Kafe shqeto
Më jep - i thashë zonjës sime - ndonjë lekë,
do shkoj të pi një kafe me do shokë,
poetë jan’ si unë copë e trokë,
një shishe ujë e ndajmë katër vetë,
me kafe e poezi ditën ngjërojmë.
Ma dha e gjora grua si përherë
(e dhembura kaq mundet të më japë).
Të piqem, ling u nisa, (ish fundjavë)
ndërkohë që me mendje shend e verë
ca vargje e rima ktheja mbarë e prapë.
Por ja se një lypsar në anë të rrugës,
mbi një karton mes zhelesh buzënxirë
më hodhi një vështrim me sy të mpirë
prej shpirti më lëshoi një zë lutës:
- më fal diçka zotni, ki pak mëshirë.
I mbajta këmbët, s’ika si përditë,
me gishtat dreqin ngecur te monedha:
“mallkim për të, më vete, qenka jeta!”
Me tym të hidhur mbusha mushkëritë
e mih e shaj pastaj të zbrazëtit xhepa.
E mbajta e përsolla nëpër gishta
në fund ia lashë djalit në pëllëmbë
dhe shkova, duke folur nëpër dhëmbë:
“atyre do t’u them: sapo e piva.
Sa kafe e hidhur dreqi paska qenë!”
Riza
Riza Braholli Mborja
Ёndërr
I thirra në emër trëndafilit;
nuk m’u përgjigj.
E kish të zënë buzën
me një pikë vese
harruar në dritë.
13/04/2022, Tiranë
Riza
Riza Braholli Mborja
Ku ta dish...!
U shuan të gjitha flakët e ditës.
Dita po vdes ngadalë.
Tutje në horizont një baxhë.
E fundmja shpresë për dritë, por ai
mbërthyer ia ka sytë yllit të parë.
Mbase e pandeh një gozhdë,
mbase një thëngjill. Ku ta dish...
Do varë pallton e mbrëmjes aty, mbase
do ndezë cigaren që shtrëngon mes dhëmbësh!
21/01/2021, Tiranë
Mbërritje
Nuk e mbante mend nisjen.
Qëkur, qëkur...
Shekujt shkuar në tespihe.
Ç’i duhen t’i numëronte më.
Ku është fundi, mbërritja ku?
Nguli stapin, uli torbën, ktheu kryet.
Udha ulej prej Hëne
Udha nisej te yjet...
U kujtua: dritë...! Ah duhet dritë!
Në mendje kishte qirinjtë; ndezi cigaren.
“Sa shijuaka e fundit!”
“Për atë që niset – tha, -
domosdo duhet të ketë një mbërritje;
i duhet fillimit.”
Comments