Shumë herë pyesim veten, ashtu si po bëjmë programe për pasardhësit tanë se si do të jetojnë dhe ku ...Brezi ynë ka qënë më i keqpërdorur që të mos the i pafat se lindi dhe u rrit në një kohë kur asgjë nuk mund të quhej e sigurtë.Më kujtohet kur isha i vogël- aty nga viti 1946 kur im atë bisedonte me miq se si ishte gjëndja ekonomike dhe aso kohe ai ishte mjaft i pasur por kishte dhe më të pasur. Fjala ra për një fqinji ynë që aso kohe mbahej nga më të pasurit në vend me të cilin kishim dhe disa krushqi. Kur dikush tha se pasi të ketë vsdekur plaku- duhej të ishte rreth 65 vjeç aso kohe (një 65 vjeçar atëhere quhej shumë plak!) dhe se djemt e tij- të gjithë të martuar me shumë fëmijë- nuk ishin kaq të agftë që të mbanin atë pasuri, babai im- ishte shumë optimist akoma- tha: ‘’Mos ja qani hallin Ndinës...E ka lidhur gomarin ai!’’ Unë nuk i kuptova ato fjalë se si mund të jetë lidhur gomari kur ai kishte me dhjetra kuaj e pela...por m ë shpjegoi Nëna se me ato fjalë im atë donte të thoshte se pasuria e plakut në fjalë ishte tepër e madhe dhe e sigurtë për të ardhmen. Veçse askush nuk mund të parashikonte atëhere të ardhmen! Pushteti i ri që quhej popullor, nuk i kishte treguar akoma dhëmbët ndaj të pasurve. Sigurisht ishte sapo bërë reforma agrare, dhe familjes sonë i kishin marrë fushën që shtrihej poshtë fshatit Çiflik deri afër Mursisë por kjo u quajt e ‘’drejtë’’ deridiku se një pushtet që donte ta quante veten popullor diçka duhej të bënte...Domethënë pasuria e madhe ndoshta ishte prekur sado pak por ajo që i bënte këto familje të fuqishme ishin bagëtitë sdhe kullotat që kishin zotëruar kaq vite. Madje në bujqësi- ndonse kishi n blerë fusha të tëra nga bejlerët dhe agallarët (ata kishin filluar të falimentonin që në kohën e Zogut) dhe kështu ndiheshin tepër të fortë akoma.
Nuk kaluan veçse dy vite (1948) kur unë sapo mbarova klasën e dytë në Çiflik dhe babai më përgatiste për shkolla të mëdha- do të më dërgonte në Vjenë të bëhesha doktor- kishte thënë dhe kishte planifikua- dhe u duk se as Ndinoja kishte lidhur mirë gomarin- por edhe mua po më pritej rruga e Vjenës! Atë pranverë pra na shuajtën nga lista e të pasurve dhe na vunë titullin e ‘’Të prekurit’’ Domethënë me atë ‘’të prekurit’’- akoma nuk ishin shpikur titujt si armiku i popullit dhe i klasës-donin të na damkosnin se përderisa na kishin prekur kishim qënë të pasur dhe armiq të klasës! Ishte eçuditëshme se sa shpejt u gjëndëm në mëshirë të çdo...funksionarit, spiunit , keqdashësit (dhe ishin të shumtë!’ Nuk mund ta mirrje me mend se si disa ish barinj dhe shërbëtorët e familjeve të pasura u bënë me pushtet duke marrë funksione të ndryshme pushtetare dhe partiake. Këta kapardiseshin dhe nuk e fshihnin urrejtjn ndaj ish punëdhënësit e tyre- madje kujtuan se i gjithë ai mall që kishte shtetëzuar shteti dhe u a kishte besuar atyre,u bë mall i tyre dhe se mund të bënin ç’të donin jo vetëm me mallin por edhe me ish pronarët e këtij mallit! Por më e keqja se këta ishin jo vetëm fanatikë hakmarrës, por edhe analfabetë- bënin ndonjë kurs gjashtë mujor që të mësonin të paktën alfabetin dhe si të vini shkronjat me radhë- dhe kapardiseshin me kuajt me shalë që u a kiahin rrëmbyer të pasurve... Por dhe këta nuk e kishin të gjatë! Ai pushtet nuk linte kurrkënd të ecte përpara, goditën dhe shtypën njerëzit e aftë që ishin pasuruar me djersën e ballit dhe me zgjuarsinë e tyre pa shfrytëzuar kurrkënd dhe filluan të ashtuquajturën reformë, me hapa çnjerëzore,duke dorëzuar