Ku kam dëgjuar për Sabiha Gokcen?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Mar 25, 2020
- 5 min read

Ndodh ndonjëherë që, qoftë edhe rastësisht, një fjalë, një shprehje, një kujtim të "detyron" t'i sulesh kompjuterit e të shkruash diçka. Është edhe një punë e mirë për të larguar stresin nga Coronavirusi, që ka pllakosur sot botën..
Kështu më ndodhi mua. Pyetja që ka titulli i këtyre shënimeve nuk është e ditëve të fundit. Ajo lindi brenda vetes sime dhe po vete i dhashë përgjigje pas tri-katër sekondave, në fund të janarit, apo në ditët e para të shkurtit 2020. Buçitën lajmet se një aeroplan i madh u përplas në tokë dhe u nda në dy-tri pjesë, teksa u ul në aeroportin e dytë më të madh të Stambollit me emrin Sabiha Gokcen. Oh-thashë me vete-shyqyr që nuk pati viktima po, dale, dale, ku e kam dëgjuar për SABIHA GOKCEN?!
U kujtova shpejt. Emrin e saj e kam përmendur fare shkurt në librin tim “Lis në shkëmb" dhe në shkrimin tim te gazeta "Dita" me titull:' "Kur Ataturku vallëzonte me nusen shqiptare nga Floqi". Lidhur me Sabihanë, është vetëm një rresht, shkëputur nga letra e Selman Hasës nga Goskova e Korçës, dërguar të afërmve të tij në Shqipëri. Letra është shkruar në vitin 1937 dhe përshkruan me hollësi dasmën në Stamboll të Myzejenit, mbesës së tij, vajzës së motrës, që ishte vajza e Rushan beut, mikut familjar të Presidentit turk Mustafa Qemal Ataturkut, i cili mori pjesë në atë dasmë.
Selmani, midis të tjerave shkruan:... Në dasmën e Mysejenit kishte afër 600 shpirt të ftuar. Në mes të tyre ishte edhe çupa e Ataturkut...që e quakëshin Sabiha Gokcen...Kaq.
Ma merr mendja se Selmani aq dinte aq shkruante për Sabihanë. Kuptohet se përmendja kaq shkurt e emrit të saj ai e ka bërë pasi ka parë interesimin e personaliteteve te tjerë, pjesëmarrës në atë dasmë dhe ai mund të ketë pyetur: kush është ajo vajza, që tërhoqi si me magnet vëmendjen e këtyre njerëzve te shquar? Dhe ka marrë përgjigjen e shpejtë: Është Sabiha Gokceni, çupa e Ataturkut...
Ku ta dinte Selmani i gjorë jetën dhe personalitetin e së famshmes Sabiha ?!. Më vonë, ndoshta, do të ketë mësuar hollësi se, Sabihaja ishte vajza e adoptuar e Ataturkut. Fati desh që kontaktin e parë të saj me Ataturkun ajo e ka patur në vitin 1925, kur ka qenë 12 vjeç. Presidenti reformator, themeluesi i Turqisë moderne republikane ishte duke vizituar qytetin e Bursës ku ajo ishte lindur nga dy prindër: Mustafa Izetit dhe Hajrie Hanëmit, të dy lindur e rritur në Bosnjë por emigrantë prej vitesh në Bursa të Turqisë.
Adoleshentja Sabiha u tregua e shkathët dhe e guximshme. I doli përpara presidentit dhe iu lut atij ta ndihmonte të shkonte në ndonjë konvikt gjëkundi dhe të shkollohej. Mustafa Qemal Pasha ia pranoi kërkesën,. I pëlqeu dëshira dhe guximi i vajzës. E mori me vete në Ankara, qytetin e dytë më të madh të vendit pas Stambollit, që Ataturku e kishte shpallur kryeqytet, e adoptoi dhe e çoi në shkollën fillore Çankara, që ishte pranë rezidencës presidenciale.. Më vonë ajo shkoi në Kolegjin e Vajzave në Stamboll...
Ishte koha e reformave të mëdha në Turqinë moderne. Sabihaja, si shumë e shume gra e vajza, njihej deri atëherë vetëm me emrin pa mbiemrin. Doli një ligj që detyronte njerëzit të vendosnin një mbiemër. Më përpara Ataturku njihej me emrin Gazi Mustafa Qemal Pasha. Pasha është titull nderi, që i takon një udhëheqësi. U quajt më vonë me mbiemrin e ri Attaturk që do të thotë Baba i gjithë turqve..
