top of page

Kriza e leximit në romanin...


Kriza e leximit në romanin “Dimri i librave” të Bashkim Hoxhës

Halil RAMA

Prozatori dhe dramaturgu i mirënjohur Bashkim Hoxha, autor i romaneve më të kërkuar nga lexuesi: “Kronikat e mjegullës”, “Një ditë si Skënderbeu”, “Duartrokitësit”, “Një shaka e vogël me vdekjen” dhe “Asnjëherë të martën”, në panairin e librit 2023 vjen me një titull të ri, sa sinjifikativ aq edhe me një trill të veçantë artistik: “Dimri i librave”, roman ky që do të promovohet po në mjediset e këtij panairi të premten me 17 nëntor, ora 11 tek stenda “ONUFRI”..

Ky roman që vë në qendër shkrimtarin dhe krizën e leximit e kaloi testin e të qënurit ndër më të mirët e këtij viti gjatë prezantimit para dy muajsh në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ku autorë, studiues, botues dhe më gjerë që ishin të pranishëm e vlerësuan si një vepër që përshfaq realitete bashkëkohore, nën perceptimin e njerëzve që jetojnë me librin, si një metaforë mbi rëndësinë që ka arti kultura në ridimensionimin shpirtëror e social të kohës që jetojmë. Këtë ridimensionim atutori B.Hoxha e përshfaq që në pjesën e parë “Koha”, ku ndër të tjera shkruan se: “Ka qenë njëherë e një kohë kur letërsia krijonte kombe, si dikur në Rilindje. Tani ndjenja është zhdukur në drejtim të paditur, fjala është struktur diku në një cep e trembur dhe kapakët e librave janë bërë si sëndukët e gjysheve, që nuk i hap njeri prej kohësh…”(fq.21).

Risi e këtij romani është struktura kompozicionale krejt e veçantë, ku në katër pjesët e titulluara : “Koha”, “Atdheu”, “Jeta” “Pranverë, verë, vjeshtë” dhe në epilogun “Dimri” autori të befason me lëndën e larmishme, bukurinë e narrativës, karakteret e shumta, përshkrimet e portretizimet brilante, gjuhën e pasur e gjithë forcë shprehëse. Në epiqendër është Adnani, një ish poet ushtarak që pas ’90-tës u përshtat me ekonominë e tregut duke krijuar lokalin me emrin “Muza”, ku në një tavolinë të veçantë të saj mblidhen për çdo javë shokët e tij shkrimtarë e poetë: Sokrati, Fatmiri, Simoni, Bela, Sokrati, Mirela…, që diskutojnë për tema të ndryshme e madje recitojnë edhe pjesë nga krijimtaria e tyre dhe shpallin edhe konkursin e më të mirëve. Kësisoj mjeshtri Bashkim Hoxha të mahnit me bukurinë e fjalës teksa vë në gojën e këtyre personazheve ligjërime për tema si atdhedashuria, vdekjen si një monolog, jetën – një pritje e bukur, etj. Për Bashkim Hoxhën “Vdekja është monolog. Jeta është dialog me të paktën dy zëra, nuk mund ta shprehë dot një zë i vetëm”(fq.102). Dhe po në këtë linjë, duke filozofuar mjeshtërisht mbi konceptet për jetën autori shkruan se “…njerëzit vdesin atëherë kur harrohen.”. Po në këtë linjë B.Hoxha i trajton në këtë roman edhe marrëdhëniet njerëzore, kur shkruan se: “Marrëdhënia e njeriut me botën është bërë shumë materiale dhe ndjesia ka dalë diçka e tepërt, siç doli i tepërt edhe bishti, në fillim si një atavizëm, pastaj iu zhduk fare njeriut”.



KONCEPTET PËR DASHURINË dhe….

“Dimri i librave”, është romani ku përveçse shqetësimit për humbjen e interesit për të lexuar trajton në mënyrë filozofike edhe konceptet për dashurinë njerëzore. Këtu spikat bukuria e rrëfimit dhe larmia e subjekteve. Kështu, për djalin e vetëm, Adnani “do të donte që Sidriti të kishte liundur në një datë tjetër, sepse 11 prilli i vdekjes së Enver Hoxhës, zakonisht shpallej çdo vit zi kombëtare, nuk kishte shans ta festoje me gëzim”. Dhe nëse këtë perifrazim e marrim nga personazhi kryesor, Adnani, për personazhin tjetër me emrin Sokrat “zemra është një balonë me ajër që e fryn dashuria, e bën aq të lehtë sa të rrëshqet nëpër duar dhe ngjitet lart në hapësirë..”. Duke vijuar po në këtë linjë më tej autori shkruan se “Dashuria për Sokratin ishte pjesa e vetme argëtonjëse e jetës, me ngjyra të ndezura, diçka e lehtë, si e Don Zhuanit në historinë fillestare pa këto këndvështrime të çuditshme regjisorësh mizorë që nuk e njohin fare realitetin”. Konceptet e tij për dashurinë njerëzore, Bashkim Hoxha i shfaq aq bukur duke i vendosur në gojën e personazheve shkrimtarë të romanit të tij. Në këtë përplasje konceptesh ai shprehet në koherencë me realitetin e sotëm; më e dukshme kjo tek personazhi me emrin Bela, për të cilën “dashuritë e ikura janë si plehu që ushqen lulet e reja që i shijojnë të tjerët”. Krejt ndryshe ndodh me Fatmirin, poetin i cili, “që kur Bardha (bashkëshortja) ishte larguar, jetonte me vdekjen e gruas së tij përditë”...dhe gjithsesi pasi e vuajti për vite dashurinë e humbur më në fund e rigjeti kur puthi Belën nën bardhësinë e borës. Këtu autori si mjeshtër i fjalës shkruan se “Dashuria nuk do fjalë. Do vetëm rrahje zemre…”.


