KRYEPUTHJA E KËSAJ BOTE


Vullnet Mato

KRYEPUTHJA E KËSAJ BOTE

Qëkur kam lindur, gjer këto vite në ngjitje,

kam shijuar me shtjekat e mia të buzëve,

të gjitha ëmbëlsitë e puthjeve magjike

dhe tani di kush qëndron në krye të puthjeve.

Kur puthja e më puthte, nëna e shtrenjtë,

më dukej, s’gjendej askund lumturi tjetër,

bëhesha zog, fluturoja nga shpërgenjtë,

mbi male e dete, rrihja krahët e vegjël.

Kur putha vashën, që lidhi buzët me mua,

mu duk, sikur shijova tërë llojet e mjaltit.

Për atë ëmbëlsi, kisha uri të pambaruar

dhe s’doja të më prekej as thërrimja e fatit. 

Njerëzit e dashur u shtuan, si zogjtë në tel,

më kënaqej shpirti me disa shije të puthjeve,

nga përzierja familjare e puthjeve koktejl,

me buzët e motrave, vëllezërve e nuseve...  

Kur putha nipa e mbesa, me krahët engjëllor,

ndjeva eliksirin shërues tek buzët e sytë.

Kur ata më puthin faqet, m’i lëmojnë me dorë,

yjet vezullues, më mbushin qiellin me dritë.

Por cila është kryeputhja, për të cilën kam mall,

se më ka ngrohur shpirtin, në çdo dimër shqote?

Ah, puthja e nënës, krahasohet vetëm me atë zjarr,

që puth dielli tokën e i jep jetë, gjithë kësaj bote...    

30 views

Shkrimet e fundit