top of page

KRISTO ZHARKALLIU:  SHPIKËSIT E HISTORISË SHQIPTARE....



 

Hyrje

 

Vitet e fundit-rreth 35 vjet dhe nuk janë pak- çdo ditë dhe na del një historian i ri që na tregon, sipas qejfit të tij dhe dëshirës të shtypit të kohës që po kalojmë- një variant të ri për çdo gjë historike, thua se historia mund të shkruhet e të rishkruhet sipas qejfit të çdo përrallxhiu. Nuk do të mirremi me kohën e vjetër-  me lashtësinë e Ilirisë- janë shkrojtur kaq shumë për këtë, fatmirisht nga të huajt (se po të prisnim nga shqiptarët e sotëm do të na mirrte lumi) madje është më se e dukëshme se si ‘’historianët’’ shqiptarë i shmangen perandorit bizantin Konstandinin e quajtur i Madh, thua se ja kanë falur grekëve si i kanë falur dhe perandorinë  e Bizantit, që faktikisht nuk kishin asnjë lidhje me helenët e lashtë, madje ishin mohuesit më të egër të lashtësisë helenike! Sidoqoftë ‘’historianët’’ dinakë grekë të mëvonëshëm, duke u mbështetur në krishtërimin antigrek, e adoptuan, falsifikuan historinë dhe rrëmbyen kishën ortodokse Lindore duke u ndarë nga ajo katolike Perendimore, madje fillimisht , kur Perandoria romake u nda me dysh u quajtën Perendoria Lindore dhe ajo Perendimore (romake të dyja- më vonë u përçanë në Ortodoksë dhe Katolikë- kryesisht në Papën dhe në Patrikanën e Stambollit! Ku si në perëndim ashtu dhe në Lindje gjuha zyrtare ishte ajo latinishte (Madje kjo patrikanë ortodokse ja detyron shpëtimin dhe jetëgjatësinë e saj pushtimit Otoman- si rrjedhojë feja ortodokse që më vonë u bë...greke u ndihmua dhe u zgjerua se tepërmi falë përkrahjen e pakufishme të Sulltanëve- cilëve ishin shërbëtorë të  sigurtë të Portës së Lartë.)

 

Është e çuditëshme por nuk ka mbetur asgjë pa u shtrëmbëruar

 

     Sigurisht nuk kemi pretendime që ‘’historianët’’ e sotëm të na rrëfejnë këtë periudhë- do të mjaftoheshim sikur objektivish shkruanin për Gjergj Kastriotin -Skenderbeun e më vonë madje dhe për rezistencën kundër pushtimit pesëshekullor otoman pa shtrëmbërime të panevojëshme. Mund të themi se fatmirisht një historian i kohëve tona na zbuloi Ali Pashë Tepelenën dhe na e e paraqiti ashtu si ishte pa smadhime dhe zbukurime. E kam fjalën për historianin Irakli Koçollarin që patjetër ka  studjuar dhe paraqitur në mënyrë të qartë se kush ishte Pashai i Janinës. Megjithse pothuajse kemi një histori të plotë të dokumentuar të Ali Pashës, edhe ky nuk ka shpëtuar nga disa ‘’zbulues’’  të mëvonëshëm që herë mirren me Vasilikën, herë me ‘’kokën’’ dhe herë të tjera me portrete të Pashait tepelenli. Duket se emri i Aliut pëlqehet shumë në shtypine Tiranës dhe boton çdo mendim dhe marrëzi..