….ATDHEDASHURIA DHE SHPËRDORIMI I LIBRAVE

Sado improvizues e spontan që është Bashkim Hoxha, gjatë shkrimit, tipar ky që zbulon poetin brenda tij, ai e ka megjithatë të qartë Itakën ku do të mbërrijë dhe nuk hutohet gjatë rrugës, gjë që i jep rrëfimit të tij një qartësi, një dinamikë dhe një ritëm të lartë. Këtë e bën edhe kur në këtë roman përplas konceptet për atdheun. Kështu, nëse Adnani, poeti që krijoi lokalin me emrin “Muza” për frymëzime të mira “Të rëndësishme ai quante atë kohë kur për atdheun ndodhnin ngjarje të mëdha, si ta zëmë luftërat dhe revolucionet, përmbysjet e sistemeve” (fq.22) dhe që “Atdheu i jepte rëndesë ndjesisë së tij për kohën”, (fq.25) krejt ndryshe e koncepton sot kur “Atdheu mezi po merr frymë, i kanë zënë fytin…”(fq.61). Këtë ide e shtjellon qartazi kur me lakonizmin e spikatur profilizon personazhin Triumfi, trafikantin që pasi u pasurua në rrugë kriminale arrin të kandidojë për deputet. Me mjeshtri të rrallë artistike autori e fut Triumfin në grupin e atyre që “E kanë vjedhur atdheun, sa nuk i kanë lënë as kockat”. Dhe nëse Simoni që “në krijimet e tij kishte vetëm një qëllim: përpiqej të ushqente dashuri, Politika e sotme bën të kundërtën, mbjell urrejtjen” (fq.197), pasi ka përshkruar rrugëtimin rrugaçëror e kriminal të Trumfit që i dehur nuk ngruron të ngacmojë seksualisht Norën, kamerieren simpatike të lokalit “Muza”, autori shkruan se “nuk do të çuditej, nëse gazetat do të dilnin me titullin e madh: ‘Një deputet ia lyp kamerieres së klubit të shkrimtarëve”.

Duke vijuar në këtë linjë deri në fund të romanit, autori Hoxha, mjaftë produktiv e cilësorë në veprat e tij, i jep lexuesit edhe profilin e Sidritit që e vazhdon veprën e babait, Adnanit edhe pas vdekjes së tij, duke vënë te lokali “Muza” një tavolinë në dispozicion të shkrimtarëve dhe poetëve. Por pikërisht Sidriti që ndryshe nga babai shkruante tekste këngësh për këngëtarët e rrymave moderne, do t’i habiste shokët krijues të babait në ditën e kthimit të librave të tyre nga libraritë, kur nga librat e Fatmirit solli mbrapsht 905 nga 1000 që kishte tirazhin, pra ishin shitur vetëm 5. Dhe kur Fatmiri trishtohet para këtij fakti, Sidriti thotë se ka edhe më keq si në rastin e një shokut të tij që i shpërfytyruar e kishte blerë vetë një kopje të librit të tij (ndërsa gjithë tirazhi ishte stok). Dhe si për të përligjur këtë dimër të librave, me sarkazëm therëse autori shkruan edhe rastin kur Triumfi (kandidati për deputet që në jetën e tij s’kishte lexuar asnjë libër), u premton poetëve se do t’ua blente gjithë librat e kthyer nga libraritë që t’ua shpërndante falas zgjedhësve të tij. Kësisoj autori Bashkim Hoxha me kthjelltësinë e mendimit, pasi rrëfehet bindshëm artistikisht, përcjell mesazhin e trishtë se “Fundi i botës do të vijë atëherë kur njerëzit nuk do të lexojnë më libra. Ose jo, ‘Fundi i botës do të vijë kur të mos lexojmë dot sytë dhe fshehtësinë e tyre”.

Ndërkohë, në tërësinë e këtij romani ndeshim edhe shpirtin poetik të Bashkim Hoxhës, teksa mjaftë episode i shoqëron me poezi që dallojnë për natyrshmërinë, ritmin, muzikalitetin dhe ngjyrimet e fjalës, trillin dhe lakonizmin, si veçori të pranishme në secilën prej tyre. Mendimin e thellë filozofik të këtij gjeniu krijues e dallon qoftë dhe në vargjet: Atdheu im është poezia,/territoret e shpirtit i kam gjithmonë me vete,/po për t’u mbledhur mblidheni te “Muza”,/atdheu i harruar i poetëve…”(Fq,63).Apo kur shpalos në vargje koncepet për jetën si: “Jetoj jetën time/të ngjashme/ me jetën e të tjerëve,/bashkë me të tjerët,/me të njejtin ritëm,/uniform,/jetojmë jetën e atdheut…”, vargje këto ku Bashkim Hoxha shpalos edhe profilin poetik të një poeti me ndjeshmëri të lartë, me teknika vjershërimi midis tradicionales dhe modernes e postmodernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.

82 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page