Ataturku e quajti bijën e adoptuar Sabiha Gokcen, që në shqip përkthehet Sabihaja e Qiellit. Ishte bekim? Ishte parandjenjë? Ku ta dish? Deri atëherë Sabihasë as që i kishte shkuar ndërmend të merrej me aviacionin. Fakti është se Sabihaja u bë gruaja e parë pilote në Turqi dhe e para femër në botë në aviacionin ushtarak...
Në vrullin e reformave grave u dhanë të drejta deri atëherë të munguara. Gratë kishin të drejtë të votonin, e drejtë që në disa vende të Evropës mungonin, u dha përparësi modernizimit të aviacionit. Në vitin 1935 vetë Ataturku mori pjesë në ceremoninë e hapjes zyrtare të Shkollës së Fluturimit. Atje Sabihaja u regjistrua si studentja e parë femër... Pak më vonë ajo, tok me nja shtatë pilotë të tjerë u dërgua në Bashkimin Sovjetik të asaj kohe, për trajnim të avancuar. Fluturimin e parë ajo e bëri në vitin 1936, në moshën 23 vjeçare. Ndërkohë vijonte trajnimin në shkollën ushtarake të aviacionit turk. Fluturoi mbi Egje e kudo nëpër Turqi. Në vitin 1938 ajo bëri fluturimin historik pesëditor nëpër disa vende të Ballkanit si në Greqi, Jugosllavi, Bullgari, Rumani. U hidhërua pa masë sepse po atë vit, më 11 nëntor ndërroi jetë nga ceroza Ataturku për shkak të abuzimit me alkoolin.
Për Sabiha Gokcenin kanë shkruar shtypi vende dhe ai i huaj. Gazeta "London Independent" e krahasonte Gokcenin me Amelia Earhart, me kapele moderne e syze pilotimi. Amelia ishte e para grua në botë që fluturoi me aeroplan mbi Atllantik. Në një vizitë tek ekspozita e aviacionit në Toronto ku Amelia kishte shkuar nga Kansasi i Amerikës të takonte të motrën më 1917, me rastin e pushimeve të krishtlindjeve, duke parë një aeroplan të vogël, ishte shprehur përafërsisht kështu:. Unë besoj se aeroplani i vogël i kuq tha diçka për mua...
Amelia jetoi vetëm 40 vjet pasi, në vitin 1937, ajo u zhduk në mënyrë misterioze duke fluturuar. Ngjarja intrigoi shumë njerëz në botë. Ndërsa Sabiha Gokcen jetoi 88 vjet si kokrra e mollës, duke qenë në shërbim të aviacionit me 8 mijë orë fluturim për 19 vjet me radhë. U largua nga aviacioni në vitin 1955 dhe nga jeta në vitin 2001. E përbashkëta e këtyre dy piloteve të shquara në botë është se të dyja kanë qenë aktiviste të flakta për të drejtat e grave dhe kanë qenë të parat femra në shërbim të aviacionit.
Në përfundim të këtyre shënimeve dua të shtoj diçka që më bën përshtypje. Kur bëhesh i famshëm apo e famshme më parë shkon nëpër vende të ndryshme fama se personi vetë. Sabihaja e bë e famshme. Atëherë u sulën disa shkrues biografish ta përvetësonin origjinën e familjes së saj biologjike, Jo është nga Armenia, jo nga Bosnja e më the të thashë. Të shumtët anojnë nga Bosnja. Por pse vallë vetë kjo heroinë e qiellit nuk ka shkruar gjë për t'i dhënë fund abuzimeve? Pse në librin e saj: “Një jetë përgjatë rrugës së Ataturkut", nuk e përmend këtë fakt? Apo kërkon t'i mbetet besnike idesë e të qenit turke deri në palcë?
Nga të dhënat që kam deri tani, mendoj se Sabiha Gokcen, krahas famës e sukseseve e lumturisë së saj në jetë duhet të këtë patur edhe nuanca mërzitjeje, Një nga këto është jeta e shkurtër bashkëshortore. Ajo u martua në vitin 1940, me një nga shokët e saj të punës në aviacion, por i shoqi vdiq pas tre vitesh duke mos lënë pasardhës.. Tjetër: Aeroporti i dytë më i madh ndërkombëtar i Turqisë në Stamboll mori emrin e saj në fillim të vitit 2001. Mirëpo ajo ndërroi jetë pas dy muajve, më 22 mars të po atij viti në akademinë ushtarake Gulhane në Ankara. Iku kështu një nga anëtarët e fundit të familjes së Ataturkut...
Comments