   Është e çuditëshme por nuk ka mbetur asgjë pa u komentuar, pa u shtrëmbëruar dhe pa u smadhuar. Me suljotët, p.sh. jemi marrë shumë, janë shkrojtur me mijra  shkrime dhe historira nga më të ndryshme sidomos nga grekët që- me të drejtë i quajnë luftëtarë kundër otomanëve- po pa u a mohuar prejardhjen e tyre kombëtare- sidomos për konfliktet e tyre me pashanë e Janinës- Ali Tepelena. Ata shqiptarë kokëkrrisur u ishin ngjitur maleve të Sulit që të mos bëheshin shërbëtorë të turkut, sipas tyre.Suli ishte si një ishull i pa shkelëshëm nga këmba e turkut- madje kështu quanin dhe vëllezërit e tyre shqiptarë që ishin islamizuar, si Ali Pasha. PËr Suljotët kanë shkruar shumë arvanitas si dhe shumë historianë të huaj, akoma dhe greke e shqiptarë. Dihet kënga shqiptare për ta kur u detyruan nga Aliu të braktisnin trojet e tyre të thepisura dhe të të hidhen në Korfuz: ‘’Ti more Foto Xhavella se ç’na bëre me kapella!’’ që don të thotë se zëvëndësuan qylafet shqiptare me kapella europjane. Një tjetër fakt historik është se në Korfuz Marko Boçari hartoi fjalorin e parë greqisht shqip që të mësonin bashkëkombësit e tij shqiptarë gjuhën  e vëndasve që të mirreshin vesh (Këtë fjalor e ribotoi në vitet 80 të shekullit të kaluar një gjuhëtar grek me prejardhje nga Parga. Ishte pra gjuhëtari i njohur Titos Johallas, për të cilin kam shkruar vite më parë në një gazetë shqiptare) Me këtë na tregon se Marko Boçari nuk ishte analfabet si shumica e bashkëkombësve të vet!)

 

Si shkas për këtë shkrim

 

Shkas për këtë shkrim ma dhe  një  botim i kohëve të fundit në një gazetë shqiptare të një ‘’historianit’’ bashkëkohor shqiptar me titullin bombastik: ‘’Kush e vrau heroin e revolucionit grek (sic) Marko Boçarin?’’ Dhe e paska gjetur!!!...Deri sot askush nuk e kishte zbuluar këtë të vërtetë dhe ja na del ‘’historiani ‘’ ynë dhe na hap sytë për...heroin e Revolucionit grek, si na e thekson..sigurisht ai ka gjetur disa botime, ose një dokument i vjetër në ...Paris ...se vetëm atje mund të gjendet e vërteta për suljotët dhe Marko Boçarin!  Nuk e di se kujt i shërben një shkrim i tillë, akoma dhe një dokument sipas historianit tonë, por Marku Boçari u vra në Karpenis të Greqisë kur po sulmonte një qëndër ushtarake turke. Historikisht dihet se në mes të turqëve- të ushtrisë otomane- kishte dhe shumë shqiptarë...dhe atje Markoja u përballua po me një shqiptar i cili e goditi për  vdekje dhe Markoja thirri nga dhimbja në gjuhën e mëmës: ‘’Më vrave o qen!’’ Atëhere vrasësi, duket i habitur tha, po shqip: ‘’Shqiptar qënke dhe ti o dreq?’’. Kam shkuar atje ku u vra Marko Boçari- është ngritur një monument ashtu si kam shkuar tek varri i tij në Mesollongji ku është ngritur një monument për të, por mbi varrin e tij është një vajzë e vogël e cila me gishtin e saj shkruan mbi pllakën e mermertë: ‘’Marko Boçari..’’ Është diçka e mrekullueshme... Por u larguam nga tema. Por le të kthehemi tek historia e papritur që na servir  historiani shqiptar i cili  nga Parisi duket se krahas me mbrojtjen e trrashëgimisë kulturore në Shqipëri, ka vendosur të na freskojë dhe pak historinë e suljotëve për të cilët nuk u thotë ‘’shqiptarë’’ thua se dikujt do t’i prrishë qejfin. Por ndërsa na  informon se Marko Boçari na qënkej anëtar i ‘’Filiqi eteria’’ (!) harron të na thotë se  megjithëse suljotët kishin përballuar vite të tëra sulmet e egra të ushtrisë të Aliut, kur Tepelenxhiu rrebeloi ndaj Portës së Lartë, ata vrapuan në ndihmë të bashkëkombësit të tyre, Ali Pashës Tepelena  duke harruar armiqësitë dhe gjakderdhjet shumë vjeçare që u kishin shkaktuar këto luftra ndërmjet tyre. Madje mbetën besnikët e fundit të Aliut, kur shumë të tjerë e kishin braktisur!   

 

Kujt i shërbejnë këto?