pasuritë në duart e ashtuquajturit proletariat- që nuk ekzistonte në Shqipëri aso kohe,- dhe këta që përfaqësonin gjoja partinë shumica e tyre u bënë hajdutë duke menduar se mallin që ‘’shteti i tyre’’ u kishte besuar, u takonte dhe mund të bënin ç’të donin! Mjerisht- po them mjerisht- në përgjithësi ai mall u bë rrush e kumbulla dhe populli mbeti përsëri me lugë të thatë! Ndokush do të besonte se ata që morën në dorëzim mallin e të pasurve, do ta përmirësonin dhe do ta gëzonte populli- si predikonin pushtetarët syshkurtër- por ndodhi krejt e kundërta! Një katastrofi e vërtetë...dhe shumë nga njerëzit ‘’e partisë’’ që e kishin marrë në dorëzim dhe e kishin shkatërruan, u kalbën në burgjet e ‘’pushtetit të tyre’’
Kuptohet se as unë shkova në Vjenë që të bëhem doktor- por as shkollën fillore e mbarova ndonjëherë! Por këto i kemi thënë dhe herë të tjera por këtu dua të veçoj ato pak vite në internim në Shtyllas të Fierit (Levanit) ku drejtori i Nërmarrjes (Kishte fusha të gjëra dhe disa mijra dele dhe mjaft kuaj e pela të rracës) Beshir Nikolla, një njeri men jimënd i shkëlqyer, për rrethanat tona! Nuk e di pse më veçoi mua dhe më dërgoi të kujdesem për dy hamshorët (Ylli dhe Tomorrin) dhe gomarin trupmadh të rracës që e quanim Tito, por më detyroi të shkoja në shkollën e natës pët...mbarështimin e bagëtisë dhe pastaj në Lushnjë për teknik të...ndërzimit artificial(!!)! Beshir Nikolla e dinte se kisha prejardhjen nga një familje e madhe blektore dhe të internuar si ‘’të prekur’’ (akoma nuk na kishin ngjitur titullit e kulakut, mjaftonte që ishim të izoluar dhe...armiq të popullit!) dhe për çudi më kishte marrë me sy të mirë, në kundërshtim të brigadierin që sapo ishte liruar nga ushtria me nëntëmijëshin i cili më ndiqte dhe më akuzonte për...armik të partisë! Ndërkohë zakoni i vjetër më ndiqte kudo...Lexoja...lexoja çdo gjë e shkruar dhe e shtypur mbi letër: gazeta, revista- këto i gjeja m shumicë në tryezën e zyrës të drejtorit Beshir Nikolla, i cili jo vetëm nuk më qortoi asnjëherë por më nxiste të mësoja sa më shumë. Jo, dikur më qortoi si mua dhe të tjerët kur qeshnim se na paska ngordhur...Titoja se ai nuk kishte kuptuar se atë emër ja kishim vënë ne gomarit të rracës...dhe kujtoi se e kishim fjalën për Titon e Jugosllavisë që aso kohe ishte armik i Shqipërisë...Ishte tepër interesante të udhëtoja me Sejfulla Maleshova nga Fieri në Savër të Lushnjës, ku ferma Çlirimi i falte kooperativës njëzet mënxë të bukur...se aso kohe kuajt ishin akoma të domosdoshëm. Ishte një njeri i çuditëshëm dhe unë nuk njihja aftësitë dhe të kaluarën e tij por biseda me të më ,kujtohet- sidomos kur u njoha(më vonë) dhe me historinë e tij të stuhishme. ‘’Ju jini të internuar këtu?’’ më pyeti. ‘’Jo, na kanë shpërngulur nga jugu’’ e zbuta pak unë. ‘’Interesant se sa fjalë janë shpikur vitet e fundit’’ buzëqeshi ai me trishtim ‘’Jo të internuar por të shpërngulur..Ju kanë shpallur kulakë?’’ ‘’Jo, i thashë unë...Vetëm të prekur! dhe pak armiq të popullit!’’ qeshi me hidhërim dhe nuk e ngau më tutje vetëm pak më vonë më tha: ‘’Kjo pak armiq të popullit më pëlqeu shumë-qeshi-Je kaq i ri...dhe duhej të shkoje në shkollë! Sidoqoftë mos u mërzit se jetën e ke përpara...vetëm duhet pak kujdes..’’ Ishin njizetekatër orë të çuditëshme me Sejfullanë se në mbrëmje fjetëm në fshat ku dorëzuam kafshët. Më vonë do të mësoja kaq gjëra për atë njeri të çuditëshëm që punonte në fermën Çlirimi të Fierit..Dhe rruga ime sapo kishte filluar për në Vjenë!!
