top of page

Ku ta kërkoj atë që iku?


Pajtim Xhelo

  ( e para)


Zot! Herët në jetë e kam kuptuar,

Që ti më bëre ndryshe nga të tjerë,

Pa në jetën time nuk kam kërkuar,

Që shiu në arën time të bjerë.

Me shpirt poeti dhe plak në mendim,

Mbi gjëmba shkova një jetë mjerane,

Notova kundër rrymës lumit tim,

S'ëndërrova yllena e lulane.

Shpirti më dhëmbte, se ish shpirti yt,

Mendimi ankohej, zog në kuvli,

Fjala që dërgoje ngecte në fyt...

Veç kurrë nuk u largova nga ti.

Zoti im, pse më bëre poet lirik,

Pse më solle dylind për natyrana?

Më linde të brishtë e më the : " Ik,

Fluturo nëpër mriza e nër zana! "

Fatin tim ma dhe, po ishte rrëmbyer

Nga ata që m'i hoqën krahët, mua,

Në ëndrra, ashtu, me shpirtin e thyer,

Më shëtisje në liranat e tua.

Në jetën me thepina e murana,

Më shpërfillën, s'më lanë asnjë shteg,

Zhveshur, në thyerina pa lirana,

Veç lumit, pa u kthyer n'asnjë breg.

Pa mësuesit dhe shokët më donin,

Po në jetë s'ish vetëm dashuria,

Si rrebesh qiellin tim e rëndonin

Lufta e Klasave dhe varfëria.

Zot, pa re ma dhe shpirtin dhe mendimin,

Pse tej mëngjesit qiellin retuan?

Në sytë më dhe vesën dhe agimin,

Ç'u bëra unë që m'i mjegulluan?

Pa u mata me hijen e mesditës,

Në muzg , si dyzim, s'e pash asnjëherë,

Kur perëndoi dielli shëtitës,

Mjegulla u shpërnda pa u ndierë.

Vite, vite, vite...Thash se harrova,

Që poet shpirtlirë më bëre ti,

Ndrydha mendimin, po veç e vonova...

Kur ra mbrëmja erdhi si Yll i Ri.

Në thepina dhe shkëmbena mësova,

Dhëna e Zotit, zjarrndezur përherë,

Kundër rrymës notova, u dërrmova,

E dija që pas dimrit vjen Pranverë.

Më lodhi pritja, jam dhe i vonuar,

Po koha zzjarrpoetin nuk e fiku,

Ndonjëherë mendoj edhe trishtuar,

Mëkot, nuk e gjej dot atë që iku!

Çka humbur prej kohësh dot nuk e gjen,

Dhëna ësht' e Zotit, fatin s'ta jep,

Kjo botë lozonjare shkon e vjen...

Përjetë nuk të përkund asnjë djep.

Pajtim Xhelo, 14 shtator 2019



Më mirë ëngjëj se robër të dy  ( e dyta)


E di që edhe veten e ndëshkova,

Kur i thash " Lamtumirë" dashurisë,

Pa fund orë skëterre përjetova,

Veç nuk u bëra pre e pabesisë.

O Zot! Falë teje shpejt e kuptova,

Një grua robëruar shpirt e mish,

Do më kish Zeus. Pa nuk e lejova

Që të bëhej faltore Perëndish.

Për të isha Zeus, po dhe për mua

Ajo ishte si ylli " Afërditë",

Si ne tjetërkush nuk u dashurua...

Harruam botë, kohë edhe dritë.

Nuk e dija se marrëzia jonë,

Qumësht gjiri kish pirë te një dhi,

Pa vonë u kujtuam, fare vonë,

Zbritëm në lëndinë për bar të ri.

Gjiri që pimë nuk njihte lëndina,

As brigje lumi , mjegulle përpirë,

Na nxiste në shkrepa e në pjerrina,

Pa dirsëm e u lodhëm që pagdhirë.

S'kuptonim që përhumbur ish rinia,

Pafajësia ish veç thyerinë,

Në vjeshtë, kur na priste qetësia,

Me vargje e rizgjova dashurinë.

Ajo ish ëngjëll, po unë harrova,

Që bota rrokullisej n'errësirë

Në gjakun e një shtrige dhe mendova

Të zbrisja nga malet borën e shkrirë.

Në shkrepat e marrëzisë u lodha,

Afruar qesh në prag të pleqërisë,

Prita në heshtje, asnjë hap nuk hodha,

Zhurmuan zinxhirët e skllavërisë.

Në prag të derës së hapur ndalova,

Tej rrënojëkala e dashurisë,

Pash pluhur, zhurmë zinxhirësh dëgjova,

Që do i jepnin një shpirt skllavërisë.

Pa u përlota, thellë u pendova,

Një grua pse ta lija pa liri?

E di që edhe veten e ndëshkova,

Kur shpërndava muzgut një dashuri.

E hoqa vështrimin dhe nuk guxova

Të shuaja zjarrin në ata sy,

Hije të dyzuar e lash dhe shkova...

Më mirë ëngjëj se robër të dy!

Pajtim Xhelo, 13 shtator 2019



Të paktën na jepni lule

( Për brezin tim, të lindurit në vitet 1950, pranverën që erdhi e po

ikën pa u ndier! ) ( e treta)


Dikush po na quan " Brezi i artë",

Ca të tjerë " Mjaltin e Shqipërisë",

Ne ishim të gjithë të barabartë,

Ne ishim nektari i miqësisë.

Të shenjtë ishim si pafajësia,

Yje të largët, të fshehur, harruar,

Kokulur, të thjeshtë , si varfëria,

Po shpirt e zemër i mbanim në duar.

