Nga Albert HABAZAJ
Kristo Çipa është një emër letrar i njohur tashmë jo vetëm në Vlorë, Himarë e Labëri, por i dukshëm në botën e letrave shqipe dhe me ndihmesë të çmuar në etnokulturën shqiptare. Përveç të tijve atje, në Pilur “në malet ku hapet bota”, mund të jem nga më të herëtit që i njoh në thelb shpirtin fisnik dhe vjershëtarinë bujare të tij. Ndoshta, kjo falë edhe gjenetikës në rrjedhat e kohës ?! ...
Kristo Çipa është poet dhe rrëfenjëtor i talentuar dhe ka botuar 4 libra deri më sot: “Guri i rëndë në vend të vet”, poezi, 2008, “Ruzana: mite dhe legjenda të Pilurit”, 2010, “Këmbana e dashurisë”, poezi, 2012, “Vesha mjegullën e hollë”, poezi, 2020. Së shpejti presim botimin e radhës me perla shkrimore me burim nga gurra e pashtershme e prozës popullore.
Dikur e kam cilësuar si një bulëzim kutelian të Pilurit në sotmëri, por ai është i tëri Kristo Çipa, krijues origjinal që ka pirë e pi ujë të shëndetshëm në gurrat e vargmaleve të Vetëtimës, në Labërinë e Himarën me histori e kulturë.
Libri që kemi në dorë është një lartësi e bukur poetike, ku shkëlqen me estetikën e vargut spontan e pse jo të lindur, aq të kulluar! Kur lexojmë shumë nga tekstet poetike të këtij vëllimi, vihemi në mëdyshje e themi me vete: “Ore, po sikur i kam të dëgjuara këto vargje, këto poezi...”. Po, ashtu është. Shumë nga poezitë e tij kanë patur fatin të këngëzohen nga vetë ai për ata bilbila kënge të “Bejkës së Bardhë” që konkurojnë bilbilat e qiellit dhe të fluturojnë hapësirave të kaltra të kujtesës popullore dhe nderimit folkorik në këngë e valle të kënduara labërisht, sipas stilit muzikor të Pilurit, duke u pasuruar në përditësim.
Kristo Çipa në krijimtarinë e tij është një emblemë dashurie universale, sa atdhetar brilantin i flaktë, me zemër e veprime, aq shënvalentinas i rëgjuar, si dashnor heroik në kosheren e mjaltit të tij. Profili letrar i Kristo Çipës më shëmbëllen me Trampolinën dinjitoze ku Folkori i florinjtë, në harmoni bukurore ngjiz Palcën e identitetit në frymën moderne të poezisë bashkëkohore të autorit, të cilën e vërejmë në poezi të tilla si “Kur çel lisi”, “Tretja e fshatit”, “Shpresa”, “Kur humba” etj.
Për autorin, njohja e realitetit është kyçi i motiveve, i vlerave dhe suksesit.
Fatmirësisht, autori që ka veshur mjegullën e hollë, është loti dhe mjalti i këtij realiteti.
تعليقات