2. UDHËTIMI I GJATË KISHTE FILLUAR...
Në vitin 1956 filloi njëfarë zbutje të sistemit, madje flitej se do të bënin miqësi prapë me Jugosllavinë...Veçse unë lexoja. U njoha me Shollohovin (Fati i njeriut) dhe me shumë shkrimtarë shqiptarë- aso kohe kisha zgjedhur Sterjo Spasse e të tjerë. Pastaj na liruan të largoheshim nga Shtyllasi dhe ne e mbajtëm vrapin në Voskopojën tonë... Por si rronte një familje në Voskopojë pa asnjë të ardhurë? Gjashtë veta të tjerë prisnin rrogën time- ishin të mitur dhe gra. Në moshën 17 vjeç zbulova minierën e qymyrgurit në Mborje Drenovë. Dihet se si punohet në ato galeri kur je dhe lopataxhi...por kishte dhe të mirat miniera. Në radhë të parë kishte një bibliotekë shumë të pasur dhe e dyta na ushqenin shumë mirë- kishim dushe me ujë të ngrohtë dhe shoqëri të madhe me punëtorët. Dushi ishte i domosdoshëm se kur dilnim nga galeria ishim të nxirë nga këmba në kokë dhe dukeshim sikur dilnim zezakë nga barku i tokës!..Pastaj në Maliq në një baxho dhe së fundi në kampin e punëtorëve të Voskopojës, falë bamirësisë të Riza Kodhelit, ish miku i familjes sonë! Megjthatë nuk mbaronte këtu rruga. Vjena ishte shumë larg akoma... dhe ja një ditë, ose mbrëmje u gjëda në Leskovik ku më fshehën disa ciganë nga policët që po bënin kontroll...Ciganët ose Romët, njerëz të mirë! Kur panë se po ngjitej xhipsi i policisë drejt çadrave të tyre- ishin mësuar me kontrollet policore- madje akoma dhe sot njësoj veprohet kundër këtyre njerëzve të mirë -një Nënë më rrëmbeu prej krahu më futi në çadër dhe më mbuloi me velenxa e rroba që të mos dukesha... Pastaj më dhanë bukë e djathë dhe një gotë raki dhe më treguan rrugën drejt kufirit! E dinin ata! Të gjitha i dinë ciganët, të gjitha i kuptojnë... dhe unë nisa t’i ngjitem malit ‘’natën o, vetëm o’’ dhe mëngjesi më gjeti në një qafë që për fat të mirë nuk ruhej në atë orë të mëngjesit të 24 marsit 1961!
