top of page

Kuajt robotë shajnë dhitë




Kuajt robotë shajnë dhitë

Nga Fatmir Terziu


Dhe në udhë e sipër takova një figurë

të krijuar prej trokthit të mjegulluar

më tha: të shikoja nga brenda në miniaturë

zemrën që pikturohet nga zemra,

dhe sytë që zvogëlojnë botën

dhe botën që ngulet aty brenda.

Asgjë përtej greminës së gjenezës

një rritje në përsosmëri larg syve

njeriu po ai si e verdha e vezës

e shtrydh bota sipas çdo mënyre

drejt misionit të kahershëm të harresës.

Këtë mision e ka robotizimi

dora e (vetë)përsosur e kohës

dhe ti pyet: ku po shkon njerëzimi?

duke i shkrirë një paracetamol kokës.

I robotizuari ka një fuqi të heshturi

kalorës në cipalin e zverdhur të lëkurës

hija e tij kalon nga i gjalli tek i vdekuri

zor se e kupton nga trokthi i turmës.

Është zverdhur fytyra e asaj figure

të ricikluar prej errësirës së padukshme

e zemra digjet si në temperaturën e një furre

kërkon pjesën e mishtë të puthshme

buzët e tua në këtë botë miniature

pyesin: a bëjmë një jetë të frutshme?

Apo i ikim vetë kësaj jete më tutje?!

Në rrugët e Londrës takoj këtë figurë

skicuar si një bust të robotizuar

ashtu rëndë ende si një burrë

imiton bustet e shekujve me kuaj

dhe mendja ime fluturon në Tiranë

vëzhgoj nga qielli si një i huaj

shoh kuajt robotë që mblidhen në Lanë

shajnë dhitë: ujin e kanë turbulluar?!

E kështu një mendje tjetër më thotë

teksa bota çelet ndryshe para meje

ja pse kërkojnë të jemi robotë

të mos ziej më gjak ndër deje.



Shënim: Në vend të parrathënies së librit tim të ri me tregime.

18 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page