Kryeministri Kurti dhe bisedimet Kosovë -Serbi


Skënder Sadri KAPITI

Fakti se Kosova është Republikë Parlamentare detyrimisht dhe konstitucionalisht ia delegon të drejtën që në krye të bisedimeve Kosovë -Serbi për palën kosovare i takon që të jetë Kryeministri dhe jo Presidenti i Republikës. Kur për këtë është shprehur qartë edhe Gjykata Kushtetuese , Thaci jo vetëm se nuk duhet të jetë në krye të bisedimeve por ai duhet të përgjigjet para Ligjit Kushtetues për atë se përse ai e paska shkelur Kushtetutën duke marrë përsipër dhe rrëmbyer kompetencat që nuk i takojnë për të qënë qenë kryenegociator për shumë bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjë e cila përbën dhe shkelje konstitucionale dhe që për këtë duhet të përgjigjet para ligjit.

Madje para Ligjit duhet të përgjigjet edhe si bashkëautor i tentativës për ndarjen dhe coptimin e Kosovës, dhe as që duhet të bëhet fjalë që ai të pyetet më tutje për bisedimet.

Pra, Kurti jo vetëm se duhet ta marrë përsipër kryesimin e bisedimeve dhe në asnjë mënyrë qeveria nuk duhet që të caktojë as edhe ndonjë ekip tjetër mbishtetëror për bisedimet Kosovë-Serbi pasi edhe kjo do të ishte antikushtetutore.

Kurti duhet të marrë përsipër kryesimin e ekipit për bisedimet për palën kosovare, gjë e cila nuk do të thotë se mes tij e Thacit ka filluar beteja për kompetencat, pasi është vetë Ligji dhe Kushtetuta që e përjashtojnë Presidentin si “kompetentin” dhe kryesorin e bisedimeve, por për pasojat negative që i kanë shkaktuar dëme të mëdha Kosovës në këto bisedime të kryesuara deri tani prej tij , ai nuk duhet të jetë as pjesëmarrës në ekipin kosovar pasi ai do të përpiqet që të sabotojë suksesin dhe qëllimin kombëtar të ekipit të Kosovës në këto bisedime, në mënyrë që ta mbrojë veten dhe për të justifikuar qoftë shkeljen e ligjit por edhe dëmet që ai i ka shkaktuar Kosovës me bisedimet e deritanishme. Atij i duhen ndërprerë mundësia që të mbrojë “projektet” dhe tentativat që ai i ka bërë në dëm të Kosovës.

Kurti për modesti institucionale deklarohet se nuk e përjashton Presidentin si pjesë e ekipit në këto bisedime të rëndësishme, por jo dhe në asnjë mënyrë atij nuk duhet t’i jipet rol kryesor, pasi ai është treguar qoftë i paaftë, i papërgjegjshëm por edhe inferior në bisedimet e derimësotme. Kurti në këto bisedime duhet të zgjedhë individë publikë, politkanë dhe akademikë me përvojë dhe kontribute patriotike, intelektualë e profesionistë të mirëfilltë me autoritet, me pergjegjshmeri kombëtare si dhe me integritet të lartë profesional të cilët tashmë edhe dihet se cilët janë, pasi: kapacitetin, aftësinë, përkushtimin dhe qëndrimin e tyre ata e kanë deklaruar edhe publikisht e mediatikisht në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi.Jo vetëm Kushtetuta e ligjii por tashmë edhe verdikti popullor i 6 Tetorit 2019 e shkarkoi dhe e ndëshkoi ashpër Presidentin aktual duke ndëshkuar kualicionin qeverisë PAN të ideuar e sajuar prej tij ashtu sikurse edhe vetë politikën e tij institucionalisht dështake e të trajtuar prej tij si post privat.

0 views

Shkrimet e fundit