Kisha bërë pra gjysmën e rrugës...Jo, jo çerekun e rrugës se isha akoma 22 vjeç në një vend të huaj që nuk i dija gjuhën por edhe atje e solli fati të ndeshem për herë të parë me një...të afërmin tim të mëvonëshëm..Kësisoj besova se kisha bërë gjysmën e rrugës! Sa gabim isha! Nuk e dija se aventura e vërtetë sapo fillohej dhe mirë thonë se jetën askush nuk mund ta kontrollojë as ta parashikojë dhe kur dikush jeton gjatë dhe ndeshet me të gjitha ngjarjet e afro një shekullit, ku ngjarjet janë kaq të theksuara- ju kujtohet? Flisnim për kuajt Tomorri dhe Ylli dhe gomarin me emrin e çuditëshëm Tito dhe për tridhjet mëza që me Sejfulla Malëshova çuam në Savrë se u duheshin për punë...Kush përdor më kuajt për punë? Kam frikë se po nuk u mbrojtën si një kafshë e rrezikuar për t’u zhdukur, pas disa viteve do të jetë zhdukur kali dhe gomari (për mushka nuk flet më njeri!) Ky shekull pra përveç dy luftrash të përgjakura, dy regjime diktatoriale të përgjakëshme- nazizmi dhe komunizmin- solli dhe sputnikët, anijet kosmike Apollon dhe pastaj...pastaj udhëtimet masive me aeroplan nga një vend në tjetrin dhe nga një qytet në tjetrin! Nuk është nevoja të flasim për automobilin që po mbyt botën por mund të flasim për telefonin...po,po telefonin (celular) që sot e mban kushdo, i vogël dhe i madh në dorë, në xhep...dhe pastaj, pastaj...interneti dhe kompjuterin! Më kujtohet që aso kohe që të komunikoje me telefon nga një qytet në tjetrin ishte diçka e lodhëshme dhe kërkonte mjaft kohë, kurse që të komunikoje me vendet e tjera, duhej të bëje ftesë 24 orë më parë në një numër të përafërt..(Ju kujtohet ajo...Alo- Alo-Alo!) Pastaj...ishte shumë më e lehtë të shkruaje me dorë se makina e shkrimit ishte luks i tepruar! Në vitin 1965 miku im i vjetër dhe i paharruar Kamber Merdini nga Sohodolli i Dibrës më dërgoi nga Kanadaja një makinë shkrimi që quhej Comodore...Mund të themi se asnjeri tjetër nuk njihja që të kishte makinë shkrimi- ato ishin tepër të shtrrënjta dhe shumë pak ishin ata që din in t’i përdornin...madje kishte shkolla të posaçme që vajzat të mësonin si të daktiliografonin që të punësoheshin si sekretare në zyra të ndryshme shtetërore dhe private... Kush shkruan me makinë shkrimi sot? Askush mund të themi! Pastaj që të shkruaje diçka për një gazetë a revistë duhej ta daktiliografoje dhe ta postoje kurse sot? Merreni me mënd se sa i lehtë është bërë komunikimi nëpërmjet internetit...
Udhëtimi im do të kishte qënë më i qetë sikur të mos kisha provuar dhe regjimin fashist të jundës greke...dhe përndjekjet si i rrezikëshëm për sigurimin kombëtar grek. Por nuk do të zgjatemi më tej...Junda fashiste më mbajti të izoluar nga Athina në Jaro, por sapo u shëmb...munda të dal faqebardhë! Madje dhe i nderuar si luftëtar për demokracinë helene... Pastaj...Pastaj mendoja Vjenën time. Duhej patjetër të udhëtoja në Vjenë që të plotësoja porosinë e Babait! Dhe kjo u artrit me udhëtimin- me aeroplan sigurish- sigurisht- në vitin 1981, jo të bëhesha doktor por për t’u takuar me një doktor vjenez...Dhe që atëhere kam udhëtuar-kam fluturuar- dhjetra herë në qytetin e zëmrës sime dhe sa herë shkel në shesh përpara Shën Stefanit, më duket sikur dëgjoj zërin e Babait të thotë ‘’ Duhet të jetë i mirë në mësime se dua ta dërgoj në Vjenë ta bëj DOKTOR...’’
KRISTO ZHARKALLI, Athinë 17 shtator 2024.
Commentaires