Dikush qe atlet, tjetra balerinë,

Po ajo që kish zërin si bilbili?

Një poet dashuronte kaltërsinë,

Ne ngjanim si petale trëndafili.

Eh, miqtë e mi, si binte purpuri,

Mbi faqet tona, pa i ulnim sytë,

Dhe si orë e çast turpi na zuri,

Kur na thanë " Si ti nuk ka të dytë".

S'donim lëvdata, as të na veçonin,

Njehësimin e kërkonim nën zë,

Mbetëm ne miq, kur përçarjen provonin,

" Një për të gjithë; të gjithë për një! ".

Mbi shpinët tona mbartëm këtë jetë,,

Dhe kjo kohë po nxitoka trishtuar,

Sot arritëm në vitet shtatëdhjetë,

Si jemi? Të shpërfillur, të harruar.

Sa dhamë, po nuk morëm, as kërkuam,

Si ditën e lodhur, nata rrëmben,

Dhe asnjë çast për veten nuk menduam,

Në braktisje kjo kohë po na gjen.

Veç nuk mallkojmë atë që ne ishim,

As nuk përbuzim këtë që po vjen,

E dhamë jetën e bardhë që kishim,

Kjo jeta tjetër, thinjur po na gjen,

Miku im, që heshte jetën të tërë,

Edhe sot, heshtur, në pragfund u ule,

Mos prit shpërblim për atë që ke bërë...

Le të na japin një tufë me lule.

Pajtim Xhelo, 13 shtator 2020



Nëna e tradhëtarit  ( e katërta)

( Marie Kiafa,çame nga Filati,martuar në Sul,në Kiafë( Qafë) vret të

birin,Niko Kiafën,që tradhëtoi suljotët,duke ndihmuar Ali Pashën të

realizonte pabesinë makabre dhe tragjedinë e atij populli,që i

rezistoi Ali Pashës për 15 vite.Maria, preu dhe vallen e kënduar të 56

grave e vajzave të Sulit ,vrau tradhëtarin,të birin,pastaj u bashkua

në valle,duke u hedhur e para nga shkëmbi i Zalogut.)


Vallja ftoi malet,kënga ftoi retë, ,

Që nga lashtësia erdhën epirotët .

Te shkëmb' i Zalogut,zbritur vdekja vet

Për të adhuruar në flijim suljotet.

E shtruar vallja,po kënga ndezi gjakun,

Trimat tradhëtuar,Leni ,pleqtë vrarë.

Plumba më s'kish.Kush do u merrte hakun?

Vendosën gratë: Asnjë mos mbetet gjallë.

Hoq shaminë Maria,i la Moskos vallen,

Në fund u rreshtua,shpatën zhvesh nga mylli.

Hodhi dhe jelekun,hodhi dhe sandallen;

Ashtu,floklëshuar,prit të vin' i biri.

U pre një çast vallja,pa të gjitha gratë

I hodhën shaminë,jelekun,sandallen.

Një dorë në valle,një dorë në shpatë

Mbajtën zi për Lenin,trimëreshsorkadhen.

Hyjnore vallja,shenjtore edhe gratë!

Ishte lidhur besa: për çdo rrotullim,

Fustanbardha,lëshuar flokët e gjatë,

Puthnin shoqen,lëshoheshin në greminë.

Mbrrin aliasit.Në krye tradhëtari,

Niko Kiafa,i biri i Marisë.

Shtangën ata vrasës dhe i pari

U ul në gjunj'dhe iu fal Perëndisë.

U shkëput Maria,prap vallen e preu,

Shtrëngoi shpatën,u kthye nga i biri

-Ngri kokën!- i tha- Lakmia të gënjeu.

Shikomë në sy;flori të dha Veziri?

-Bastard,s'je djali im,je ndrruar me tjetër.

Fisi i Kiafave s'njeh tradhëti

As në këtë luftë,as në koh' të vjetër,

Shpirti s'do më dalë,pa u vrarë ti

Pa dhe shoqet pa nder s'më duan në valle...

Dhe vdekja do nder,është kanun i vjetër.

Në nder le të mbeten edhe këto male...

Nuk iki turpëruar në boten tjetër.

Shpatën i nguli dhe dora nuk u drodh,

Te shoqet u kthye,hoqi atë valle.

Pas çastesh ,e para në humnerë u hodh

Fustanbardhë,pa jelek,me një sandalle.

Jehoi humnera,oshëtinë malet,

Aliasit ranë përmbys: " O Alla!"

Suli i mbaroi këngët edhe vallet

Bashk' me ato pesdhjetegjashtë gra.

Sa bukur zbriti agimi mbi Zalog,

Gjet vrasës pa burrëri dhe të flijuar;

Me krahët mbledhur një fajkua,një zog

Her' tjetër kish zbritur,sot rrinte i truar.

Ato shpirtra ruan edhe sot Zalogu

Që i rikthyen Epirit trimërinë.

Një fajkua tjetër,nip i atij zogu

Mbledh krahët,ulet,klith dhe nderon Lirinë!

E trishtë,por e bardhë kjo trimëri!

Të hidhesh në vdekje me këngë,me valle.

Suljotja vret të birin për tradhëti,

Që tradhëti të mos kenë këto male.

( Zakon i lashtë në Epir, gratë që duhet të mbeteshin pas vdekjes me

NDER, shkonin drejt saj pa shami, pa jelek e me një sandale. Po me

këtë zakon hidhnin vallen e kënduar për heroinat si Eleni Boçarin për

t'u përcjellë në jetën tjetër bashkë me trupin edhe Nderin e Lavdinë)

Pajtim Xhelo.

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page