KRISTOFORIDHI U MUNDUA T’I AFROJË TOSKËT DHE GEGËT ME ANË TË GJUHËS SË SHKRUAR SHQIPE
Konstantin Kristoforidhin nuk e quajtën kot baba të gjuhës shqipe. Ai këtë epitet e meritoi, sepse ishte njohës i hollë i gjuhës sonë. Kristoforidhi e kishte të qartë se gjuha është faktor me rëndësi për unitetin e kombit, prandaj u mundua për afrimin e toskëve dhe të gegëve me anë të gjuhës, përmes veprave të përkthyera fetare dhe origjinale. Sipas tij dialektet e shqipes nuk paraqesin pengesë për një gjuhë të përbashkët për gjithë shqiptarët. Në këtë mënyrë “me veprën e tij të shumanshme ai u bë nismëtari i një dukurie të pashembullt në historinë e deriatëhershme të shqipes së shkruar nga i njëjti autor të shkruhen të dyja variantet letrare”. Tregimi i Kristoforidhit “Gjahu i Malësorëvet”, që është shkruar në dy variante, përveç rëndësisë së përmbajtjes, ka edhe vlerë të posaçme gjuhësore. Ai në këtë tregim e ka shfrytëzuar shumë bukur thesarin e gjuhës sonë popullore, shprehjet e pasura të saj, duke pasur gjithnjë një qëllim të caktuar: të paraqesë konkretisht se gegërishtja dhe toskërishtja janë shumë të afërta në mes vete. Ndryshimi i këtyre dy kryedialekte, sipas tij, është shumë i vogël dhe konsiston: në paskajoren e gegërishtes, si p.sh.: me ardhë, me prim, me urdhënuem etj.; toskërisht: të vinjë, të prinjë, të urdhëronjë etj. Pra, përdoret lidhorja në vend të paskajores. Në toskërishte paraqitet rotacizmi (n-ja ndërzanore e gegërishtes këmbehet me r-në e toskërishtes), si p.sh.: zotëni, lagësinë, urdhëno, dhelpënë etj.; toskërisht: zotëri, lagësirë, urdhëro, dhelpërë etj. Pastaj alternohet â-ja hundore e gegërishtes me ë-në e theksuar të toskështes, si: zâ - zë, âshtë - është, gjâ - gjë, kâmbë - këmbë etj. Në toskërishte përdoret togu zanor -ua për togun zanor -ue të gegërishtes. P.sh.: muaj - muej, të gjuaj - të gjuej, ulëshua - u-lëshue etj. Togjet e bashkëtingëlloreve: mb, nd te Kristoforidhi ruhen në përgjithësi në të dy dialektet, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë të asimilimit të nd > n, si p.sh.: ndë dorë, n’doret. Se Kristoforidhi luftoi për afrimin e dialekteve vërehet edhe te shurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme fundore te fjalët gege, tipar ky i toskërishtes, si: vent për vend, brek për breg, plump për plumb, i math për i madh, derth për derdh, heth për hedh, doq për dogj etj. Pastaj, jo pa qëllim të caktuar ose për mosnjohje të gjuhës (të dialektit toskë) ai përdori në toskërishte edhe disa elemente të gegërishtes, si: pa ardhë për pa ardhur, kanë ardhë për kanë ardhur, gjelatë për këndesat etj. Kristoforidhi u përpoq t’i bashkojë shqiptarët edhe përmes një alfabeti të përbashkët (Dh.Sh.). Ai përpiqej për një alfabet të thjeshtë, për alfabetin latin.
Comments