 

   Duket se shtypi dhe portalet shqiptare botojnë gjithëçka thonë për të kaluarën sidomos për kohën e diktaturës. Na dalin përditë ish të burgosur dhe ish të përndjekur dhe shkruajnë  se sa kanë vuajtur, si janë përndjekur duke përshkruar jo vetëm bvuajtjet e tyre por edhe vuajtjet e të afëmëve të tyre. Nuk ka dyshim se  njerëzit dhe sidomos të rinjtë duhet të mësojnë tmerret dhe gterrorin e diktaturës pesëdhjetë vjeçare, por nganjëherë duket se ata që i shkruajnë ose i rrëfejnë i kanë huazuar nga ndonjë tjetër ose i ka imagjinuar. Por ajo që brengos më shumë është se si më se 40 vjet nga ‘’vetvrasja’’ e Mehmet Shehut, përditë do të ndeshemi për dikë që e njihte, që i shërbente, që e takoi atë ditë, që e kuptoi oase që e dinte se si jetonte familja e Mehmet Shehut! Dhe shumica e këtyre shkrimeve kanë një ndjesë keqardhje për Mehmet Shehut...që sipas tyre ishte njeri i mirë...!!! Akoma dhe sot gjënden ish gardianë, hetues e shumë të tjerë që kanë bashkëjetuar me Mehmet Shehun dhe të gjithë me radhë na tregojnë kujtimet e tyre, madje, që të duket më interesante ngatërrojnë atje dhe Ismail Kadarenë me të shoqen  madje dhe disa aktorë që gjoja bënin jetë të shthurrur, sipas tyre. Vetvetiu del pyetja: këta oficerët, hetuesit e shumë rrëfenjës të tjerë, sa vjeç ishin atëhere dhe sa janë sot?

Kanë kaluar plot 44 vjet që atëhere...dhe pastaj? Kujt i shërbejnë këto? Mos po përpiqen të nxjerrin Mehmet Shehun si...viktimë e komunizmit? Pse këto lumenj shkrimesh- arkivash dhe pohimesh? Nëqoftësae do të pranojmë krimet e komunizmit, a nuk ishte pikërisht Mehmet Shehu në krye të piramidës komuniste në Shqipëri? Apo ndoshta duan të na thonë se ai nuk i njihte këto krime? Një rast tipik ishte dhe familja jonë...Nga fundi i viteve 70 kisha lidhje të ngushta me arvanitasit e Athinës, kryesisht me Jorgo Marungën. Në një takim të zakonëshëm kur delegacione shqiptare  udhëtonin në perëndim- (Marunga iashte ngaherë i ftuatr dhe ai ngulte këmbë ta shoqëroja në këto takime se  e kuptonte me vështirësi shqipen)  Në delegacion ishte dhe një i njohur i vjetë i familjes sonë. Vendosa ta takoja dhe të ankohesha se sa e padrejtë ishte trajtimi i të afërmve të mi që lëngonin në internim në Grabjan. Ai u habit kur më pa- nuk e priste, madje dukej i shqetësuar- por pranoi të pinte një kafe me mua në holin e hotelit ku  ishte me delegacionin në fjalë. Sigurisht në prani të një...shoferit. Kur unë i patrashtrova kërkesën time duke i thënë se ne shikonim punën tonë dhe askurrë nuk kishim vepruar kundër Shqipërisë- si pretendohej- ai sikur u bind dhe në fund më tha: ‘’Shiko, unë nuk i di këto gjëra. Por sapo të kthehem në Tiranë do të takoj Mehmet Shehun,sipas këresës së tij dhe do t’i flas për familjen tuaj. Për  vëllanë tënd të burgosur dhe për të tjerët që janë të internuar në Grabjan! Shpresoj të më dëgjojë...’’ Çuditërisht ky e mbajti fjalën dhe sapo u kthye në Tiranë takohi Mehmet Shehun dhe i foli për takimin me mua dhe për familjen tonë...E dini si u përgjegj ‘’Kryeministri’’ për të cilin derdhet kaq bojë e lotë vitet e fundit? ‘’Për atë familje më flet ti, thua se nuk e di unë? Si nuk ke turp kur thua se u takove me atë njeri? Ajo familje atje të vdesë në internim...sa të zhduket!’’ E shikoni se sa  i pafajëshëm na qënkej ...ish kryeministri shqiptar të asaj kohe? Por mjafton se edhe unë po çoj ujë në mullirin e propagandës të shtypit dhe të portaleve të Tiranës... Apo me këtë duan të thonë se  vetëm Enver Hoxha ishte i keq dhe se këta na qënkeshin viktima të diktaturës? Jo miq, të gjithë njësoj ishin...pata njohur Petrit Dumen, i cili sillej me brutalitet si padron ndaj oficerëve dhe voskopojarëve. Thjesht ‘’revolucioni ha fëmijët e vet’’  si ngjau dhe me revolucionin e famëshëm francez e me revolucione të tjera... Apo nuk i dimë këto? Apo 1789 është shumë larg dhe..kush i kujton? Sigurisht Revolucioni Francez nuk ka asnjë lidhje me atë të komunistëve, sidomos të Shqipërisë. Robespjeri me shokë, i hapën një epokë të re njerëzimit, pamvarësisht se pati një hap përpara dy hapa prapa...që lindi një Napoleon Bonaparti..

