.

-Ç`ka ndodhur? - pyeta gjithë shqetësim.

-Gentiani ka harruar valixhen atje ku bëri fotografitë, përpara konsullatës. Ju e dini se çfarë kishte në atë valixhe...

-Çfarë!? E harroi, e la valixhen atje?- pyetjet e mia tingëlluan gati si klithma.

-Po, ashtu ndodhi...

Disa çaste e humba dhe mbeta pa gojë. M`u duk sikur gjithçka e mirë dhe bukur e arritur gjer atëherë po hidhej në erë, po përmbysej thjesht nga një pakujdesi e çastit, që s`kishte asnjë lidhje me koncertet, por që na përfshinte, ishte tronditëse. Bota po më vinte rrotull. Këtë e ndjeu edhe kërcimtari i madh i ansamblit Rexhep Çeliku, i cili më vuri dorën në sup si të donte të më qetësonte.

-Të mos i humbim shpresat, mbase e gjejmë, - po thoshte ai.

-Ju vazhdoni rrugën dhe, në pikën e parë të karburantit ndaloni. Ne po kthehemi, të shohim një herë, kushedi, mbase.. - po thosha duke u afruar tek “Superbuicku”, ku Aliu po më priste, edhe ai me shqetësim.

Ia tregova se ç`kishte ndodhur dhe, ai burrë i ditur dhe aq i mirë, u trondit së tepërmi.

-Kthehemi në konsullatë, - urdhëroi ai shoferin.

Trafiku i dendur po na pengonte të ktheheshim shpejt me shpresën se kushedi mund ta gjenim atje valixhen. Por, në ato çaste kjo gjë ishte vetëm një ëndërr e pamundur, diçka që s`mund të ndodhte. Atje ishte xhade. Kalonin qindra njerëz dhe makina, si mundej të qëndronte një valixhe e patrazuar?! Heshtja dëshpërues më kishte përfshirë të tërin. Edhe Aliu, ashtu ndihej, si unë. Dukej sikur një dorë e fshehtë kishte shkatërruar gjithçka. Ajo nuk ishte thjesht një valixhe personale, por në të kishte dokumente që vërtetonim shpenzimet që kishim bërë gjatë afro një muaji qëndrimi në Turqi. Ishin edhe ato qindra dollarë që nuk i kishim shpenzuar, por më e keqja ishte se, atje, ndodheshin më shumë se 10 pasaporta, kryesisht të disa vajzave ansambliste që ndiheshin të pasigurta t`i mbanin me vete dhe kishin kërkuar t`i futnim në valixhe. Mirë në kufirin turk që do të kalonim, po në kufirin grek? Po në Qafë Thanë, në kufirin jugosllav, si do të kalonim? Po jehona e keqe që do të kishte ky aksident në Shqipëri?

Ndërkohë shoferi i konsullatës, një djalosh mjaft i shkathët, e futi makinën në disa rrugica, parakaloi disa makina dhe, shumë shpejt u gjendëm në rrugën që të shpinte te Konsullata Shqiptare. E shihja rrugën pëllëmbë për pëllëmbë dhe, gjithçka që shikoja, më bëhej se merrte formën e valixhes sonë që në ato çaste ishte shndërruar një fantazë. Ajo valixhe po bëhej e “famshme” dhe ogurzezë për të keqen time. E kisha fituar në një konkurs Kombëtar të Letërsisë, ku kisha fituar çmimin e dytë me një tregim. Qenkej e “shkruar” që ajo valixhe trofe, të humbiste në Stamboll dhe humbja e saj do të më kushtonte rëndë, shumë rëndë. Nga detyra, sigurisht që do të më shkarkonin, por do të kisha edhe pasoja të tjera sepse vargu i dyshimeve, i pyetjeve zhbiruese do të ishte i pafund; pastaj, ndjenja e turpit, sytë e habitur dhe gjestet e njerezve që do të pyesnin njëri – tjerin: “Si e humbën xhanëm, kaq të pazotë, kaq të paaftë ishin! Ama gjetën dhe këta se kë çuan në krye të ansamblit, atë të humburin, atë ...” Sigurisht, të gjeje atë valixhe në qendër të Stambollit gjigand, ishte si “Të gjeje gjilpërën në kashtë”. Mbase, kjo thënie popullore në rrethana të atilla mund të kishte lindur dhe populli e kishte kthyer në sentencë. Eh, gjithçka mund të kisha menduar dhe përfytyruar, por jo këtë. Jo! - gati thërrisja brenda qenies sime! Mbase edhe po e zmadhoja më shumë nga ç`duhej atë aksident apo pakujdesi, që ndodhte jo rrallë në udhëtime, por, për ne dhe për mua veçanërisht ajo ishte një ngjarje e hidhur, tronditëse. Më mirë të kisha pësuar vetë një aksident, sesa të pësoja atë të keqe! Sapo të kthehesha në Atdhe, zërat hetues do të më drejtoheshin me vrazhdësi: “- Pa na i shpjego pakëz këtë skandal, që është një njollë turpi për ty dhe ansamblin që ti drejtoje? Ku e kishe vigjilencën? Si mundet që, një drejtues me eksperiencë të gabojë kaq rëndë?” - Pastaj, ata do të heshtnin dhe do të hidhnin dhe dyshime të tjera: “- Mbase nuk ishte rastësi kjo që ju ndodhi, sepse, nga informacionet që kemi mbi ecurinë e Ansamblit që ju drejtonit, na kanë ardhur në vesh edhe disa episode të tjera të pakëndshme, dyshuese e deri edhe armiqësore. Juve nuk jeni treguar vigjilent, nuk i keni zbatuar me seriozitet porositë që ju janë dhënë nga Partia, madje jeni treguar liberal, tolerant, miop politik”. Dhe, teksa përfytyroja këto fraza dyshuese dhe britma gërvishtëse, përpara syve më shfaqeshin pareshtur vështrimet ironike dhe tinëzare të Syqelqit. 2). ”-Hë, - më bëhej sikur më thoshte ai, - ty të përfshiu mendjemadhësia dhe euforia e disa sukseseve të ansamblit dhe ia vare fare punës dhe detyrës që të është ngarkuar. E po, nuk thonë kot se “Macja e ngopur nuk gjuan minj”. Në ato çaste e përfytyroja Syqelqin si një qen që hungërinte i egërsuar dhe po më priste me gojën hapur e dhëmbët jashtë, i gatshëm të më shqyente. Ai ishte një Cerber i vërtetë!”