Vullnet Mato
KTHIMI NË SHPELLË, SI NJERI PRIMITIV
Tani kur dashuria, qëndron mënjanuar,
kur bukuroshet dalin, veç në valë vizive,
kur nuk gëzoj dot artin, që kam lakmuar,
kur poezia e proza, nuk rendin largësive;
Tani kur është bërë poet e shkrimtar,
kushdo që ka nxënë shkrim e këndim,
kur libraritë, kanë mbetur si hambar,
kur nuk ka më aq vlerë, as talenti im;
Kur pandemia krijoi brezin e humbur,
kur motivet gjenden, vetëm te mortja,
kur dueli virusit, frymëzimin ka mundur,
kur vetëm kompjuterin, kam sy te bota;
Tani kur shita makinën, mos ndryshket,
kur ajri më tremb, si karbon i hidhur,
kur paraja veç ilaçeve, s’ka ku prishet,
kur argëtimet e qejfeve, janë mbyllur;
Kur pakësohen banorët në pallate të larta,
dhe pres me ankth, radhën e ikjes fatale,
kur largohem nga miku, si nga fantazma,
kur bishtnoj takimet, me rrëshqitje ngjale;
Tani kur dhe pasuria, më duket një kotësi,
kur modën e luksin i zhvlerësuan vdekjet,
kur dyqani i preferuar, ka tabelën “Farmaci”
kur ushqehem si ufo, me vitamina pakete;
Tani kur ruaj trurin, nga depresioni vetmisë,
kur dhe nga nipërit e shtrenjtë, ndjej rrezik,
kur vijnë më shohin, përtej derës së shtëpisë,
të më mbrojë nga infektimi asimptomatik.
Tani kur stinët vijnë njëlloj, nëpër dhoma,
kur zogjtë e gjethet, më joshin pas xhamit,
kur festat e gëzimet, u paralizuan në koma,
kur televizori më bëhet, demoni i lajmit;
Tani kur përpiqem, covidi të mos më mundi,
kur vaksina nuk i shfaros, mutacionet virale,
ndoshta virusi, s’më gjen dot gjithkundi,
po të jetoj te një shpellë, në majëmale?
Aty si njeri primitiv, në kohe pandemie,
të dy me gruan, gjejmë barishte për gjellë,
vras ndonjë derr të egër, me hark gjuetie,
gdhij netët me dhjamë kandili, në shpellë?!...
Sikur, kjo mundësi, të ekzistojë vërtetë,
nga rreziku i virusit, a shpëtoj me siguri,
të kthehem mijëra shekuj, prapa në jetë?
Ah, kjo mund të bëhet, vetëm me fantazi!...
S.Athanasi:
Poezi shumë e ndjerë, e vërtetë deri në përlotje e tej'dhimbje se nuk dua të pranoj atë që po troket me ulërimë: kushtrimin e të parëve. Suksese autorit!
S.A.