 

   Kanë kaluar 34 vjet demokraci

 

    Kanë kaluar 34 vjet demokraci dhe shtypi shqiptar boton përditë pjesë nga dosjet e diktaturës, madje shumë nga personat e interesuar nuk jetojnë më dhe këto dosje ose pohime  të dyshimta botohen pa pasur autorizimin e personave të interesuar. Nuk e di se si mirren këto dosje, por megjithatë dua të falenderoj zotin Kaloçin i cili më ka shërbyer dhe mua pa ja kërkuar vetë. Vetëm  dy vjet më parë më dërguan një dokmument që më hidhëroi shumë. Në vitin1989 – kur mengadalë kishin filluar të vinin vizitorë nga Shqipëria në Greqi- ata që kishin të afërm në këtë vend mësoj se në një fshat të Gumenicës kishte ardhur një e njohura ime nga Korça me të cilën kur punoja në kampin e Voskopojës, kishim pasur lidhje miqësore sepse e motra kishte qënë mësuesja ime. Kjo quhej Donika Çaprazi. Kërkoi të takohej me mua, madje ngulte këmbë dhe ata më telefonuan të shkoja ta takoja. Kishim mall për njerëzit, kishim mall për çdo gjë shqiptare. Familja e cila e kishte ftuar në atë fshat kishte lidhje farefisnore me Anën, time shoqe. Meqënëse ngulte këmbë edhe unë me gruan morëm autobuzin dhe shkuam ta takonim- ku ime shoqe kishte dhe motrat e vëllanë e saj në Gumenicë. Një mbrëmje pra morëm Miçon dhe shkuam në fshatin Asproklisi ku kishte ardhur  Donika. Nuk bëmë ASNJË fotografi. Qëndruam aty rreth dy orë dhe u ndamë....Dhe unë e harrova këtë takim...Veçse u gjënd atrkivi se si ishte arrestuar dhe dënuar Donika sepse ishte takuar me ‘’Të arratisurin’’  që isha unë! Ajo që më habiti më shumë ishte jo se ishte dënuar vite me burgim, porse arkivi ilustrohej me disa fotografi të takimit që ne nuk i kishim bërë! Kush na fotografoi dhe si? Ka mbetur mister për mua por personat që morën pjesë në këtë takim nuk rrojnë më as vetë Donika që ta pyes- u lirua pasi u shëmb diktatura por unë nuk e takova më megjithse mësova se kishte ardhur dhe ajo në Greqi dhe ndihem si...fajtor për vuajtjet e saj....Sidoqoftë nuk më vjen mirë që e shkruaj këtë ngjarje tragjike të jetës sime. Askujt nuk i shërbejnë më veçse na lëndojnë më shumë dhe ndoshta nuk ka lidhje me qëllimin e këtij shkrimit.

 

Konkluzion

 

 Sidoqoftë unë besoj se të rinjve të sotëm nuk u intereson më e kaluara-pothuajse e largët për ta as u intereson se si u vra apo u vetvra ish kryeministri shqiptar. Bota ka ndryshuar dhe po ndryshon përditë- distancat po shkurtohen dhe toka duket tashmë shumë e vogël dhe kontaktet janë tmerrësisht të lehta dhe të shumëllojëshme.  Ndonse njeriu nuk duket të jetë bërë më i mirë- pothuajse është më i egër- besoj se e ardhmje e shqiptarëve duhet të jetë më e mirë se megjithë tragjeditë e së kaluarës, sot shqiptari gjëndet në një pozitë më të mirë- mos harrojmë se kemi dy shtete shqiptare (as në ëndërr nuk  mund ta imagjinonim!) dhe faktori shqiptar është tepër i pranishëm dhe po kaq i fuqishëm si shtetet e tjera që e rrethojë. E kaluara...mbetet e kaluar, ndonse jo e harruar!

KRISTO ZHARKALLI. Athinë 1 shkurt 2025,

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page